Ministrja Balluku inspekton punimet në Rrugën e Arbrit: Duhet cilësi dhe të përfundojë në kohë

Ministrja Balluku inspekton punimet në Rrugën e Arbrit: Duhet cilësi dhe të përfundojë në kohë
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar nga afër punimet në Rrugën e Arbrit.

Teksa u ndal në kantierin e urës së Vashës, e cila lidh tunelet T5 dhe T6, Balluku tha se cilësia e punimeve dhe respektimi i afateve janë kërkesat kryesore ndaj koncesionarit.

Rruga e Arbrit është një vepër shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të zonës. Gjëja më e rëndësishme është që duhet të përfundojë në kohë, duhet të përfundojë me cilësi. Konçensionari do të ketë vetë mirëmbajtjen e rrugës për 10 vjet, kështu që cilësia është absolutisht një nga kërkesat kryesore, por që dhe juve do tju duhet për vazhdimësinë. Shpresojmë të mbarojmë përpara afatit për tja dhënë shqiptarëve këtë arterie jashtëzakonisht të rëndësishme sa më parë në përdorim”, tha ministrja.

Pjesa e mbetur e Rrugës së Arbrit që duhet ndërtuar është 54 km, në të cilën koncesionari ka realizuar më shumë se 28% të punimeve.

Në bazë të kontratës rruga duhet të përfundojë brenda 44 muajsh.

/f.ç/Albanian Free Press Online/