Gripi bëhet vrastar, vdesin dy pacientë në Sanatorium

Gripi bëhet vrastar, vdesin dy pacientë në Sanatorium
Një djalë i ri dhe një mesoburrë humbi jetën pas prekjes nga viroza e rëndë dyshohet grip deri. Mjekët dhe punonjësit e Sanatoriumit tregohen të kujdesshëm dhe nuk konfirmojnë që shkaktar i vdekjes është gripi. Por, pranojnë se Sanatoriumi dhe veçanërisht sallat e reanimacionit janë plot me të sëmurë rëndë për shkak të gripit

Në Sanatoriumin e Tiranës vetëm në 24 orët që kaluan, ka pasur dy raste vdekjesh të dyshuara nga gripi i derrit. Zyrtarisht, mjekët nuk pranojnë se personat kanë ndërruar jetë për shkak të gripit, por konfirmojnë se sallat e reanimacionit janë të mbushura me pacientë të cilët janë të prekur rëndë nga gripi.

Viktimat janë një djalë i ri dhe një mesoburrë. Rasti i parë është regjistruar mbrëmjen duke gdhirë e diela, kur djaloshi i pafat, erdhi në Sanatorium, i prekur nga pneumonia akute. Mjekët thanë se i ndjeri, si fillim ishte prekur nga gripi, por më pas gjendja ishte komplikuar duke i shkaktuar vdekjen.

Viktima i dytë ndërroi jetë në 10:30 të mëngjesit të djeshëm. Bluzat e bardha nuk pranojnë zyrtarisht nëse shkaktar ka qenë gripi, por pohojnë se ky spital rezulton i mbushur me pacientë të prekur nga gjendja gripale. Arben S., 46-vjeç nga Elbasani ndërroi jetë në Sanatoriumin e Tiranës.

“Pacienti kishte rreth pesë ditë që kishte ardhur në spitalin tonë. U paraqit me një gjendje shumë të vështirë, me vështirësi në frymëmarrje. Fatkeqësisht vuante edhe nga patologji kronike të mushkërive, ishte duhanpirës dhe alkoolist. E pavarësisht ndihmës, trajtimit agresiv dhe intensiv të dhënë në reanimacion nga stafi ynë, nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë”, tha Alma Cani, reanimatore në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.

Qytetarët thonë se pranë spitalit mungojnë edhe medikamentet kryesore.

“Në Shqipëri ka çdo lloj mungese. Patjetër kam blerë vetë vigonët dhe gjithçka. Kam një të shtruar për shkak të gripit”, - thotë një qytetar.

Situatën virale të kohëve të fundit e bën edhe më serioz fakti se gripi këtë vit prek mushkëritë dhe sjell vështirësi në frymëmarrje. Tre pacientë, të cilët janë në rrezik për jetën, janë nga qyteti i Elbasanit. Ata janë shtruar prej disa ditësh pranë Sanatoriumit. Sipas mjekëve, ky është një fluks i shtuar për shkak të gripit stinor që qarkullon në të gjithë territorin e vendit, ndërsa nuk kanë munguar edhe rastet me komplikacione, me të prekurit që janë shtruar në spital për mjekim më të specializuar.