Meta në SHBA: Po ndryshimit të kufijve, por drejt BE

Meta në SHBA: Po ndryshimit të kufijve, por drejt BE
Kreu i shtetit evidenton situatën pesimiste që gjendet BE: “Ne i kuptojmë vështirësitë që po kalon Bashkimi Europian. Megjithatë, jemi në solidaritet me partnerët tanë, si dhe kundër çdo lloj loje që mund të vërë në rrezik të ardhmen tonë të përbashkët evropiane”

Presidenti shqiptar, Ilir Meta, mori pjesë dje në Uashington të SHBA-ve, në Forumin “Transatlantic Leadership Network” të organizuar në Kongresin Amerikan. Forumi kishte si temë: “Ballkani Perëndimor: Si të kapërcehen pengesat në rrugën drejt Bashkimit Europian”.

Meta gjatë fjalës së tij, tha ndër të tjera se “ndryshimi i vetëm i kufijve, për të cilin duhet të punojmë ditë e natë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor!”.

Po ashtu Meta shtoi se shpreson që investitorë më seriozë europianë të sjellin kapitalet e tyre në sektorët strategjikë në ekonomitë tona, me garancinë se do të gëzojnë përparësi dhe mbështetje të plotë, ndërkohë që do të na ndihmojnë të ndalojmë largimin e popullsisë së vendeve tona”.

Ndryshimi i kufijve

Në fjalën e tij, z.Meta u ndal në faktin se kufiri europian është zgjeruar edhe më tej me anëtarë të rinj të Bashkimit Europian. Mali i Zi dhe Serbia po përparojnë në negociatat e tyre të anëtarësimit, të ndjekura nga Shqipëria dhe Republika e Maqedonisë Veriore që gjenden në prag të hapjes së bisedimeve të anëtarësimit. Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë në rrugë të mbarë, edhe pse po përparojnë me një ritëm më të ngadaltë.

Integrimi në Bashkimin Europian është edhe një proces paqeje, edhe një proces demokracie gjithashtu.

Meta theksoi më tej se pranimi i Malit të Zi në NATO dhe Marrëveshja më e fundit e Prespës, e nënshkruar dhe e vulosur tashmë, midis Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, kanë prodhuar në mënyrë sinergjike një optimizëm të ri në rajonin tonë.

Në këtë pikë ai vlerësoi se “ndryshimi i vetëm i kufijve, për të cilin duhet të punojmë ditë e natë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor!”.

“Me këtë gjë në mendje, - vijoi z.Meta, - aspiratat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut për të hapur negociatat e anëtarësimit dhe për të arritur ata që ndodhen në krye të garës, janë aq intensive sa edhe më parë”.

BE dhe investimet

Kreu i shtetit u ndal dhe në situatën pesimiste që gjendet BE: “Ne i kuptojmë vështirësitë që po kalon Bashkimi Europian. Megjithatë, jemi në solidaritet me partnerët tanë, si dhe kundër çdo lloj loje që mund të vërë në rrezik të ardhmen tonë të përbashkët evropiane”.

Kurse më tej u ndal tek investimet që i nevojiten vendi tonë dhe Ballkanit në tërësi: “Shpresoj që investitorë më seriozë europianë të sjellin kapitalet e tyre në sektorët strategjikë në ekonomitë tona, me garancinë se do të gëzojnë përparësi dhe mbështetje të plotë, ndërkohë që do të na ndihmojnë të ndalojmë largimin e popullsisë së vendeve tona”, - tha Meta.

“Historia e Bashkimit Europian, - vazhdoi ai, - ka treguar se ngrehina perëndimore u ka mbijetuar me sukses të gjitha sprovave dhe sfidave të ndryshme që dolën në fund të Luftës së Ftohtë. Thellimi dhe zgjerimi europian kanë ndodhur krah për krah, pa marrë parasysh dyshimet apo hezitimet, të cilat kanë qenë gjithmonë të pranishme”.