MOS FALNI! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

MOS FALNI! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Në të gjitha kulturat, fetë dhe leksionet e qytetërimit, falja është hyjnore. Kështu thuhet e shkruhet për këtë gjest ose ndjenjë fisnike që ka mbajtur ekuilibrat e botës në shekuj. Por a duhet falur dhuna e dhunuesi?

Ajo një grua që punonte dhe mbante familjen. Nënë e tre fëmijëve të tij. Vetëm 42 vjeç, në moshën më të bukur e të mençur të një gruaje e nëne. Ai një dhunues sistematik mbi të pesëdhjetat, me një posesivitet dhe xhelozi të sëmurë. Ajo ulte kokën, nuk lejohej të dilte e nuk dilte, nuk lejohej të ishte femër e të kuronte veten e nuk e bënte. Ai vite më parë i kishte masakruar kafkën dhe ajo e kishte falur, për të disatën herë.

Vlorë, mesditë.

Një tmerr në një tmerr.

I shumti rast i dhunës së tmerrshme gjakatare ndaj gruas shqiptare, ndaj nënës së fëmijëve, ndaj vajzës së një babai e një nëne, motrës së një vëllai. Ajo e kishte falur, ai e vrau atë dhe faljen e saj hyjnore.

Në vendet Evropiane ka pasur raste të tilla, sigurisht, në përgjithësi gra emigrante, shumica edhe andej shqiptare. Falin për shumë arsye, sepse kanë panikun se nuk do të përballojnë dot jetesën e fëmijëve, kanë panikun se familja e origjinës nuk do t’i mirëpresë e mbështesë, kanë panikun se ai, xhelati, burracaku, një ditë do të hakmerret. Por ligji dhe kërbaçi i shtetit matanë kufirit rëndon fort dhe pavarësisht se ajo detyrohet të falë dhe tërhiqet, shteti e policia nuk tërhiqen. Dhunuesi përfundon pas hekurave gjatë.

Në këtë vendin tonë të vogël me dhunues shumë, sa shumë për kaq pak banorë, falja hyjnore e grave e vajzave sjell vetëm ekzekutimin e tyre. Është vetëm çështje kohe, muajsh ose pak vitesh.

A nuk duhet që edhe këtu, dhunuesit të mbeteshin pas hekurave edhe pas tërheqjes së partnereve, aq të brishta  e të dobëta pas shumë arsyeve? Jo vetëm që duhet bërë por është tashmë urgjente. Urgjente sepse dhunuesit janë shpesh ta paidentifikueshëm.

Jo gjithmonë dhunojnë hapur e në sy të botës.

Të bindur në të drejtën e tyre prej injoranti e të “mbrojtur” nga forca e psikopatisë, shpesh jashtë mureve të shtëpisë janë me kollare, me shkollë, me buzëqeshje. Brenda mureve dëshmitare të familjes, janë xhelatë e njerëz të pashpirt që ndihen meshkuj vetëm nëse shikojnë gjak e lot. Sa më shumë kjo t’u lejohet, aq më shumë shtohet, sa më shumë ata të falen, aq më pranë është vdekja e viktimës.

Falja është hyjnore por dhunuesit i kanë falur shpirtin djallit me vetëdije e jetojnë një ferr ku duan të të bëjnë pjesë.

Gra, nëna, motra, vajza! Mos falni!

As një shuplakë nuk falet, as edhe një presion psikologjik, asgjë që prek lëkurën tuaj dhe dinjitetin nuk falet! Jeta juaj, trupi juaj, personaliteti juaj është nga Zoti dhe familja juaj e origjinës, nga gjaku juaj, ndaj ju përket vetëm juve.

Mos falni e mos duroni! Sepse përndryshe fati që ju pret është dëshpërimisht i rëndë! Nuk ka dashuri që ja vlen përpara dhunës, dhunuesi nuk ndryshon, përkundrazi, nëse ju ka shtruar kurrizin më shumë se një herë, dobësinë tuaj do e shfrytëzojë më shpesh. Mos ua jepni atë falje hyjnore, janë vetëm kriminelë që fatkeqësisht ishin në rrugën tuaj përkohësisht.

“Kur dashuria do të thotë vuajtje, ne po duam shumë. Kur ne justifikojmë humorin e tij të keq, durimin e tij të pakët, indiferencën e tij ose e konsiderojnë dhunën e tij pasojë e një fëmijëri të palumtur dhe përpiqemi të bëhemi terapiste e tij, ne jemi duke dashur tepër. Kur marrëdhënia me të rrezikon mirëqenien tonë emocionale dhe ndoshta edhe shëndetin dhe sigurinë tonë, ne jemi patjetër duke dashur keq.”

Fjalët e psikoterapeutes Robin Norwood, të shkruara në vitin 1987 në SHBA në librin bestseller “Gra që dashuronin tepër”, tani pas 32 vitesh vijnë si një analizë shumë reale dhe e kthjellët se sa urgjente është për t’u theksuar se dhuna kundër grave duhet së pari të njihet si e tillë nga ata nuk janë në gjendje të perceptojnë diferencën midis ngrohtësisë dhe padrejtësisë, në mes të pasionit dhe abuzimit, në mes të dashurisë dhe vdekjes, ky konfuzion injorantësh është e para emergjencë me të cilën duhet të merret edhe ligji.