KAVIET! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

KAVIET! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Shqipëria vjen nga një izolim i gjatë mbi 5 dekada. Edhe më parë se koha e diktaturës jetonte një farë izolimi mbylljeje në një geto me njerëz të varfër.

Për 50 e ca vite u la në mëshirë të fatit edhe nga faktori ndërkombëtar që vetëm sporadikisht u përpoq që të ndërhynte e të përmbyste sistemin. Por qartazi u vëzhgua vetëm nga larg se si do të shkonte ky “eksperiment” i frikshëm i një komunizmi të hekurt brenda botës perëndimore e se si kaviet, pra njerëzit, do të silleshin në kushte të paracaktuara diktature të çmendur.

Në kurrizin tonë, të njerëzve të thjeshtë të këtij vendi, në errësirë e sigurisht mungese informacioni, janë kryer shumë eksperimente e shpesh, edhe në emër të reformimit të shoqërisë, qytetarët shqiptarë kanë qenë kavie në duar të njerëzve kryesisht të paaftë, kjo në rastin më të mirë, dhe të paqëndrueshëm mendërisht, në rastin më të keq. Por koha ka kaluar dhe pritshmëritë janë që të kemi nxënë mend e të kemi filluar të bëhemi më reagues kur nuhasim se po na përdorin si kavie.

Por ja që në hallkën më delikate të shoqërisë shqiptare, tek fëmijët dhe shkollimi i tyre, përsëri eksperimentet u rikthyen bujshëm por reagime nuk ka thuajse fare. Këta fëmijë që mezi po i rrisim me një mijë kusure, duket sikur na i ka pjellë lopa e ashtu siç flemë gjumë për shkeljen e të drejtave në çdo fushë, edhe tek gjëja që na dhëmb më shumë, tek fëmijët tanë, heshtim ose reagojmë me zë të ulët.

Në disa shkrime, se aq kam në dorë të bëj, jam munduar që të ngre shpesh problematika lidhur me sistemin arsimor gjoja “të reformuar” në vitet e fundit, por që, në këndvështrimin tim, është jo vetëm i dobët, është i rrezikshëm. Revolta ime si nënë, edhe pse nuk kisha mundësi të bëja asgjë, ishte kur klasat e pesta ju nënshtruan një testi “stalinian” ose “hitlerian”, befas, a thua se në atë moshë duhet të kuptohej me urgjencë niveli i nxënies, i cili, pritej, duhet të dilte blozë sepse ata mësuesit e mëparshëm ishin të atij sistemit tjetër. Fëmijët u rrudhën nën stres, ju nënshtruan një presioni të jashtëzakonshëm dhe normale është që rezultatet nuk janë ato që shpresohet.

Përpara një viti, përveç shumë elementëve të tjerë që nuk po i përmend të gjithë, shkolla 8 vjeçare ku mëson ime bijë iu nënshtrua rikonstruksionit (absurd, në mes të vitit shkollor) dhe qindra fëmijë u dërguan me sistem pasdite në një shkollë të mesme. Nuk e di nënat e tjera por unë kam pasur 6 muaj ankth sepse e mendoj si një absurditet të jashtëzakonshëm, madje kriminale, që fëmijë të vegjël të jenë në të njëjtin ambient, të paktën për disa orë, me nxënës gjimnazi.

Pati jo pak raste bulizmi ndaj djemve të vegjël e jo pak raste ngacmimesh ndaj vajzave të vogla. Por asnjë këshill prindërish ose mësuesish nuk ngriti krye e të kërkonte një zgjidhje ndryshe.

Rikthimi në shkollë ishte çlirim, pavarësisht se muaji i ftohtë i janarit “zbuloi” se kjo “shkollë e rikonstruktuar” na qenkësh përsëri pa ngrohje e kushte. Pra lek i hedhur kot dhe stres i kaluar kot.

Duke qenë se për këtë përdorim si kavie të fëmijëve tanë bëj përgjegjës direkt qeverinë dhe ministren, sigurisht që pret risi ose frymë perëndimore nga një vajzë e re që pretendon se është vënë aty pikërisht si më largpamëse. Por jo. Ministrja e re e qeverisë, sapo bëhet pyetje mbi përzierjen e nxënësve adoleshentë me studentë adultë dhe rrezikshmërinë e kësaj gjëje, ngrihet e ikën në një komision parlamentar.

Turp e faqe e zezë!

Por edhe, po e përsëris, kriminale!

Deri kur do lejojmë që të bëhen eksperimente me fëmijët tanë, ata të trajtohen si kavie e ne të rrimë e bëjmë sehir?

E sigurt është që nëse ne, siç po duket, heshtim përsëri, traumat e fëmijëve tanë do të jenë nesër plagë më të thella për shoqërinë e në atë rast, faji do të mbetet vetëm yni.