Maqedonia nënshkruan Protokollin për anëtarësim në NATO

Maqedonia nënshkruan Protokollin për anëtarësim në NATO
NATO-ja e nënshkroi Protokollin me Republikën e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e kësaj të fundit në Aleancë, si vendi i tridhjetë. 29 ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s e nënshkruan Protokollin, i cili i lejon zyrtarëve të Shkupit të marrin pjesë në çdo seancë dhe organizim të Aleancës Veriatlantike në Bruksel, por ende pa të drejtë vote.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha gjatë ceremonisë se ky është fillimi i procesit të ratifikimit, ndërsa shpresonte se do të vazhdojë pa pengesa për ta ftuar Shkupin si anëtar fuqiplotë të Aleancës. “Ju do t’i vazhdoni reformat, ndërsa NATO do të japë mbështetje dhe ndihmë. Prej sot, përfaqësuesit tuaj do të na shoqërojnë në këtë tryezë dhe do të ftohen për në takimet e NATO-s”, theksoi ai. Zoti Stoltenberg shprehu mirënjohje për guximin, siç tha të Kryeministrave Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjithashtu tha se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të sjellë më shumë qëndrueshmëri dhe siguri në rajon.

Ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov i cili e nënshkroi Protokollin si përfaqësues i Maqedonisë së Veriut theksoi angazhimin e gjeneratave të tëra për arritjen deri tek kjo ditë. Ai tha se kjo ndodhi pasi “Kryeministrat Zaev dhe Tsipras e shtruan rrugën për këtë synim dhe pajtim dhe se dëshmuan që e pamundura është e mundur”. “Për Maqedoninë, NATO-ja paraqet kalimin e vijës së sigurisë dhe ajo është një familje shtetesh për siguri, qëndrueshmëri dhe që ka për qëllim ta bëjë botën më të qetë për ta jetuar”, tha ministri Dimitrov.

Para anëtarësimit të plotë, secili vend anëtar i NATO-s duhet ta ratifikojë protokollin. Greqia pritet të jetë vendi i parë që do t’i japë dritën jeshile fqinjit të saj për anëtarësim në Aleancën e NATO-s, pasi kishte bllokuar rrugët e integrimit të Maqedonisë për gati tre dekada, për shkak të problemit të emrit Maqedoni, me që një rajon në Greqinë veriore e mban të njëjtin emër dhe për shkak të pretendimeve të mundshme të Shkupit ndaj territorit dhe historisë greke. Parlamenti grek pritet ta ratifikojë protokollin të premten.

Pas kësaj, Marrëveshja e Prespës e arritur më 17 qershor, 2017, përkatësisht emri Republika e Maqedonisë së Veriut hyn në fuqi dhe në përdorim zyrtar. Shkupi do ta njoftojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare për emrin e ri dhe t’u kërkojë atyre që ta përdorin atë. (VOA)