Mbushi 27-vjeç! Sa i madh është Neymar?

Mbushi 27-vjeç! Sa i madh është Neymar?
Lionel Messi e Cristiano Ronaldo janë dy heronjtë e mi. Nëse marr nga pak tek secili prej tyre, do të isha shumë më i lumtur,” thotë ylli brazilian, me ambicie për të bërë lojtari më i madh në botë

Nga Aranit Muraçi

I vlerësuar si më i mirë se Lionel Messi nga i madhi Pele, Neymar mbushi më 5 shkurt 27-vjeç. Por ai e festoi këtë përvjetor i dëmtuar. Karriera e tij është ende e gjatë dhe përballë emrave të shquar në histori si Pele, Maradona apo Krujfi, emrave aktualë, si Mesi e Ronaldo, a mund të bëhet ai futbollisti më  i madh në botë?

“Nuk ka presion, kur dëshiron që një ëndërr ta bësh realitet,” – thotë Neymar. “Erdha në Paris, që të bëhem lojtari më i mirë në botë dhe të kthej PSG në klubin më të madh në botë, ku përfshihet triumfi i Champions League.” Ai është modest kur krahasohet me rivalët e tij. -  “Lionel Messi e Cristiano Ronaldo janë të dy heronjtë e mi. Nëse marr nga pak tek secili prej tyre, do të isha shumë më i lumtur.” Neymar e konsideron veten me fat që ka luajtur krah emrave të mëdhenj te Barcelona, si Messi Xavi, Iniesta, Piqué, apo Dani Alves.

Vlerësimi i të tjerëve

Ai mund të bëjë çfarë dojë, gjithçka është e mundur për të. Është i shpejtë, i shkathët, dhe i jashtëzakonshëm”, është vlerësimi i Lionel Messi, ish-shok skuadre te Barcelona. - “Më pëlqen  Neymar shumë. Ai më ngjan pak mua. Mund të jetë ai pasuesi i Messi? Po, ka gjithçka i duhet për t’u bërë po aq i fortë sa ai,” u shpreh Cristiano Ronaldo, sulmuesi i Juventus.

Talenti francez, Kylian Mbappe, sulmuesi i Parisit dhe shok skuadre me Neymar, thotë: Njerëzit e shohin atë kur driblon dhe luan bukur dhe mendojnë se ai po përpiqet të gëzojë veten, apo është egoist. Por nëse e takon në dhomat zhveshjes, kupton se kush është në të vërtetë. Është aq i dashur, sa interesohet për të gjithë të tjerët.”

Roberto Carlos, ish-futbollisti Brazilian i Real Madrid: “Kur më kanë pyetur për Messi apo Cristiano, thashë Neymar është më i miri për mua. Jo vetëm për golat, por për mënyrën dhe besimin që ai luan në fushë.” Ernesto Valverde, trajneri i Barcelonës: Nëse Neymar vendos të kthehet? Do të bëja dyfish përpjekje!” – theksoi trajneri Ernesto Valverde, i Barcelonës.

Ngjitja në famë

Neymar vizitoi Real Madrid kur ishte adoleshent dhe luante me Santos, kohë para se t’i bashkohej rivalëve spanjollë të Barcelonës. Në moshën 17-vjeçare,  Uest Ham e  Chelsea bënë përpjekje për të sjellë atë në Europë. Neymar shënoi dy gola për Santos në finale dhe ngriti Kupën Libertadores në vitin 2011, hera e parë kjo për ekipin e tij që fitonte trofeun e baraz-vlefshëm për Champions League, që pas triumfit të vitit 1963, kohë kur luante Pele.

Një turmë me 56,500 tifozë ishin të pranishëm në “Camp Nou” për t’i uruar mirëseardhjen Neymar, kur firmosi me Barcelonën në vitin 2013. Messi e përgëzoi me fjalët: Ai është më i ri dhe më i gëzueshëm. Djalë pa komplekse, jeton i lumtur.” Neymer shënoi golin e parë në “Clasico”, në suksesin  2-1 kundër Real Madrid, më 26 tetor 2013. Edhe pse dështoi të shënonte në pesë ndeshjet e para të Champions League, ai shpërtheu me një tripletë nga gjashtë të tilla që shënoi me Barçën, në fitoren 6-1 kundër Celtic, më 11 dhjetor më 2013. Neymar u bë i pari person që shënoi edhe në Kupën Libertadores dhe në finale të Champions League, pas fitores së Barcelonës 3-1 kundër Juventus, në vitin 2015. Gjithashtu ai iu bashkua Messi e Ronaldo, si tre nga golashënuesit më të mirë të këtij kompetiiconi. Me Messi e Suarez, Neymar vendosi një rekord në Spanjë duke kombinuar në total plot 122 gola gjatë sezonit 2014/15. Arriti në kuotën e 100 golave me Barcelonën në ndeshjen e 177-të, kundër Granada, në fitoren 3-1, më 2 prill 2017.

Neymar kaloi te Paris Saint Germain për 222 milionë euro, duke u bërë lojtari më i shtrenjtë i historisë, rekord që mbetet ende i pathyeshëm. - “Tani ne duam të ndihmojmë Neymar, të bëhet lojtari më i mirë në botë”, u shpreh trajneri Unai Emery, pas blerjes së tij. Debutoi me gol më 13 gusht 2017, kundër Guingamp në fitoren 3-0. Kulla “Eiffel” u ndez për nder të Neymar më 20 gusht dhe ai nuk zhgënjeu, duke shënuar dy gola në fitoren 6-2 kundër Toulouse. Ndërkohë trajneri Brazilian Dunga injoroi një peticion prej 14,000 tifozësh që kërkonin ta përzgjidhte në formacionin e finaleve të Kupës së Botës, 2010. Konsiderohej shpresa e madhe, por u dëmtua në finalet e Kupës së Botës “Brazil 2014”, duke humbur ndeshjen gjysmëfinale me Gjermaninë, të cilën Brazili e humbi 7-1 dhe mbeti pa trofe. Neymar shënoi golin më të shpejtë në historinë e futbollit të një Olimpiade, në fitoren 6-0 të Brazilit kundër Honduras në çerekfinalet e 2016-ës, pas 14 sekondave.

 

Rekordet personale

Po udhëheq Parisin drejt sukseseve të munguara në UEFA Champions League teksa Franca suksesin më të madh e ka shënuar me Marseille në vitin 1992/93. Bëhet golashënuesi më i mirë brazilian në kompeticionet e UEFA-s, me 32 gola. Është shumë pranë shifrës 100 ndeshje me Kombëtaren. Vetëm 6 lojtarë të tjerë e kanë arritur deri tani: Cafu (142), Roberto Carlos (125), Dani Alves (105), Lúcio (105), Claudio Taffarel (101) and Robinho (100). Por Neymar u bë një nga golashënuesit më të mirë në historinë e Brazilit, me 60 gola deri tani. Pele është i pari me 77 gola, Ronaldo i dyti me 62 gola. Cafu thotë: të gjithë rekordet thuhet, ai është i ri. Arritjet personale ia dedikon edhe ish-trajnerit të tij te Barcelona, Josep Guardiola. “Guardiola është një djalë që e admiroj shumë dhe më pëlqen të punoj me të.”

Të veçanta

Neymar ka shumë “tato” disa prej të cilave lidhen me familjen, ka tatuazh me motrën e tij Rafaella në krah, apo me emrin e fëmijërisë së tij, Davi Lucca, në kofshë.

Një restorant në Vincennes, pranë Parisit, krijoi “Neymar Burger” në nder të tij. Përbërësit: biftek, patate, proshutë, salcë, domate, sallatë, qepë dhe një mënyrë anësore me patate franceze.

Qeni i tij “Poker” e ka marrë emrin nga loja e tij e preferuar.

Pseudonimi i tij “Batman” te Barcelona lidhet me karakterin komik “Marvel” për aventurat pas mbrëmjes.

 

Rekordet

Me Brazilin:  96 ndeshje, 60 gola

Në Kompeticionet e UEFA-s: 53 ndeshje, 32 gola

Kompeticonet Europiane: 186 ndeshje, 121 gola