“Oligarkia si krimi”, Basha paralajmëron rrezikun nga “piramida 1,5 miliardë dollarë” e Ramës dhe shpall programin

“Oligarkia si krimi”, Basha paralajmëron rrezikun nga “piramida 1,5 miliardë dollarë” e Ramës dhe shpall programin
Ekonomia ka qenë në qendër të aktivitetit të sotëm të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka folur përpara sipërmarrësve, në një takim ku ka shpallur edhe programin për 100 ditët e para të qeverisjes së tij.

Basha i ka “shpallur luftë” oligarkisë, duke deklaruar se ajo meriton të njëjtin trajtim sikurse edhe krimi.

“Ajo vjedh e grabit të sotmen dhe të ardhmen, njësoj si krimi. Një grusht kompanish të oligarkëve dhe rrjetit të tyre fitojnë thuajse të gjithë tenderët shtetërorë, kontratat PPP, lejet e licensat, me çmime super favorizuese për ta, me fonde limite që i caktojnë vetë dhe i fitojnë vetë”, tha Basha duke e konsideruar këtë si “grabitje e financave publike, rritje e borxhit për çdo shqiptar”.

Basha bëri të ditur se asnjë kontratë, leje a licencë e fituar në mënyrë abuzive nuk do të mbetet në fuqi.

“Çdo pasuri e vënë abuzivisht do të hetohet me barrën e provës të ligjshmërisë mbi oligarkët e nëse gjendet në keqbërje ndaj popullit e vendit, do të konfiskohet”, tha kryetari i opozitës.

Basha lëshoi edhe një paralajmërim të fortë për një piramidë të re financiare.

“Kemi sinjale që 1,5 miliardë dollarë kontrata korruptive do të hidhen në treg këtë vit. I paralajmëroj sistemin bankar dhe institucionet financiare të mos bëhen pjesë e kësaj piramide nëse nuk duan që kjo piramidë t’i marrë me vete”.

Gjithashtu, Lulzim Basha shpalli edhe pikat kryesore të programit të 100 ditëve të parë të qeverisë së tij, nëse do të vijë në pushtet. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

 

Më poshtë, pikat kryesore të programit të prezantuar nga Lulzim Basha:

 

Ekonomi e hapur, konkurrencë e lirë

 

-Çlirimi i sistemit nga trinomi krim-oligarki-burokraci

 

-Luftë kundër oligarkisë njësoj si kundër krimit

 

-Shanse të barabarta dhe treg i lirë për biznesin

 

Çlirimi i ekonomisë nga oligarkët

 

-Shfuqizimi i kontratave, lejeve dhe licencave abuzive

 

-Në 100 ditë, eliminohen burokracitë për biznesin

 

-Në 100 ditë, shkatërrohet rrjeti shtetëror i gjobëvënës mbi biznesin

 

-Brenda një mandati, Shqipëria në listën e 30 vendeve më reformatore

 

Rritja e punësimit dhe kujdesi për sipërmarrjen

 

-Sistem tatimor të thjeshtë për tatimpaguesin dhe administratën

 

-Shndërrimin e inspektorit tatimor në shërbëtor të qytetarit

 

-Më shumë lekë për njerëzit. Hapje e vendeve të reja të punës

 

-Më pak kontroll mbi biznesin nga inspektorët

 

Biznesi i vogël-gjenerator i punësimit

 

-Rritja e kufirit për TVSH nga 2 milionë në 14 milionë lekë

 

-Tatim me kuotë fikse sa 0.5% e xhiros vjetore

 

-Ndalimi i kontrolleve pas vendosjes së pullës fiskale

 

-Uljen e kontributit të sigurimeve shoqërore (për të vetëpunësuarit nga 24% në 18%. Për të punësuarit në 9%)

 

Tërheqja e investimeve të huaja

 

-Shfuqizim i taksës “Rama” për karburantet, ulje e çmimit me 30 lekë/litër.

 

-Taksimi i sheshtë 9%

 

(tatim fitimi, tatim mbi të ardhurat nga paga mbi 30 mijë lekë, tatim mbi të ardhurat e tjera personale dhe kontributet e punëdhënësve dhe punëmarrësve për sigurimet shoqërore)

 

-Rimbursimi i menjëhershëm i TVSH nëpërmjet ngritjes së një fondi special

 

-Shkallë të larta për amortizimin. Shqipëria vendi më tërheqës në Europë

 

-Zëvendësimi i taksës të ndikimit në mjedis me tarifë të njëjtë me koston e shtetit

 

-Ulje e çmimit të energjisë elektrike me 30-40%

 

Mbështetja për fermerët dhe prodhimin vendas

 

-100 milionë USD subvencionim direkt

 

-50 milionë USD investime

 

-Naftë pa akcizë për fermerët dhe peshkimin

 

-Mbrojtje e prodhimit vendas

 

-Rritje e kontrollit mbi cilësinë e produkteve dhe akses në treg

 

Arsimi-prioritet kombëtar

 

-Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë

 

-10 mijë stazhe të paguara në vit për studentët

 

-Modeli gjerman për arsimin profesional (50% teori, 50% praktikë)

 

-IT, Agropërpunimi & Turizmi fusha prioritare