Mazhoranca i bindet Metës, heq dorë nga ligji për Kadastrën që kaloi me vota e saj

Mazhoranca i bindet Metës, heq dorë nga ligji për Kadastrën që kaloi me vota e saj
Meta do të ketë mundësi sërish të shprehet me dekret mbi këtë nismë ligjore që do të rishikohet

Mazhoranca vendosi dje të bashkojë votat me opozitën dhe të pranojë dekretin e Presidentit Ilir Meta për të rrëzuar ligjin e ri për Kadastrën. Ky ligj ishte përgatitur nga qeveria dhe u miratua para disa javësh me votat e mazhorancës në Parlament. Presidenti e refuzoi dekretimin e tij duke e konsideruar antikushtetues dhe vendosi ta rikthejë në Parlament.

Komisioni parlamentar i Çështjeve Ligjore miratoi kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit Për kadastrën, duke pranuar në këtë mënyrë të gjitha arsyet ligjore dhe kushtetuese të Kreut të Shtetit. Bledar Dervishaj, përfaqësues i Presidencës, tha se disa dispozita të veçanta të ligjit “Për kadastrën” krijojnë tension kushtetues, nuk janë në përputhje me jurisprudencën kushtetuese si edhe bien ndesh me dispozitat e Kodit Civil. “Presidenti ka konstatuar se disa dispozita të këtij ligji bien në kundërshtim me legjislacionin bazë të së drejtës civile të Republikës së Shqipërisë dhe cenojnë parimin e sigurisë juridike”, - tha Dervishaj. Relatorja e ligjit, Klotilda Bushka në lidhje me arsyetimet e paraqitura në dekretin e Presidentit u shpreh se nuk qëndrojnë, pasi siguria juridike ka të bëjë me garancitë që u jepen qytetarëve. “Argumenti i Presidentit nuk qëndron, për arsye se ligji për kadastrën parashikon krijimin dhe ngritjen e Agjencisë shtetërore të Kadastrës si organ përgjegjës për procedurat e regjistrimit të pasurive, si edhe për realizimin e regjistrimit të titujve të pronësisë, të cilët rrjedhin nga një legjislacion kuadër për çështjet e pronësisë dhe konkretisht krijohet si shkrirje e funksioneve të ALUIZN-it, ZVRPP dhe Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike”, tha ndër të tjera Bushka. Ajo propozoi miratimin e dekretit të presidentit dhe gjithashtu propozoi disa rregullime në nene të veçanta të tij.

Pranimi i dekretit do të thotë rrëzim i ligjit, ndaj dhe referuar Kushtetutës, tek Presidenti duhet dërguar sërish për dekretim ligji i ri që Kuvendi do të miratojë. Tani i ngelet seancës plenare të vendosë përfundimisht se deri në çfarë thellësie dhe cilësie do të shkojë përmirësimi i kësaj iniciative të re ligjore, të konstatuar si antikushtetuese nga Meta.

Meta do të ketë mundësi sërish të shprehet me dekret mbi këtë ligj të ri, duke verifikuar kështu në mënyrë të hollësishme, nëse janë ndrequr të gjitha gabimet dhe shkeljet Kushtetuese të konstatuara prej tij në ligjin “Për kadastrën” të kthyer për rishqyrtim.

Kjo është e disata herë që mazhoranca përballet me kthim ligjesh nga Presidenti, i cili disa herë ka konstatuar nisma antiligjore dhe antikushtetuese.