Neuropatia, sëmundja që ka të bëjë me dëmtimin e nervave

Neuropatia, sëmundja që ka të bëjë me dëmtimin e nervave
Kur sistemi ndijor dëmtohet nga trauma, ose sëmundje të ndryshme, rrjeti nervor që i përket atij sistemi nuk mund të funksionojë normalisht për të transmetuar siç duhet ndjesinë në zonat e trurit. Kjo shpesh çon në ndjenjën e mpirjes, ose të mungesës së ndjesisë. Megjithatë, në shumë raste kur ky sistem është i dëmtuar, individët përjetojnë dhimbje në rajonin e prekur.

Dhimbja neuropatike nuk fillon menjëherë dhe as nuk mund të zgjidhet menjëherë. Ajo është një gjendje kronike, e cila çon në simptoma të vazhdueshme të dhimbjes. Për shumë pacientë, intensiteti i simptomave të tyre mund të zbehet dhe të dobësohet gjatë gjithë ditës. Edhe pse dhimbja neuropatike mendohet të jetë e lidhur me probleme nervore periferike, të tilla si: neuropatia e shkaktuar nga diabeti, edhe dëmtimet e trurit, apo probleme të palcës kurrizore mund të çojnë gjithashtu në dhimbje kronike neuropatike. Dhimbja neuropatike mund të perceptohet si dhimbje që ndodh kur dikush përjeton një lëndim akut (të menjëhershëm) të tilla si goditja e gishtit me çekiç.

Faktorët

Çdo gjë që çon në humbjen e funksionit brenda sistemit nervor ndijor mund të shkaktojë dhimbje neuropatike. Traumat e ndryshme, duke shkaktuar lëndime nervore, mund të çojnë në dhimbje neuropatike. Kushte të tjera që mund të predispozojnë pacientët në zhvillimin e dhimbjeve neuropatike përfshijnë diabetin, mangësinë në vitamina, kancerin, SIDA, goditjet, skleroza e shumëfishtë, sindromi i tunelit karpal, infeksionet e ndryshme herpetike, apo edhe terapitë kundër sëmundjeve malinje. Nga kjo situatë nuk përjashtohet edhe abuzimi me alkoolin.

Simptomat

Ndryshe nga kushtet e tjera neurologjike, identifikimi i dhimbjes neuropatike është i vështirë pasi edhe shenjat objektive janë të pakta. Ekzaminimet duhet të deshifrojnë dhe të interpretojnë një koleksion të fjalëve që pacientët përdorin për të përshkruar dhimbjen e tyre. Pacientët mund të përshkruajnë këto lloj dhimbjesh, si: të mprehta të nxehta, të thella, thumbuese, si djegie apo ndonjë përshkrim tjetër. Përveç kësaj, shumë pacientë mund të ndiejnë dhimbje në prekje, ose kur ushtrojnë një presion të lehtë.

Në përpjekje për identifikimin e dhimbjes shpesh përdoren matës të ndryshëm. Për shembull pacientëve u kërkohet të vlerësojnë dhimbjen e tyre bazuar në një shkallë vizuale, ose numerike. Shpesh fotografitë e fytyrave që përshkruajnë shkallë të ndryshme dhimbjeje mund të jenë efikase që pacientët mund të përshkruajnë sa më mirë intensitetin e dhimbjes që po përjetojnë.

Diagnoza

Diagnoza e dhimbjes bazohet në vlerësimin e mëtejshëm të historisë së pacientit. Përveç të dhënave që jep pacienti, duhet bërë vlerësimi i funksionit të nervave nëpërmjet ekzaminimeve specifike që kryhen nga mjekët specialistë neurologë dhe fiziologë.

Nëse dyshohet neuropatia, duhet bërë një përpjekje për të gjetur shkaqet dhe vlerësimi i tyre nëse ato janë të kthyeshme. Kjo mund të përfshijë ekzaminime të gjakut për të parë nëse ka mungesë të vitaminave, anomalitë e tiroides dhe ekzaminimet imazherike për të përjashtuar një dëmtim strukturor që ndikon në palcën kurrizore. Në varësi të rezultateve të këtyre testimeve mund të krijohen mundësi për të ulur ashpërsinë e neuropatisë dhe rrjedhimisht për të ulur intensitetin e dhimbjes. Për fat të keq në shumë raste, edhe identifikimi i shkakut themelor të neuropatisë nuk mund ta ndryshojë situatën e dhimbjes. Kjo zakonisht vihet re te pacientët me neuropati diabetike.

Cilësia e jetës

Shumë pacientë me dhimbje neuropatike janë në gjendje të përfitojnë masa lehtësimi të dhimbjeve edhe nëse ato vazhdojnë. Megjithëse, dhimbja neuropatike nuk është e rrezikshme për pacientin, prania e dhimbjes kronike mund të ndikojë negativisht në cilësinë e jetës. Pacientët me dhimbje nervore kronike mund të vuajnë nga privimi i gjumit, ose çrregullime të humorit përfshirë këtu edhe ankthin, apo depresionin. Për shkak të neuropatisë themelore dhe mungesës së reagimeve ndijore, pacientët janë të rrezikuar për zhvillimin e problemeve të ndryshme, si për shembull zhvillim i infeksioneve.

Parandalimi

Mënyra më e mirë për të parandaluar dhimbjen neuropatike është të shmanget zhvillimi i neuropatisë. Monitorimi dhe modifikimi i stilit të jetesës duke përshirë kufizimin e përdorimit të duhanit dhe alkoolit, mbajtjen e një peshe në parametrat e duhur (në raport me gjatësinë) për të zvogëluar rrezikun e diabetit dhe të sëmundjeve nervore degjenerative janë po ashtu mjaft të rëndësishme në parandalimin e kësaj sëmundjeje.

Po ashtu rol pozitiv luan aktiviteti i rregullt sportiv, i cili përveç përfitimeve të njohura në raport me sëmundjet kardiovaskulare, diabetin dhe obezitetin, luan rol të rëndësishëm në reduktimin e stresit. Pra shërimi dhimbjes neuropatike varet nga shkaku themelor. Nëse shkaku është i kthyeshëm, atëherë nervat periferike mund të rigjenerohen dhe dhimbja do të ulet.

Ky reduktim i dhimbjes mund të zgjasë me muaj, por edhe me vite. Megjithatë, medikamente të ndryshme përdoren për lehtësimin e dhimbjeve neuropatike, të cilat duhet të merren vetëm sipas porosisë së mjekut specialist.