Fruthi dhe gripi, rritet numri i të prekurve në të gjithë vendin

Fruthi dhe gripi, rritet numri i të prekurve në të gjithë vendin
Mjekët bëjnë apel për vaksinim edhe në këtë periudhë veçanërisht për kategoritë në risk

Shqipëria është në prag të epidemisë së gripit dhe për më tepër është përfshirë në situatë shqetësuese edhe pre virusit të gripit të derrit (Ah1N1). Deri tani, tre persona kanë humbur jetën pas komplikacioneve nga virusi Ah1N1. Viktima më i fundit ishte një 37-vjeçar nga Gramshi i cili humbi jetën në Sanatoriumin e Tiranës. Të dhënat e Institutit e Shëndetit Publik tregojnë se për periudhën aktuale janë edhe 51 raste të të prekurve nga fruthi, kryesisht nën moshën 2 vjeç. Ndërsa intensiteti i qarkullimit të virusit gripal është i lartë, 19 mijë të prekur në javë. Rastet më të shumta të fruthit i përkasin Tiranës, kurse ato të gripit në të gjithë vendin.

Gripi

Qendrat shëndetësore raportojnë për raste të shtuara të pacientëve të prekur nga gripi dhe virozat e stinës. Moti i ftohtë i janarit dhe ditëve të para të shkurtit, duket se ka ndikuar së tepërmi në shtimin e këtyre rasteve, duke arritur në 19 mijë të prekur gjatë javës që lamë pas.

Të moshuarit dhe fëmijët janë dy kategoritë më të prekura. Mjekët bëjnë apel për vaksinim edhe në këtë periudhë veçanërisht për kategoritë në risk. Sipas tyre, në qoftë se kalohet harku kohor i 5 ditëve me temperaturë të lartë, është mirë të bëhet një kontroll mjekësor. Dhe jo domosdoshmërisht në spital.

Mjekja pediatre Erma Çobaj, në qendrën shëndetësore nr.10 në kryeqytet, pohon se shpesh qendrat shëndetësore nënvlerësohen sidomos nga prindërit, kur në të vërtetë ato ofrojnë tashmë “shërbim të specializuar 24 orë, prindërit nuk kanë nevojë të çojnë fëmijët në spital me shenjat e para të gripit”. Pediatria sqaron edhe disa “mite” që shoqërojnë gripin, duke këshilluar që fëmijët të kurohen me barna që kanë përmbajtje ibuprofeni dhe paracetamoli, por jo aspirinën. Duke u ndalur te “mitet”, ajo siguron se vaksinat që shërbehen falas në institucionet shtetërore janë të cilësisë së lartë.

Fruthi

Kryerja e vizitave të fëmijëve për shkak të gripit tek qendrat shëndetësore 24 orë të lagjeve, është edhe një prej zgjidhjeve më të mira, pasi fëmijët mund të rrezikojnë që të marrin fruthin më pak se nga urgjenca e Pediatrisë ku dyndja është shumë më e lartë. Të dhënat e ISHP tregojnë se 51 persona rezultojnë të prekur nga fruthi, ku pjesa më e madhe janë fëmijë nën 2 vjeç, dhe virusin e kanë marrë në ambientet e urgjencës së spitalit në Tiranë.

“Rastet e fundit janë pothuajse 90% të lidhura me kujdesin spitalor në QSUT. Pavarësisht apelit që është bërë sepse këto janë edhe të lidhura me shpërthimin e gripit”, - tha dje, Silvia Bino, shefe e departamentit në Institutin e Shëndetit Publik. Sipas saj, 1367 persona u prekën nga fruthi gjatë vitit 2018, ndërkohë që edhe për vitin 2019 janë shënuar 51 raste.

Bino u bëri apel nënave të vaksinojnë fëmijët e tyre me MMR që bëhet 1 dhe 5 vjeç, pasi ajo nuk ka lidhje me autizmin. Po ashtu ajo bëri thirrje që të vaksinohen edhe të gjithë të lindurit në vitet nga 1980-1990, duke qenë se në atë kohë janë shënuar probleme me zinxhirin ftohës që bënte ruajtjen e vaksinave.