I ftohti, si të eliminojmë infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes

I ftohti, si të eliminojmë infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes
Dimri është dhe periudha kur infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes janë mjaft të shpeshta. Urgjencat spitalore, si dhe poliklinikat në lagje, gjatë ditëve të fundit janë përballur me një fluks të lartë pacientësh që kanë kërkuar ndihmën mjekësore për shkak të ndërlikimeve të shfaqura në rrugët e frymëmarrjes, kryesisht rrugëve të sipërme. Format e shfaqjes së këtyre ndërlikimeve janë nga më të ndryshmet. Mjekja Ilda Shahini tregon se cilat janë komplikacionet më të shpeshta që shfaqen, si dhe këshillat për të shmangur ndërlikimet që vijnë prej tyre.

Sëmundja

Këto janë sëmundje të shkaktuara nga një infeksion akut (i menjëhershëm) që përfshin rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe prek kryesisht hundën, sinuset, grykët, laringun, faringun, veshin dhe trakenë. Këto organe përfshihen nga edema (enjtja) dhe inflamacioni (infeksioni) i mukozave të tyre, duke shkaktuar përkatësisht: rinitin që është infeksion i mukozës së hundës, rhinosinusitin ose sinusitin (infeksion i mukozës së hundës dhe i sinuseve), nasofaringitis (inflamacioni i i hundës dhe i faringut), tonsillitis (inflamacioni i bajameve), laryngitis (inflamacioni i laringut), tracheitis ose tracheobronchitis (infeksion i trakesë dhe i bronkeve, megjithëse bronkitet zakonisht klasifikohen si infeksione të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes ), si dhe otitis (infeksion i veshit në pjesë të ndryshme të tij).

Simptomat

Simptomat zakonisht përfshijnë kollë, dhimbje fyti, teshtima, rrjedhje hundësh, dhimbje koke, dhimbje muskujsh e kockash, ulje të oreksit, temperaturë jo shumë të lartë, dobësi të përgjithshme dhe në rast se sëmundja avancon mund të shfaqen komplikacionet me inflamacionin e sinuseve (sinusitet), veshëve (otitet) dhe qelbëzimin e bajameve që njihet ndryshe si angina purulente. Me rëndimin e sëmundjes rritet edhe temperatura. Sëmundja zgjat zakonisht shtatë deri në dhjetë ditë, por edhe më tepër në rastin e komplikacioneve, të cilat mund të shoqërohen me temperaturë të larta. Në varësi të simptomave të shfaqura përcaktohet edhe lloji konkret i infeksionit të shfaqur. Shfaqja e simptomave ndryshon nga pacienti në pacient. Nuk është e thënë që të gjitha simptomat të shfaqen njëherësh.

Shkaktarët

Mbi 200 lloje të ndryshme virusesh janë izoluar në pacientët e prekur nga këto infeksione. Virusi më i zakonshëm është rhinovirusi, por mjaft të shpeshtë janë edhe koronaviruset, adenoviruset, enteroviruset dhe virusi respirator sincitial. Në rreth 15 për qind të rasteve të këtyre infeksioneve shkaktarët janë bakteriet ku më i shpeshti renditet streptokoku i grupit A. Shkaqe të tjera bakteriale janë “streptocoçus pneumonia”, hemofilusi e të tjerë. Streptokoku prek më tepër faringun dhe grykët, ku pacienti përjeton dhimbje të forta dhe të papritura të fytit, si edhe temperaturë të lartë.

Përhapja

Këto infeksione përhapen në rrugë aerogene, nëpërmjet ajrit, nëpërmjet spërklave të pështymës dhe teshtimave prandaj dhe përhapen gjerësisht aty ku ka grumbullime kolektive siç janë për shembull kopshtet, shkollat, qendrat e punës dhe sidomos grumbullimet në lokalet ku nuk funksionojnë si duhet sistemet e aspirimit. Këto janë sëmundjet më të shpeshta që prekin popullatën e përgjithshme gjatë stinës së ftohtë. I ftohti ndikon ndjeshëm në uljen e imunitetit të organizmit prandaj edhe gjatë kësaj periudhe jemi më të ndjeshëm dhe më të prekshëm ndaj këtyre infeksioneve. Infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes janë arsyet më të shpeshta të mungesave në shkollë apo në punë gjatë stinës së ftohtë.

Diagnoza

Diagnoza gjithmonë duhet të jetë e bazuar në kryerjen e  kontrollit të detajuar, të testeve laboratorike dhe analizës mikrobiologjike të briseve (mbjelljeve) të rrugëve respiratore.  Thelbësore është që të përcaktohet apo të theksohet se si është sekrecioni i rrugëve të frymëmarrjes tek pacienti. Infeksionet virale shkaktojnë sekrecione të shumta të rrjedhshme dhe pa ngjyrë (transparente), ndërkohë që sekrecionet e trasha me ngjyrë të verdhë- jeshile tregojnë se bëhet fjalë për infeksion bakterial.  Gjetjet pozitive të kontrolleve mikrobiologjike janë dëshmi e infeksioneve bakteriale.

Trajtimi

Mjekimi në këto raste përfshin terapinë simptomatike (qetësimin e shenjave klinike), si dhe trajtimin e shkakut. Në tre apo katër ditët e para të sëmundjes, nëse gjendja nuk është shumë e rënduar mund të përdoren barna që ulin temperaturën, qetësojnë dhimbjen e trupit, e të fytit, si për shembull paracetamoli, ponstani. Nëse gjendja rëndohet dhe zgjat më shumë, atëherë nuk duhet të nguroni të këshilloheni me mjekun e familjes, i cili do të vendosë terapinë e duhur. Gjatë këtyre infeksioneve nuk duhet abuzuar me përdorimin e antibiotikëve, të cilët duhen marrë vetëm më recetën e mjekut. Sigurisht që përdorimi i tyre ka vlerë në mjekimin e komplikacioneve me origjinë bakteriale. Gjatë kësaj periudhe mund të përdorni solucione kripore me pika në hundë që mund t’i merrni në farmaci. Kurse solucionet dekonxhestionuese (që ulin edemën e mukozës së hundës) duhet të merren vetëm pas vizitës së mjekut. Përdorimi pa kriter i këtyre dhe për një kohë të gjatë, çon në dëmtimin e mukozës së hundës, e sidomos në fëmijët më të vegjël se 12 vjeç. Gjatë kësaj periudhe rekomandohet përdorimi i lëngjeve të ngrohta gjatë gjithë ditës si edhe regjimi i shtratit në varësi të rëndesës së sëmundjes. Mjaft pozitiv rezulton edhe përdorimi i vitaminës C që rrit rezistencën ndaj infeksioneve. Megjithatë vitamina C duhet të përdoret me shumë kujdes në qoftë se keni probleme me stomakun (gastrite, ulcera). Si masa parandaluese do të rekomandoja të shmangni sa të jetë e mundur grumbullimin në lokale të paajrosura, ushqyerje e shëndetshme dhe aktivitet fizik për një imunitet të qëndrueshëm. Edhe përdorimi i vaksinës së gripit apo edhe vaksinat me pika nga goja (kryesisht kundër streptokokut, pneumokokut, hemofilusit) luajnë rol në parandalimin e këtyre infeksioneve.