“I dënuari përjetë”, Rinev Dani: Nuk duhej luajtur ndeshja fare!

“I dënuari përjetë”, Rinev Dani: Nuk duhej luajtur ndeshja fare!
Pas dënimit ekstrem nga Disiplina reagon për “Albanian Free Press” ish-portieri i U-17, mbi ngjarjet në ndeshjen Veleçiku-Shënkolli 

Nga Aranit Muraçi 

Edhe pse në fillim të karrierës, madje në karrierën e tij ka qenë edhe pjesë e Kombëtares së Shqipërisë U-17, portieri i Shënkollit, Rinev Dani është dënuar me masën ekstreme,  atë të përjashtimit përgjithmonë nga futbolli. Ndeshja e fundit e Kategorisë së Parë, mes Veleçikut dhe Shënkollit, që u zhvillua në Shkodër, përfundoi me fitoren 1-0 të veleçikasve. Por kjo ndeshje u mbyll me incidente, ku pas saj, Disiplina dhe Etika në FSHF, përveç portierit Dani, dënoi për 1 vit e gjysmë edhe zyrtarin e këtij klubi, Armando Loka.  Lidhur me dënimin ekstrem që mori nga Komisioni i Disiplinës, reagoi për “Albanian Free Prees” portieri i Shënkollit, Rinev Dani.

“Po kështu ndodh kur zhvillohen ndeshjet pa asnjë lloj organizimi,” – theksoi portieri Dani. Ai ishte pezulluar edhe më herët gjatë sezonit të kaluar dhe duket se rastet e përsëritura kanë ndikuar në Komisionin e Disiplinës në FSHF-së, për dënimin e tij. Portieri i Shënkollit ka qenë pjesë e Kombëtares U-17 dhe shihet si një portier i së ardhmes.

Po kur nuk ka organizim ndodhin të gjitha këto ngjarje. Pastaj, pa polici, ambulanca ikte e vinte sipas dëshirës, temperaturat ishin të ulëta, frynte një erë shumë e madhe. Një gjyqtar profesionist nuk do ta zhvillonte ndeshjen në ato kushte. Nuk kishte asnjë njeri pas porte për 90 minuta dhe nuk e di nëse 30 minuta lojë janë zhvilluar apo jo. Në fund gjyqtari dha vetëm dy minuta shtesë. Gjyqtarët përtonin të vinin sërish në Pukë dhe kështu u zhvillua një ndeshje në kushte aspak normale. Ata tallen me djersën tonë. Kjo ndeshje e Kategorisë së Parë, për më tepër nuk ka asnjë pamje filmike, ku edhe mund të bazohesh. Prandaj ndodhin akte dhune dhe çdo gjë tjetër”, thekson më tej portieri i Shënkollit, Dani. Pas dënimit, atij nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të shprehet:  “Do ta apeloj vendimin dhe shpresoj që të më falin.” Megjithatë, pas ngjarjeve shihet edhe një pendim nga ana e tij, pas përfshirjes në incidentet pavarësisht shkaqeve, ndoshta të panevojshme. “S’do të ndodhin më të tilla gjëra, të paktën nga ana ime”, thotë më tej Dani.

Gjithsesi, masat ekstreme për përjashtim përgjithmonë nga futbollit të një apo disa lojtarëve, pas episodeve dhe sherreve që ndodhin në ndeshjet e futbollit shqiptar kanë qenë të shpeshta në futbollin shqiptar, sidomos për kategoritë poshtë asaj Superiores.  Kujtojmë se në një ndeshje me Vllazninë, gjatë këtij sezoni, portieri i Shënkollit u dëmtua rëndë gjatë lojës dhe u transportua nga fusha e lojës drejt spitalit, ku për fat të mirë dëmtimi nuk ishte i rëndë.