Malvina Tuci: Ndjesia, kur të vjen një telefonatë nga Kombëtarja

Malvina Tuci: Ndjesia, kur të vjen një telefonatë nga Kombëtarja
Intervista/ Malvina Tuci pas suksesit të Kombëtares, vitin 2018 e përmbledh me 3 fjalë: Emocion, sfidë dhe gëzim. Aktualisht pjesë e Partizanit, volejbollistja kuqezi flet për ambiciet e vitit 3019

Volejbollistja e Kombëtares shqiptare të Volejbollit të femrave, Malvina Tuci, ky sezon e ka gjetur pjesë të skuadrës kampione në fuqi, Partizani. Pas suksesit të vitit të kaluar me Kombëtaren, në një intervistë për “Albanian Free Prees”, flet për përvojën e re që ka nisur në kryeqytet..si dhe për jetën e përditshme me politikën apo me jeta e saj private.    

Intervistoi për “Albanian Free Press”, Aranit Muraçi

Malvina, a mund të përshkruani ndjesinë që ka një volejbolliste e cila përfaqëson ekipin Kombëtar të Volejbollit të Shqipërisë? 

Volejbolli ka qenë një dëshirë e imja që e vogël, dëshirë e cila rritej çdo ditë me mua. Është një ndjenjë aq e bukur, saqë kur luan gjithmonë kërkon të japësh më të mirën tënde, të bësh sa më pak gabime, të ndihmosh grupin e të  triumfosh në fund. Kërkon të fitojë skuadra jote dhe në fund të ndeshjeve, nuk ndihesh e lodhur, por përkundrazi shumë e lehtësuar, e kënaqur dhe e gatshme për t’u stërvitur për ndeshjen e radhës. Ky është pasioni. E kështu ikin vitet e nuk të bën më përshtypje kjo gjë. Kur je mësuar me disiplinë të tillë, jeta vazhdon, rrjedh si pa e kuptuar. Por kur të vjen një telefonatë nga trajneri i ekipit Kombëtar, është një tjetër ndjesi. Ti  qëndron dhe i bën pyetje vetes: A jam gati për një përgjegjësi të tillë? Ndjej njëkohësisht kënaqësi, por edhe shumë përgjegjësi. Kur vesh fanellën e Kombëtares e ndjen që ke mbi supe një flamur për të përfaqësuar dhe që nuk  je më vetëm ti dhe  vetja jote,  por ke një komb të tërë pas. Të përfaqësosh kombin tënd në kompeticione ndërkombëtare është nder i madh. Është një emocion,  kënaqësi, dhe përgjegjësi shumë e madhe.

Kombëtarja e Volejbollit të Femrave shënoi disa rezultate të kënaqshme gjatë vitit të kaluar. A ishte kjo periudhë një moment krenarie për ju dhe vajzat e tjera të volejbollit?

Absolutisht që po. Mendoj se çdo sportist do ndiente krenarinë që ishte pjesë dhe luante për Kombëtaren e vendit të tij. Për mua jo vetëm krenari, por edhe shumë e lumtur që isha pjesë, sidomos e asaj Kombëtareje në atë kompeticion që zhvilluam në Suedi, ku edhe u vlerësuam me medalje bronzi. Ekipi ynë u përpoq të jepte maksimumin, sigurisht që mund të arrinim edhe rezultate më të mira por...duhet të dimë një gjë: që sporti është luks, e që të mos arrish vetëm “disa” rezultate kërkon edhe investime. Sa do që të kesh talent, asnjëherë nuk ja del dot pa investuar dhe pa i dhënë rëndësinë e duhur. Sidomos kur bëhet fjalë për gara ndërkombëtare.

Si do ta përmblidhnit vitin 2018, në karrierën tuaj personale, sidomos me ekipin Kombëtar?

Do ta përmbledh me 3 fjalë: Emocion, sfidë dhe gëzim.

Viti 2019-të si ka nisur?

Për mua ky vit ka nisur për së mbari. Këtë sezon po luaj për ekipin e Partizanit. Partizani sezonin e kaluar u shpall kampion. Dhe këtë vit synojmë që të mbrojmë titullin kampion. Mendoj se është  më e vështirë dhe më e rëndësishme të ruash titullin sesa ta fitosh atë. Ekipi është i kompletuar më së miri. Kemi krijuar një grup aq të mirë, sa kjo gjë dallohet jo vetëm në fushë, por dhe jashtë saj. Harmonia dhe serioziteti në grup janë elementë shumë të rëndësishëm që një ekip të ketë rezultate të mira. Ne po punojmë çdo ditë, aq shumë, që puna në fund të na shpërblehet.

Përveç volejbollit, jeni edhe mësuese e Edukimit Fizik, në një shkollë private. A shihni në shkollë të ketë pasion të mjaftueshëm nga të rinjtë për sportin?

Sot problemi i të rinjve është interneti, rrjetet sociale, e lojërat elektronike, jo vetëm në Shqipëri, por ky është fenomen global. Pjesa më e madhe janë shumë pasivë dhe nuk kanë shume interes. Kjo nuk është aspak e mirë për brezin që po rritet. Kur prindërit janë të përgjegjshëm, të përkushtuar apo u japin vëmendjen e duhur fëmijëve, ndodh që të regjistrohen që të vegjël në  ndonjë ekip sportiv.  Në shkollë ekzistojnë kushtet për aktivitete të ndryshme sportive, ka dhe fëmijë që e pëlqejnë sportin. Ne kemi në shkolla ambiente sportive si pishinë, kalceto,  basketboll, volejboll, tenis, pingpong madje luajmë edhe shah. Nëse ne do të dimë t’i orientojmë fëmijët si duhet, ata do ta pëlqejnë gjithmonë e më shumë sportin dhe kjo do të ishte dobia më e mirë për një shoqëri më të mirë e më të shëndetshme nesër.

 

A ndiqni politikën, a keni ndonjë politikan të preferuar dhe cilat mendoni se janë raportet e sportit me të në vendin tonë?

Politika është gjëja e fundit që mendoj, sidomos me këtë klasë politike që ne kemi. Por mund të them se duam apo s’duam ne, ajo ndikon në jetën tonë ose për mirë ose për keq. Prandaj nuk mund të jemi indiferentë ndaj saj. Shpesh politika mundohet të kapë sportin ose ta përdorë atë për të arritur qëllimin e saj në zgjedhje dhe kjo është thjesht “politikë e gabuar për sportin”. Sa herë kjo ndodh, nuk sjell asgjë pozitive. Politika duhet të jetë e ndarë nga sporti dhe në dobi të sportit, pra t’i shërbejë atij dhe jo e kundërta, siç ka ndodhur dhe ndodh rëndom...

Cila është mbështetja juaj më e fuqishme në karrierë?

Familja është gjëja më e  rëndësishme që kam. Më kanë mbështetur dhe më kanë ndjekur në çdo hap timin. Pa ato nuk do isha kjo që jam, apo edhe për arritjet që kam.

A keni ndonjë person të veçantë në jetë, me të cilin do të donit apo i ndani sukseset?

Sukseset e mia i kam ndarë me familjen dhe miqtë e mi.

Karriera e Malvina Tucit:

Ditëlindja: 03.09.1991

Vendlindja: Rrëshen

2005-12: Minatori

2012-13: UMB (Universiteti Marin Barleti)

2013-15: Partizani

2015-18: UMB

Sukseset

2010-11: Fituese e kupës së Republikës (Minatori)

2010-12: Dy herë kampione e Shqipërisë (Minatori)

2015-16: Kampione e Shqipërisë, fituese e Kupës së Republikës, fituese e kupës së Federatës (UMB)

2016-17: Kampione e Shqipërisë, fituese e Kupës së Republikës, fituese e kupës së Federatës (UMB)

2018-aktualisht (Partizani)

Kombëtarja: Prej vitit 2007