MES BUKËS DHE FABRIKËS – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

MES BUKËS DHE FABRIKËS – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Njëri ka qenë spiun në regjimin komunist para tre dekadave, ndërsa tjetri është kapur para katër a pesë vjetësh, duke urdhëruar ministrat e ‘tij’ që t’í grabisin pasurinë publikut dhe ta mbledhë për vete. I pari është ‘në burg’ sepse u kap duke vjedhur një fetë bukë, ndërsa i dyti- mbret.

Pas romanit ‘Të mjerët’ i Viktor Hygo, bota nisi të fantazojë sipas shkrimtarit të madh, derisa erdhi në pikën që: ‘Kur vjedh një bukë- të fusin në burg, ndërsa kur vjedh një fabrikë- të bëjnë mbret”. ‘Spiuni’ ynë është një prokuror, quhet Bujar Sheshi, ndaj të cilit këto ditë është ngritur më këmbë një mal i tërë sepse në një letër është gjetur që paska qenë ‘spiun i Sigurimit’. Gjatë periudhës kur i dyti, që perceptohet se ‘ka vjedhur fabrikën’ ndodhej nën hetim për krimin e grabitjes së pasurisë publike me anë të ministrave të partisë së tij, Sheshi ishte prokuror i çështjes, që kërkoi ndëshkimin me burg të ‘mbretit’. I dyti, që është kapur siç kapen me video sot të gjithë abuzuesit me ligjin e me seksin nëpër emisione investigative, tani është i ndershëm dhe në postin e presidentit të Republikës.

Atëherë kthehemi në vitet e shekullit 19, kur lindi romani ‘Të mjerët’.

‘Zhani’ i tanishëm që quhet Bujar Sheshi, sigurisht që mban mbi shpinë një faj: Paska qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. ‘Zhani’ i romanit u dënua me burg, u përball me policët më të pashpirt, u detyrua të arratiset nga burgu dhe përsëri të bjerë në faje të llojit të ‘bukës së gojës’. Ndërsa i dyti që ‘vodhi fabrikën’ përballet përditë me aureolën e mbretit të vendit, në zyrë i hyjnë e i dalin ambasadorë mbretërish dhe presidentë shtetesh; te porta e presin ushtarët më të bukur të Gardës së Republikës, pastaj makina më e shtrenjtë, dhe në fund e drejta e tij që të aktivizojë ‘studentë’ për një masakër tjetër mbi paqen e vendit. Njësoj si Zhani i Hygoit (ose Bujar Sheshi),- edhe i dyti, ka vazhduar me të njëjtin lloj faji: Ai është bërë shkak që në 21 Janar 2011 të vriten me armë shtetërore katër persona në Bulevardin e Madh, gjatë një proteste kundër videos. Viktimat i luteshin që nga parajsa: ‘Jipe dorëheqjen nga mbretëria që të mos vdesim ne!’

Nuk kam aspak qëllimin për të bërë krahasimin ‘cili është krim më i madh’; as për të thënë se presidenti i Republikës është ‘in compliance’ me liderë të tjerë në opozitë apo në mazhorancë për të rrëzuar Drejtësinë. Se po të bëja këtë, do të thotë se nuk lë asnjë thërrime dritë shprese për njerëzit normal.

Por mund të bëhen disa pyetje:

Cili krim na prek sot; ky që zyrtarë të lartë na vjedhin ‘fabrikën’ e bukës së gojës, apo që një 18 vjeçar, para një gjenerate, paska emrin në një listë ‘bashkëpunëtorësh’ sigurimsash? Nëse mbetemi duke shikuar për nga periudha e frikshme e kaluar, atëherë jemi duke kryer ndaj vetes mëkatin që jetojmë atë kohë e nuk jetojmë ditën sot. Në këtë rrugë na cysin ata; na cysin fajtorët e ‘fabrikës’ me qëllim që të mos shikojmë çfarë po na grabisin nga dita e sotme. Ne prapë mbetemi kontingjent për në burg ‘për fetën e bukës’. A mund të jenë kaq të marrë njerëzit?...

Pyetje tjetër:

Për çfarë na duhen sytë tanë? A na duhen për të parë se çfarë ndodh sot me ne, rreth nesh, me jetën e ditës, apo për të dëgjuar çfarë ‘ata të fabrikës’ na thonë se kanë parë ‘me sytë e tyre’. Ata paskan parë një adoleshent duke spiunuar shokët - e shumta. Efekti i këtij djaloshi nuk vjen as në kuzhinat tona, as në periudhën e pushimeve, as në mirëqenien e njerëzve. Kjo iu nevojitet atyre që falen para Perëndive të Vdekura, sepse u duhen për të sunduar humanët e gjallë.

Pyetje e tretë:

A do të shërbente Bujari, nëse ‘nuk do të kishte vjedhur një fetë bukë’? Ndjesë për dinjitetin e tij që po e nëpërkëmbin, por më qartë është: A do të ngjitej deri në KLP-në e Reformës së Drejtësisë, zoti Bujar Shehsi, nëse nuk e dinin se ishte spiun?... Jo, kurrë. ‘Vjedhësit e fabrikave’ nuk mbajnë kurrë afër njerëz pa defekte të mëdha dhe pa vese: Ose hajdutë, ose trafikantë, ose spiunë, ose përdhunues... Gjithë historia politike e pluralizmit politik- këtë gjë ka dëshmuar. Qysh prej fillimit të pluralizmit, Partia Demokratike në Opozitë, u përfol si grupim ku presidenti Alia kishte sjellë këtu gjithë spiunët. Në fillim na u duk një thënie idiote, por më vonë doli e vërtetë: Kudo kishe spiunë, të cilët pastaj u morën në qeveri, në Kuvend, në këshillim..., kudo, kudo, askush tjetër. Edhe Partia Socialiste, që buron direkt nga Partia Komuniste ( jo anash- si partia tjetër), mezi pret që të sjellë në majë të pushtetit bijtë e më të këqijve nga diktatorët, sigurimsa, njerëz të dalë boje... Bujar Sheshin e sollën të dy palët me qëllim që një ditë ta ‘digjnin’ për të shpartalluar Reformën e Drejtësisë.

Dhe më në fund:

Sa ‘Zhanë’ kemi mes nesh sot? Sa ‘spiunë’? Sa ‘vjedhës fabrikash’?... Përgjigja e vërtetë ndjell frikë. ‘Zhanë’ si Zhani i Hygoit mund të numërohen rreth 3 milionë frymë; këta që nesër mund t ‘i burgosësh nëse ka burgje, sepse ta vjedhin bukën sapo të dalë nga furra. Sa spiunë? Tani që është stimuluar spiunllëku me video, me media, me parti, etj., mund të jenë të gjithë ‘Zhanët’- edhe spiunë. Por gjatë periudhës së komunizmit ishin numëruar rreth 120 mijë vetë. Këta 120 mijë sot nuk bëjnë asgjë të keqe... Po ‘vjedhësit e fabrikave’? Këta janë tre a katër, por kanë në dorë pasurinë e dy të tretave të frymorëve që bëjnë hije në këtë vend. Por këta duhen, duhen ose përdoren. Opozita po përgatit një protestë për 16 shkurt dhe i bën thirrje popullit të ‘ngrihet’. Populli janë ‘Zhanët’, të cilët do të ngrihen kundër ‘zhanëve’.

Asgjë tjetër nuk ndodh. ‘Zhanët’ prapë e kanë vendin në burg, sepse kanë barkun për bukë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press