Lulzim Basha-qytetarëve sot në Fier: Ejani më 16 shkurt t’i hedhim qeverisë armët e fundit në Lanë

Lulzim Basha-qytetarëve sot në Fier: Ejani më 16 shkurt t’i hedhim qeverisë armët e fundit në Lanë
Opozita nuk do të ndalet deri në largimin e qeverisë.

Basha ftoi banorët t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit. Kryetari i Opozitës tha se propaganda është arma e fundit që i mbetur e qeverisë, dhe prandaj i ftoi të vijnë në Tiranë e të protestojnë për t’ia hedhur një herë e mirë këto “armë” në Lanë.

“Dëshpërimi, humbja e shpresës, dyshimi, mosbesimi, janë armët e fundit të kësaj bande në pushtet. Ne ju ftojmë me 16 shkurt të vini të gjithë në Tiranë dhe t’ja hedhim në Lanë këto armë, bashkë me propagandën, në mënyrë që të gjithë së bashku të rindezim motorët e ekonomisë, të rindezim motorët e mirëqenies, përmes lirive, mundësive dhe punësimit, që do t’i bëjmë realitet me planin tonë ekonomik,” u shpreh Basha

Më tej kreu i opozitës u ndal dhe  në Frakull, në një bashkëbisedim me banorë dhe fermerë të zonës ku edhe premtoi një paketë me taksa të ulëta dhe subvencione për ta, sikurse i ftoi të vijnë e të protestojnë më 16 shkurt kundër qeverisë.

Fermerët e pranishëm iu ankuan kryetarit të Partisë Demokratike për mungesë tregu dhe kosto të larta për shkak të mungesës së subvencioneve. Si premtim Basha tha se sapo të marrë qeverinë dy hapat e menjëhershëm për bujqësinë janë: subvencionim 150 milionë dollarë në vit  dhe shkatërrim i rrjetit të oligarkëve e monopolistëve, që janë shkaku kryesor i fatkeqësisë së çdo prodhuesi në vend.

“Ne, mjete politike, veç zgjedhjeve, për të ardhur në pushtet, nuk kemi. Por zgjedhje të lira e të ndershme me Niçen, me Gjushin, me Ramën, nuk ka. Kjo është arsyeja që ju kemi thirrur në një protestë në 16 shkurt. Sepse këtë zgjidhje mund ta jepni vetëm ju si popull. Nuk ju kam thirrur për të mbajtur fjalime më 16 shkurt. Nuk kam çfarë t’ju them më,” nënvizoi kreu i PD-së, sot në Fier.