KRIZA POLITIKE PAS MANDATEVE TË DORËZUARA, 5 OPSIONE QË PRITET TË NDODHIN

KRIZA POLITIKE PAS MANDATEVE TË DORËZUARA, 5 OPSIONE QË PRITET TË NDODHIN
Marrëveshje Rama-Basha, dorëheqje e Ramës dhe zgjedhje të parakohshme, krizë e tejzgjatur pa zgjidhje, zëvendësimi i opozitës dhe një Shqipëri në kaos. Këto janë pesë opsionet se ku mund të na çojnë pas dorëzimit të mandateve të deputetëve të opozitës

Nga ROLAND QAFOKU

Ka një përkufizim për Shqipërinë politike të këtyre 29 viteve postkomuniste që lidhet edhe me situatën aktuale: Nga kriza vijmë, në krizë shkojmë. Megjithatë djegia e mandateve të deputetëve të opozitës është një veprim i padëgjuar, i pandodhur dhe i paprecedentë në të gjithë historinë e Shqipërisë madje edhe të Botës mbarë. Palët janë në ekstremitetet e tyre dhe Kushtetuta vetë nuk e ka parashikuar këtë sindromë, ndërsa vendi ynë ndodhet për të disatën herë në udhëkryq duke konfirmuar shprehjen e famshme të Ismail Kadaresë që Shqipëria i ngjan trupit që nuk i ikin ethet. Ndonëse ka ekstremitet veprimesh dhe qëndrimesh, ajo që vjen në mendje është zgjidhja e situatës dhe normalizimi i jetës politike. Po cila është kjo zgjidhje? A ekzistojnë zgjidhjet praktike dhe juridike dhe çfarë pritet të ndodhë? Janë të paktën pesë opsione politike që do ta risillnin sërish një normalitet politik por edhe mosagravim të situatës që shumë e kërkojnë por po aq shumë nuk punojnë për ta arritur atë. Por njëkohësisht mes tyre ekzistojnë fatkeqësisht edhe opsione që mund të çonin vendin në buzë të humnerës nëse nuk ndërhyhet me shpejtësi në mënyrë që palët të gjejnë një dakordësi për të eliminuar situatat e padëshirueshme.

1.MARRËVESHJE PS-PD

Nga të gjitha opsionet ajo që e zgjidh plotësisht, më mirë dhe që është më të pëlqyeshme për të gjithë është që mes palëve të realizohet një marrëveshjes mes dy forcave politike më saktë mes dy liderëve Edi Rama dhe Lulzim Basha. Por si mund të arrihet kjo marrëveshje? A ka vlerë ajo kur marrëveshja e 17 majit 2017 lideri Basha i qëndron si një gungë në shpinë? Ajo që duhet të theksohet është se sipas rregullit marrëveshjes në Shqipëri i kanë arritur t’i bëjnë vetëm ndërkombëtarët. Jo vetëm pas vitit 1990, por edhe në vitet e para të parlamentarizmit, ishin të huajt ata që kanë detyruar kundërshtarët politikë të shtrëngojnë duart dhe të lënë pas krizat. Marrëveshja mes Berishës dhe Nanos në vitin 2002 por edhe ajo e çadrës mes Bashës dhe Ramës në vitin 2017 tashmë janë dëshmia e qartë se politikanët shqiptarë janë të papjekur, qëndrojnë ekstremisht larg njëri-tjetrit dhe pa një arbitër të huaj nuk bëhet fjalë të arrihen konsensuse. Po a mund të arrihet një marrëveshje kur precedenti i lënieve të mandateve nuk ka ndodhur kurrë? A mund të ketë një marrëveshje mes Bashës dhe Ramës, kur vetë Basha ka deklaruar dhe premtuar se kurrë nuk do të ketë një marrëveshje me Ramën dhe vetë Rama deklaron se unë nuk e lë pushtetin në tavolinë? Si mund të jetë kjo marrëveshje lidhur me zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare?

Ndoshta kësaj pyetje mund ti përgjigjemi me një pyetje: Nëse administrata amerikane e merr seriozisht situatën në Shqipëri dhe dërgon një funksionar të saj për të bërë ndërmjetësin, a do të refuzojë kryetari i PD Lulzim Basha? Që më 19 shkurt sinjali i parë u dha nga ambasada amerikane e cila bëri thirrjen e parë: Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin t’u shërbeni".

Nuk besojmë që Basha do thotë jo dhe duket se ky është opsioni më i mundshëm që të ndodhë. Vetëm një problem ka ky opsion: Kur do të ndodhë? Sa për teknikalitetet, kjo ka rëndësi sekondare.

2.DORËHEQJA E RAMËS ZGJEDHJE TË PARAKOSHHME

Ky është opsioni që kënaq më shumë opozitën. Nëse Edi Rama do jepte dorëheqjen dhe do të shpalleshin zgjedhje të parakohshme, PD, LSI dhe partitë e tjera opozitare aleate do ta quanin fitore të madhe dhe do ti tregonin elektoratit se sa muskujt kishin, ndërsa vetë lideri Basha do të rriste maksimalisht kuotat si politikan. Kjo do t’i jepte bonus opozitës dhe në këto zgjedhje të reja do të ndjehej e avantazhuar madje fituese. Nga ana tjetër Rama mund ta bënte këtë për hir të Shqipërisë në mënyrë që të zgjidhte krizën duke sakrifikuar pushtet. Njëkohësisht ai futej në zgjedhje të reja me synimin e fitores dhe nëse e arrinte këtë ia mbyllte një herë e përgjithmonë shtegun e ankesave kundërshtarit. Por a mund të ndodhë kjo? A mund të ndërpresë Rama pushtetin kur i kanë dhënë 750 mijë vota duke i patur të gjitha me timon dhe tepsi? Opsioni i zgjedhjeve të parakohshme ka pak gjasa të ndodhë. Ajo më e rëndësishmja është se tashmë në Shqipëri ka bërë rregull i pashkruar që pavarësisht krizave, situatave të agravuara politike dhe ngjarjeve të paparashikueshme, nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme. Pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri kanë ndodhur dy herë zgjedhjet e parakohshme: Herën e parë në 22 mars 1992 dhe e dyta më 29 qershor 1997. Herën e parë zgjedhjet e parakohshme erdhën si pjesë e procesit të rrëzimit të sistemit komunist. Herën e dytë erdhën si pjesë e zgjidhjes jo të një krize politike, por të rënies së shtetit. Pra situate që po kalojmë nuk ka asnjë lidhje me këto dy raste. Shqipëria ka kaluar kriza politike më 14 shtator 1998 por vendi nuk kaloi në zgjedhje të parakohshme. Shqipëria ishte në krizë politike pas zgjedhjeve të vitit 2001, por vendi nuk kaloi në zgjedhje të parakohshme. Kemi patur krizë politike pas ngjarjes të Gërdecit më 15 mars 2008 dhe më 21 janar 2011, në pranverën e vitit 2017 por përsëri Shqipëria nuk kaloi në zgjedhje të parakohshme. Afërmendsh përqindja e këtij opsioni që kjo të ndodhë është e pakët dhe largimi me dorëheqje i Edi Ramës pak gjasa ka që të ndodhë.

3.KRIZË E TEJZGJATUR

Një krizë pa fund është më e tmerrshme se sa një fund me krizë. Rrjedhimisht, një krizë e zgjatur politike do ishte opsioni më i keq i mundshëm i kësaj situate. Kjo do ta fuste Shqipërinë në kolaps për të cilin askush nuk mund ta parashikojë se në cilën shkallë do të ishte. Kjo do ishte gjithashtu një skenar i keq që do t’i ngjante një topi dëbore që në fillim pavarësisht rrokullisjes duket i vogël por kur ai bëhet i madh orteku është i pashmangshëm. Një krizë e tillë do të sillte kolaps jo vetëm politik por edhe ekonomik. Por sa është e mundur kriza e tejzgjatur? A do ta lejonte faktori ndërkombëtar një situatë të tillë? Për më tepër, a do ta lejonte SHBA që Shqipëria të ishte nën sundimin e një krize politike të tejzgjatur? Nëse i rikthehemi platformave të diplomacisë amerikane në raport me Shqipërinë besojmë se kjo pak gjasa ka për të ndodhur. Sa herë që Shqipëria ka qenë në situate të këtij lloji SHBA ka qenë prezent për ta zgjidhur. Janë fjalët përbetuese të diplomatit Chris Hill në 1990 teksa vuri këmbët në godinën e ambasadës amerikane në Tiranë si i dërguar me punë i SHBA tha: “Kurrë nuk do ta braktisim Shqipërinë”. Apo ato më 1 nëntor 2012 të sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, gjatë fjalës së saj në parlamentin shqiptar në 100 vjetorin e pavarësisë e cila tha: SHBA kanë qëndruar me ju për 100 vjetët e para të pavarësisë dhe do të qëndrojnë me ju edhe për 100 vjet të tjera”. Dikë që dielli i verës e nxeh edhe në dimër mund të gjejë 1 mijë e një arsye të indiferencës së diplomacisë amerikane. Por këta syresh janë zhgënjyer nga SHBA sa herë ajo i ka qëndruar pranë kombit tonë. Dhe ky zhgënjim në aspektin pozitiv do të ndodhë edhe këtë herë. SHBA do të jenë edhe 100 vitet e tjera këtu.

4.ZËVENDËSIMI I OPOZITËS

Ky do ishte një lajm i keq për Partinë Demokratike dhe LSI, por një lajm edhe më i keq për demokracinë në Shqipëri. Por për disa dembelë dhe servilë në PS do të ishte në lajm i rehatshëm. Jo vetëm kreu Rama por edhe gazetarë pranë mazhorancës kanë mbështetur disa herë idenë e zëvendësimin e opozitës dhe themelimin e partive të tjera politike. Nuk është çudi kjo por edhe si një opsion i mundshëm. Benjaminë pranë kryeministrit Edi Rama e kanë hedhur jo vetëm si ide, por kanë nisur madje të thërrasin nën armë personazhe dyshues tashmë ke ata kanë nisur të bëjnë edhe llogaritë. E thënë me fjalë të tjera, Shqipëria të bëhet vendi i dytë në Botë pa opozitë, ose me opozitë të emëruar. Kjo do ishte një çmenduri por dhe një fund politik për Edi Ramën. Ndonëse ka lindur dhe jeton në Kosovë, pa ndonjë njohje serioze me Shqipërinë, vetëm pse është mik i Edi Ramës dhe me kompleksin se njeh edhe dy-tre gazetarë në Tiranë me të cilët është i dashuruar me emrat e bukur që ata mbajnë, Baton Haxhiu guxoi të bëjë parashikuesin e motit politik në Shqipëri në kufijtë e një humori të pavetëdijshëm. Ky guximtar arriti të artikulojë këto fjalë: “Do të kemi hapësirë për një parti politike e cila mund të ndërtohet pas një muaj ose dy muaj. Mund të jetë Vetëvendosja. Dorëheqja i lë hapësirë Vetëvendosjes për të qenë pjesë e jetës politike në Shqipëri. Dhe nuk janë të paktë njerëzit që janë të gatshëm për të formuar një parti politike shumë shpejt. Partitë si LSI dhe PD, njëra do të zhbëhet, tjetra do të zhduket, sepse shqiptarët do të kërkojnë diçka të re”. Imagjinoni të mos kishim një farë Baton Haxhiu çfarë zbrazëtie do kishim ne këtu në Shqipëri. Lum që të kemi, o lum miku!

5.SITUATA KALON NË KAOS

Ky do ishte skenari i zi që asnjë nuk e dëshiron dhe asnjë nuk e mendon. Mund ta mendojnë kokat e nxehta që duan më shumë vete se Shqipërinë. Duan më shumë karrigen dhe postin. Duan më shumë interesin personal. Të imagjinojmë se ata që sot në historinë e Shqipërisë quhen burra shteti janë për katete që ata kanë bërë. Ismail Qemali bëri aktin heroik duke shpallur pavarësinë por me shumë përulësi pas 14 muajsh dha dorëheqjen që Shqipëria të mos shkonte në kaos. Po ashtu edhe figura të tjera në momente kyçe të vendit si kryeministri Ahmet Zogu kur u bënë atentat në 1924 në parlament dha dorëheqjen si kryeministër. Por edhe Fatos Nano, Pandeli Majko, Ilir Meta kanë dhënë dorëheqjen që vendi të mos shkonte në kaos total. Shqipëria ka edhe një precedent tjetër që bashkë me dorëzimin e mandateve të deputetëve nuk ka një të dytë në Botë. Është rënia e shtetit në vitin 1997. Nëse Presidenti Sali Berisha dhe Kryeministri Aleksandër Meksi do të jepnin dorëheqjen në janar ose shkurt të vitit 1997 nuk do të ndodhin kurrë ngjarjet e marsit në të cilin shteti u thërrmua si një pirg rëre. Fajtorë ishin të dy palët dhe sot ne e përkufizojmë atë që ndodhi me fjalët: Socialistët ishin shkaktarë, demokratët ishin përgjegjës. Sido që të ndodhë, çfarëdo që të ndodhë, nëse Shqipëria shkon në kaos, fajtorë janë të dy palët pa asnjë mëdyshje. Asnjëri nuk është më i mirë se tjetri dhe fajtorë do të jenë përgjithnjë Edi Rama dhe Lulzim Basha.

Ky artikull u shkrua ekskluzivisht për “Albanian Free Press” dhe afp.al. ndalohet rreptësisht ripublikimi nga çdo media tjetër. Në rast kundravajtjeje, do të publikohen shkelësit

Lexoje dhe në PDF