Ndocaj: Me Ramën u prisha prej LSI, kurrë koalicion me Bashën

Ndocaj: Me Ramën u prisha prej LSI, kurrë koalicion me Bashën
INTERVISTA/ Flet Sekretari i Përgjithshëm i partisë “Aleanca Demokristiane”, Eduard Ndocaj

Publikimi nga “Zëri i Amerikës” i përgjimeve dhe dokumenteve të siguruara nga BIRN përmes dy hetimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, nxiti politikën të zhvillojë debat parlamentar dje në Kuvend. Përgjimet që më së shumti ishin të përsëritura, sugjeronin se hidhnin dritë mbi përfshirjen e krimit të organizuar në episode të blerjes së votave në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër. Megjithëse të përsëritura, këto përgjime u bënë objekt debati të ashpër në Kuvend. Partia Demokratike kërkoi ndërprerjen e seancës plenare pasi kërkonte që i pranishëm të ishte edhe kryeministri Rama, për të dhënë shpjegime për akuzat e bëra nga Zëri i Amerikës për vjedhje të votave. Për zhvillimet e fundit, gazeta “Albanian Free Press” bisedoi me Sekretarin e Përgjithshëm të partisë “Aleanca Demokristiane”, Eduard Ndocaj.

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Si e komentoni debatin e kësaj të enjteje në parlament pas përgjimeve të dala nga “Zëri i Amerikës” mbi përfshirjen e krimit të organizuar në episode të blerjes së votave në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër nga PS? A qëndrojë këto akuza?

Unë e kam deklaruar që në 28 qershor të vitit 2017 që kur u zhvilluan zgjedhjet që këto zgjedhje janë vjedhur me lekët e hashashit, me lekët e drogës në bashkëpunim me kriminelët e vendit. Kjo mazhorancë nuk ka ardhur në pushtet me votën e qytetarëve të lirë, me votën e pastër, me votën demokratike por me votën e blerë me lekët e pista të drogës. Pra kjo qeveri nuk është legjitime, nuk është qeveri e ardhur nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, por është qeveri e ardhur në pushtet në bashkëpunim me kriminelët. Më vjen çudi se si prokuroria hesht pas gjithë këtyre skandaleve dhe deklarimeve të bëra nga institucione ndërkombëtare serioze. Këto zgjedhje ishin një fatkeqësi e madhe kombëtare. Kemi një degradim politik të shtetit dhe një kriminalizim total të votës së shqiptarëve. Një gjë duhet të dijë PS dhe populli shqiptar, aktualisht partia që qeveris nuk ka asnjë militantë të radhët e saj, pasi pjesa më e ndershme është shkëputur nga kriminelët dhe mbi të gjitha është tradhtuar nga PS. Pas fitores PS i la njerëzit e saj rrugëve, nuk i ndihmoi në asnjë situatë. Edhe në qeveri vuri njerëzit e ndikuar nga kriminelët dhe ata që skano pasur asnjë gjë të përbashkët me PS. Militantët e vërtetë të PS sot janë mafiozët, kriminelët kultivuesit e hashashit. Pyeti ish-militantët e ndershëm dhe çfarë do të thonë, pyeti. Të zhgënjyer skajshmërisht. Pra një qeveri që ka në themel votat e kriminelëve, votat e drogës, kurrë nuk ka mbështetje masive. Unë këtë gjë e damkova fill pas zgjedhjeve pasi këto fenomene i pashë vetë me sytë e mi.

 

Jeni penduar që u larguat nga PS dhe prishët marrëdhëniet me Edi Ramën?

Aspak! Përkundrazi unë ika nga kjo parti që kur pashë se ajo bëri koalicion me një nga klanet më të rrezikshme partiake me LSI. Pronar i kësaj partie nuk është politika e mbështetjes popullore dhe e qarjes së halleve të popullit por paraja. Unë mendoja se PS në 2013 do të sillte një formë qeverisjeje të re, ndryshe, të qante hallet e popullit, të shikonte problemet kombëtare. Kisha besim te Rama pasi kisha parë punën që bëri kur ishte kryetar bashkie. Ndaj dhe u afrova me të pasi pashë punën në bashki dhe mendoja se kështu do të vepronte edhe si kryeministër. Mendoja se do të vinte në qeveri një klasë politike ndryshe. Me një politikë sociale dhe kombëtare. Më pëlqeu dhe programi që hymë në zgjedhjet e vitit 2013, por nuk u vu në zbatim. Kurrsesi nuk mund të vazhdoja më me këtë mënyrë të qeverisjes dhe të të bërit politikë. Të gjithë këta janë hajdutë dhe duhet të mbajnë përgjegjësi.

 

Po opozita a ka pasur një strategji të mirëorientuar për të bërë një opozitë të fuqishme, konstruktive dhe të përgjegjshme? Mendoni një bashkëpunim me Bashën?

Ne kurrë nuk do të bashkëpunojmë me Bashën pasi duam të bëjmë një opozitë të pastër, të vërtetë, të bazuar mbi norma, rregulla dhe jo të nënshtrohemi dhe të bëjmë biseda dëmtuese për opozitën. Ne nuk duam të bëjmë propagandë opozitare, ne duam të bëjmë opozitë Europiane. Basha bën propagandë opozitare. Unë e kam thënë që takimi i majit 2017 mes Ramës dhe Bashës ka sjell tradhti për kampin opozitar. Aty diçka fshihet. Tërë këto vjet Basha nuk ka bërë opozitë, përkundrazi ka qenë ombrella e Ramës, ka qenë ombrella më e sigurt e Ramës madje edhe e qeverisë. Ombrella specifike e Ramës.

 

Pse?

Sepse nëse do të kishim një opozitë të organizuar, të pakomprementuar, në dobi të qytetarëve me gjithë këto skandale që kanë ndodhur së paku këto 3 vitet e fundit, qeveria duhej të kishte rënë të paktën 5 herë. Aktualisht ne do të kishim një qeveri teknike për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Por në fakt Basha është protektori i Ramës, është ai që e mban në këmbë këtë qeveri me marrëveshje të fshehta. Ndaj kjo qeveri ka prodhuar dhe prodhon skandale dhe qëndron në këmbë. Basha është fajtori kryesor pse Rama është akoma në pushtet. Ato që u thanë dje në parlament janë të tëra të vërteta, pasi tashmë secili do të mbrojë vetveten dhe nuk mban të fshehta. Pra thuhen të vërtetat me tërë bindjen. Për fatin tonë të keq akoma gjykatat janë kthyer në zyra noteriale të këtyre bandave që noterizojnë krimin, vjedhjet, kanalizimin që dëmtojnë shoqërinë shqiptare.

 

Si do t’i komentonit lëvizjet në qeveri, a ishin të mirëpritura në opinionin publik?

Ishin lëvizjet më qesharake, më fëminore. Tashmë Shqipëria është dhënë me koncesion tek PPP derisa arriti të japë me koncesion edhe ministritë. Pra me këto lëvizje edhe ministritë janë dhënë me koncesion. Disa ministri me koncesion Baton Haxhiut nga Kosova e kështu me radhë. Më qesharake është që MJ që është themeli i një qeverie dhe një kombi, ajo ministri që bën politikën e jashtme ku bota të shikon me shumë vëmendje ja jep një fëmije qumështor që është e papranueshme Si mund të jepet një ministri e tillë ku luhen fatet e vendit një qumështori që s’ka qenë kurrë në politikë. Rama thotë ka lexuar shumë por unë them se ai se njeh abetaren shqipe, pra shqipe. Le Shqipërinë që se njeh se se ka parë kurrë më parë. Ajo që nuk di dhe duhet ta mësojë Kryeministri i Shqipërisë është se ai nuk ka lidhje me të qenit kryeministër, më fal që e them por që ai se ka mësuar ende se është idiot. Pra mënyra e qeverisjes, vjedhja e votës, lidhja me krimin për blerjen e votës, janë ato që atë e tregojnë atë të paaftë për të qeverisur. Ai duhet të ikë një orë dhe më parë pasi në vitet që ai po drejton shqiptarët po ikin më shumë se në vitet 1991. Shqipëria po boshatiset nga rinia. Vendi po zbrazet nga paaftësia totale e kësaj mazhorance,

 

Në zgjedhjet lokale do të shkoni të vetëm?

Jo, në zgjedhjet lokale nuk do jemi të vetëm. Tashmë jemi bashkuar dy partitë demokristiane si ajo e z. Zef Bushati dhe partia ime kështu që do të jemi bashkë. Po përveç nesh do jenë dhe shumë parti të tjera të vogla që do na bashkohen që do kemi të njëjtin ideal. Pra në këto zgjedhje ne do dalim si një grup partish të vogla rreth 20 të cilat janë të papërlyera. Ne po punojmë që këto parti në zgjedhjet e ardhme të mos ngelen të vogla por të bëhen parti vendimmarrëse. Ky vend së bashku me zgjedhjet vendore e ka mëse të nevojshme edhe për zgjedhjet parlamentare. Duhet patjetër të dyja zgjedhjet. Kriza është e madhe. Kjo qeveri po të vazhdojë do ta çojë vendin në një krizë aq të madhe sa nuk e besoni.

 

Ju do kandidoni për Kryetar Bashkie në Lezhë?

Patjetër do kandidoj në emër të Demokristianëve, pra do kandidoj dhe do fitoj se kam besimin e qytetarëve të ndershëm. Do jem kundër dy partive të mëdha PS dhe PD se ato kanë aleancë të pashmangshme dhe ta padukshme. Kjo është aleanca që ka marrë peng Shqipërinë dhe ne do jemi kundër kësaj aleance. Ne do bëjmë zgjedhje të ndershme dhe jo zgjedhje na bashkëpunim me kriminelët. Ky është ndryshimi ynë i madh.