Mungon Rama, Basha përplaset me Lleshajn: S’ka negociata në qershor. Batutat: Kur gishti tregon Hënën, budallai...

Mungon Rama, Basha përplaset me Lleshajn: S’ka negociata në qershor. Batutat: Kur gishti tregon Hënën, budallai...
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar sot nga foltorja e Kuvendit që mazhoranca të rrëzojë qeverinë, përpara protestës së 16 shkurtit.

“Sot është rasti i parafundit për t’i bërë thirrje ndërgjegjes socialiste që t’i hapin rrugë zgjidhjes politike përpara se populli të marrë në dorë fatin e vendit”.

Basha akuzoi sërish Qeverinë se ka zhytur vendin në krizë totale dhe e ka shndërruar në “parajsën” e krimit.

“Vendi është në krizë ekonomike e në luks janë një grusht oligarkësh të lidhur me krimin. Si asnjëherë kjo sallë nuk i takon qytetarëve shqiptarëve, por me ata që VOA ua përplasi në fytyrë, me bandat, Shullazët, Avdylajt, me krimin”, tha Basha.

Kryetari i opozitës tha se një qeveri dhe një parlament i ulur këtu më votat e krimit nuk ka asnjë hall me qytetarët, ndaj ata ndihen te braktisur.

“Institucionet ekzistojnë si pjesë e një kontrate sociale për disa detyra elementare. Siguria zero, shëndetësia në mesjetë, punësimi plaga më e madhe. Gjysma e popullsisë jetojnë me më pak se 5 $ në ditë, a duan t’ja dinë këta, sigurisht që jo. Gjysma e atyre këtu në  sallë nuk kanë asnjë lidhje me këtë.  Çfarë janë 5$ për një kryeministër që brenda një ditë i jep 4.5 mln $ përmes transaksioneve të KESH. Zgjidhja e vetme qeveria transitore”, tha Basha.

Gjithashtu kryetari i opozitës paralajmëroi mosçeljen e negociatave në qershor.

“Shqipëria e Europa s’do ju lejojë të vijoni këtë maskardë. Nuk do ketë hapje negociatash në qershor, dhe kjo ka vetëm një përgjegjës, kryeministri është faturë e rëndë për vendin s’kemi pse të vazhdojmë ta paguajmë këtë faturë”.

Në mungesë të Kryeministrit Rama, ka replikuar ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Zoti Basha, ju falënderoj që me dhatë mundësinë përmes gishtit tregues t’ju përgjigjem, mos u mundo ta tregosh kurrë ndaj meje. Ironia e historisë bën që ju të përdorni pafund bojë të zezë për të nxirë Shqipërinë, por përpjekja juaj është butaforike”, tha ministri i Brendshëm.

Ai i ka kujtuar Bashës kohën kur drejtonte Ministrinë e Brendshme dhe ndodhi ngjarja e 21 janarit.

“Nuk do arrish kurrë të më shohësh si ty në 2011, që le 4 viktima në bulevard. Sa herë të tregosh gishtin butaforik drejt meje, kujto historinë ke 4 të vrarë, mbi 100 të plagosur 4000 në tentativë për t’i vrarë se iu lëshove plumbat mbi kokë qytetarëve”, tha Lleshaj.

Menjëherë ka replikuar Lulzim Basha.

“Kur gishti tregon Hënën, budallai tregon gishtin”, tha ai, duke ftuar ministrin të mësojë më mirë përmendësh skemat e propagandës qeveritare.

“E keni shndërruar Shqipërinë në Kolumbinë e Europës”, tha Basha, duke anashkaluar 21 janarin me ftesën për të pyetur “socialistët e Fierit dhe Burrelit”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google