KATEGORIA SUPERIORE/ Tirana nderon Partizanin, Kukësi “rrëzohet” në Kamëz

KATEGORIA SUPERIORE/ Tirana nderon Partizanin, Kukësi “rrëzohet” në Kamëz
Fitorja ndaj Kastriotit dhe humbja e Kukësit me Tiranën shkëput Partizanin tetë pikë nga Kukësi i vendit të dytë. A ka marrë që tani fund beteja për titullin kampion?

Nga Aranit Muraçi

Si asnjëherë tjetër gjatë këtij kampionati, por kur gara sa vjen dhe i afrohet fundit dhe nga merkatoja e janarit kur dukej se rivaliteti do të ashpërsohej , ka shtuar në tetë pikë diferenca mes Partizanit dhe Kukësit. Të kuqtë e nisën me fitoren javën e 21-të dhe përfituan akoma më shumë nga hapi i gabuar i Kukësit, në ndeshjen ndaj Tiranës, duke hedhur kështu hapin e tyre më të madh drejt titullin kampion, trofe që u mungon prej më tepër se dy dekadash. Goli i Albi Dokës i dha fitoren bardhebluve në Kamëz, si dhe një tronditje ambicieve të Kukësit për të rivalizuar Partizanin. Trajneri Armando Cungu, pas humbjes pranoi situatën e vështirë, për të realizuar objektivin, duke thënë se lojtarët ishin të vetëkënaqur . - “Titulli? Që ditën e parë kam qenë i rezervuar, jor se nuk e kemi synuar. Më shumë kemi folur në media për kampion, jo në fushë. Partizani ka qenë gjithmonë para me pikë, por nuk ka folur për titullin kampion. Janë edhe pesë lojtarë të rinj të futur në skuadër. Deri tani nuk janë ambientuar me ekipin. Kemi prishur fizionominë e lojës dhe duhet kohë, por edhe rezultatet kërkohen,” – u shpreh trajneri i Kukësit. Ai tha se pavarësisht emrave në skuadër, apo edhe dy sulmuesve më të mirë të kampionatit, presioni për të fituar me çdo kusht ndikoi në rezultat dhe tashmë po vë në rrezik edhe synimin madhor të Kukësit. “Menduam se na duhej fitorja me çdo kusht dhe indirekt krijoi presion. Do të ishte më mirë që dy pretendentët të luajë në një ditë dhe në një orar. Kemi dy sulmuesit më të mirë në Shqipëri, Shkurtajn dhe Rexhinaldon, shpërdoroi sot edhe Rama, edhe Ethemi. Duhet kohë për t’u dhënë mundësi këtyre djemve të ingranohen me lojën”, - u shpreh trajneri i Kukësit.

Tirana rivali historik i Partizanit, si për ironi me fitoren e djeshme duket se  i “dhuron” 15 javë para mbylljes titullin e munguar kampion Partizanit. Në Gjirokastër, në ndeshjen tjetër të javës, gjithçka u mbyll në paqe mes Luftëtarit dhe Flamurtarit, me dy ekipet që ndanë nga një pikë dhe duket se mbetën të kënaqura. Teuta që mban vendin e tretë priti Kamzën. Fitorja e mundshme barazonte “djemtë e detit” me pikë, me Kukësin e vendit të dytë. Por Teuta barazoi pa gola, rezultat që kënaqi në fund miqtë nga Kamza, në betejën e tyre për mbijetesë.

 

Trajneri i Kukësit: Armando Cungu:

“Ndodhi ajo që po ndodh që në fillim. Ekipi nuk po bën ndeshje të mira. Në pjesën e dytë patëm shumë raste të shpërdoruara. Pësuam një gol ndoshta pak karambolesk, por edhe për përgjegjësi time, që të jem i sinqertë. Lejova Shametin të dilte në sulm, nga dëshira për fitore. Jam në vështirësi, sepse kemi oshilacione në lojë dhe rezultate. Nuk janë pak, është Shkurtaj, Rroca, Teqja, por edhe Rrumbullaku, pasi nuk ishte në dy fazat e parë. Janë 3-4 lojtarë të formacionit që janë futur tani në ekip.”

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema:

“Ekipi fitoi dhe është rikthyer entuziazmi. Jemi mirë në 2019-ën dhe kjo na gëzon. Nuk jam tip që kënaqem kollaj, por gjërat kanë lëvizur në kahun pozitiv. Më ka kënaqur Imami, i cili ka qenë lojtar konstant për ne në linjën e majtë. Ekipi ishte në ekuilibër sot, por analizat e mia nuk mbarojnë, sepse kemi bërë edhe gabime. Partizani? Ne mund t’i bëjmë nder dhe Kukësit, pasi luajmë edhe me Partizanin dhe mund të fitojmë. Ekipi ka kërkuar gjithë kohën të fitojë ndeshjen dhe nga rezultatet e këqija ka një uri për të fituar ndeshjen.”

 

Kukësi-Tirana 0-1

Shënues: Doka ‘82

Kukësi: Frashëri, Teqja, Cuculi, Shameti, Krasniqi, Rrumbullaku (Valdet Rama 71’), Dzaria, Kordeiro, Et’hemi, Rroca (Limaj 73’), Shkurtaj. Trajner. Armando Cungu

Tirana: Abibi, Doka, Turtulli, Imami, Hoxhallari, Karabeci, Daja, Hasani, Greca, Ngo, Halili (’57 Kërçiku). Trajner. Ardian Mema

Gjyqtar: Eldorjan Hamiti

 

Kategoria Superiore-Java e 21-të

Të shtunën

Partizani-Kastrioti            2-0

Dje

Kukësi-Tirana                     0-1

Luftëtari-Flamurtari        0-0

Teuta Kamza                      0-0

Sot

Skënderbeu-Laçi

Klasifikimi

Partizani               46

Kukësi                   38

Teuta                    36

Laçi                         31

Skënderbeu       30

Flamurtari           30

Tirana                    24

Luftëtari               21

Kamza                   16

Kastrioti               16