Lavdia e sportit dje, sot pa histori! Ish-trajneri i Kombëtares: Ne edhe pronat i kërkojmë në Turqi

Lavdia e sportit dje, sot pa histori! Ish-trajneri i Kombëtares: Ne edhe pronat i kërkojmë në Turqi
“Si komb na mungon kultura për të ruajtur me fanatizëm të kaluarën dhe historinë tonë në futboll. Por jo vetëm në sport, prej saj edhe sot shkojmë e kërkojmë pronat tona në Turqi apo Angli!”

Bejkush Birçe, për “Albanian Free Press”,  pas mbylljes së karrierës së tij të gjatë dhe të artë ka një peng: Nuk kemi pasur qoftë edhe një fotograf për ndeshjet historike që t’i kujtojmë sot

Nga Aranit Muraçi

Si komb, ne shqiptarët nuk kujdesemi edhe aq shumë për të kaluarën tonë. Nisur nga kjo traditë duket sikur ne nuk duam të mësojmë nga historia dhe momentet tona më të lavdishme. Pse nuk duam të ruajmë e të kujtojmë me nostalgji çdo moment dhe pjesë të historisë sonë të lavdishme, në sport, apo në çdo fushë tjetër?! Jemi treguar krejt të shkujdesur për t’i ruajtur me fanatizëm momentet e rralla që mund t’iu vlejnë brezave të tanishëm e të ardhshëm, si një model suksesi. Vendet e tjera të zhvilluara, kurrsesi nuk veprojnë njësoj. Por edhe ato rajonale, rreth nesh, vështirë se mund të kenë pasur të njëjtën shpërfillje dhe neglizhencë.  Sportit më popullor të vendit tonë, futbollit, i  mungon arkiva. Klubet tona as që bëhet fjalë të kenë edhe sot një të tillë. Ku dhe si mund të gjenden momentet historike të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, të klubeve tona të futbollit, që ky brez apo brezat e ardhshëm të kenë një model, të ndjekin një rrugë, që të dinë nga vijnë ku janë dhe ku po shkojnë...

Në historinë e tij të gjatë e të lavdishme për episode të papërsëritshme që rrëfeu ekskluzivisht për “Albanian Free Press”, si trajner i Partizanit, Flamurtarit, Teutës, Dinamos dhe Kombëtares kuqezi, Bejkush Birçe, ka edhe një peng. Bëhet fjalë për mungesën e arkivës. Nuk janë ruajtur pamje filmike, apo foto nga ndeshjet më të bukura e sukseset e rralla të disa prej ekipeve tona elitare, apo edhe atij Kombëtar, në përfaqësimet ndërkombëtare. - “Na mungonin fotografët edhe në ndeshjet brenda fushës. Por nuk besoj se ka qenë problemi kryesor ai i kohës, sepse edhe më parë edhe sot ne nuk kujdesimi për të pasur arkivë. Nëse nuk do të ishte e mundur të kishim pamje filmike, siç ndodh me vendet e tjera, ndoshta një fotograf duhet të ishte gjithnjë pas ekipit, në çdo ndeshje të paktën me  rëndësi. Nuk ka ndonjë kosto nga rëndësia dhe vlerat e historisë, sidomos kur bëhet fjalë për ekipin Kombëtar. Fatkeqësisht nuk kemi asnjë foto apo dokument në shumë prej ndeshjeve, që kemi luajtur jashtë dhe sot jemi pa arkivë. Nuk e kemi të arkivuar pjesën më të madhe të së shkuarës sonë. Trishtim!”, thotë Birçe.

Ngase vjen mungesa e dëshirës që të ruajmë të kaluarën tonë? Kur ka ndodhur e kundërta me vendet dhe ekipet e tjera me të cilat jemi ndeshur. Shqipëria dhe ekipet tona ndodh që sot të kërkojnë të kaluarën, nëpër arkivat që kanë ruajtur vendet e tjera me të cilët është përballur. Kjo sepse ato në kulturën e tyre e ruajnë me fantazim të kaluarën e tyre, sidoqoftë ajo. Pothuajse çdo klub, apo ekip përfaqësues, dokumenton në arkivë çdo ndeshje. “Është çështje kulture. Më vjen keq që  ekipeve që kam drejtuar u ka munguar qoftë edhe një fotograf. Por ne edhe pronat sot i kërkojmë në Turqi e në Angli, sepse nuk kemi pasur kulturën për t’i arkivuar ato, në vendin tonë”, shprehet Birçe, një ndër ikonat e futbollit shqiptar.

Shqipëria ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në të kaluarën e saj. Barazimi 0-0 me Gjermaninë Perëndimore në kualifikueset e Europianit ’68 la jashtë kompeticionit të atij viti ekipin që në dy edicionet e ardhshme, do të shpallej kampione e Botës dhe e Europës. Prej Shqipërisë mbeti jashtë në dështimin e vetëm ndërkombëtar një brez i artë, udhëhequr nga legjendari Franc Bakenbauer. Ka pak momente të fiksuara nga kjo ndeshje historike për kuqezinjtë. Për Shqipërinë ishte koha e Panajot Panos, arkiva e të cilit gjendet me ndonjë foto të rrallë si te klubi Partizani, ashtu edhe në FSHF. Por edhe fitorja 2-0 me Belgjikën në mesin e viteve ’80, ishte gjithashtu historike për Shqipërinë. Arkiva sërish mungon! Mungon një album në FSHF, me foto dhe pamje filmike, të ndeshjeve historike të Kombëtares shqiptare, edhe në fund të viteve ’90, por edhe gjatë viteve të tranzicionit. Mund të imagjinohet për ndeshjet e tjera. Mungojnë pamje dhe foto të Kombëtares shqiptare, edhe pas ’90. Emra të mëdhenj të futbollit tonë, trajnerë të jashtëzakonshëm, që karrierën dhe jetën e tyre dhe e shkrinë në fushë, dhuruan emocione të jashtëzakonshme, por fatkeqësisht mbeten emra, me ndonjë foto të rrallë.

Ato pak foto që janë shkrepur në disa nga ndeshjet historike të Kombëtares sonë, apo të Flamurtarit në përballjet me Barcelonën, Partizanit ndaj Torinos e Celtic, 17-Nëntorit kundër Ajax, janë ato pak pjesë të një “thesari të humbur ndër dekada”. Por ndoshta sot është koha për të reflektuar. Klubet shqiptare, si edhe Kombëtarja jonë as sot nuk i pasqyrojnë on-line, shoqëruar me foto e video, përgatitjet e tyre si edhe ndeshjet, ndoshta kjo si rrjedhojë e  kulturës së trashëguar. Një klub shqiptar shpenzon sot 1 milion euro në sezon dhe madje teknologjia i ndihmon ndoshta që të mos jetë nevoja e punësimit të një fotografi (kostoja e tij e papërfillshme), prapë jemi pa arkivë. Edhe pse kjo punë sot mund të bëhet nga një anëtar i stafit të çdo klubi. Tradita dhe kultura për ta harruar dhe fshirë të kaluarën na bën kaq të varfër?!

 

Kontrasti me Shqipërinë

Holanda i ruan si “sytë e ballit” Rinus Michels dhe Johan Cruyff

Konsiderohet një ndër ekipet më të mëdha të të gjitha kohërave. Holanda ka se me çfarë mburret sot. Kanë jo vetëm arkivë kushedi sa të pasur kombëtarja dhe klubet holandeze, por ka edhe muze për ta, ka dokumentarë, stadiumeve u janë venë emrat e tyre. Vetëm në internet mund të gjenden me qindra momente të Ajaksit dhe ekipit të saj kombëtar, në çdo kohë. Ajaksi që luajti ndaj 17-Nëntorit, në fillim të viteve ’70, i markës së “Futbollit Total”, la gjurmë të pashlyeshme në futbollin botëror. Me “dirigjent” Rinus Michels dhe  nën “simfoninë” e Johan Cruyff, kjo skuadër dominoi futbollin botëror në fillim të viteve 1970. Të dy u bënë pjesë e Kombëtares holandeze më vonë. Holanda, dy herë radhazi nën-kampione e botës, falë revolucionin që solli, mban sot jo vetëm atë por edhe botën gjallë me historinë dhe “arkivën” e saj më të pasur. Por si mund të arrihej suksesi ndryshe, në vitet e mëvonshme, nëse do të mungonin të tilla pamje e momente historike?!