“Nga ferri në parajsë!” Është Tirana e Ardian Memës

“Nga ferri në parajsë!” Është Tirana e Ardian Memës
Ndaj Skënderbeu shënoi Cobbinah, dhe pse barazoi Sibo, në pjesën e dytë një tjetër futbollist i huaj,  Ngoo, madje një minutë para se të mbyllej ndeshja, i dha fitoren Tiranës. Një fitore e madhe kjo për të besuarit e Ardian Memës, që e shohin veten përfundimisht jashtë zonës së rënies nga kategoria, madje më pranë asaj Europiane.

Fitorja e Tiranës në Korçë ka bërë që bardheblutë të fitojnë terren ndaj të gjitha ekipeve të tjera që synonin Europën, përveç dyshes pretendente për titull. Kështu, ka gabuar Teuta, Flamurtari, dhe Laçi, përveç Skënderbeut, të cilën Tirana e mundi në ndeshjen direkte.

Tirana është 28 pikë, vetëm pesë pikë larg Skënderbeut dhe Flamurtarit dhe 7 pikë pas Laçit, ndërkohë që lojtarët e huaj, me të cilët gjeti fitoren në Korçë, janë duke bindur gjithnjë e më shumë trajnerin Ardian Mema. Kjo ecuri ka entuziazmuar mbi të gjitha presidentin Refik Halili, i cili i besoi Memës stolin dhe pati besim tek ai edhe atëherë kur rezultatet nuk po vinin, aq sa Tirana u duk pranë rrezikut të rënies.