FONDET/ Vendorët po mbeten akoma një “peng” i pushtetit qendror

FONDET/ Vendorët po mbeten akoma një “peng” i pushtetit qendror
Fondet që ministritë u akordojnë ende bashkive në rang vendi, flasin për një varësi të vazhdueshme mes tyre, larg praktikës së vetëqeverisjes vendore

Prej vitesh, ata i janë nënshtruar procesit të ashtuquajtur të decentralizimit, por mesa duket kanë mbetur ende “peng” i varësisë nga qendra. Kjo pasi vendorët mbahen akoma, në pjesën më të madhe të tyre, nga paratë që u akordon pushteti zyrtar i Tiranës. Këtë e tregojnë edhe të dhënat më të fundit zyrtare të publikuara për buxhetet e pushtetit vendor gjatë 9-mujorit të vitit të kaluar. “Të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar dhe specifike vijojnë të zënë peshë të rëndësishme në buxhetet vendore. Kjo kategori përfaqësoi rreth 31.1% të burimeve financiare totale të tyre. Kurse transfertat e kushtëzuara nga ministritë e linjës për funksione të deleguara, përfaqësuan rreth 38% ndaj totalit”, sqarojnë ekspertët e Financave lidhur me një dukuri të tillë.

Më tej, në detaje ata tregojnë se qeveria qendrore u transferoi bashkive rreth 22.4 miliard lekë në trajtën e transfertës së kushtëzuar, gjatë 9-mujorit të vitit të kaluar, në rritje me rreth 3.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Ku sipas ministrive të linjës, rreth 14.6 miliardë lekë u transferuan nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale. Kurse rreth 7.7 miliardë lekë u alokuan nga ana e ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë; për arsimin, sportin dhe rininë; zhvillimi urban etj. Që të gjitha këto, fonde të domosdoshme për bashkitë, që të përmbushin detyrimet bazë ndaj qytetarëve, sipas këtyre sektorëve respektivë. Dhe që vërtetojnë teorinë se qendra “mban gjallë” ende me fonde rrethet, edhe pse këto tashmë teorikisht kanë kaluar në sistemin e vetëqeverisjes vendore. Por mesa duket, një gjë e tillë është ende e pamundur në praktikë, derisa rrethet si të tilla, nuk arrijnë të sigurojnë dot me taksat dhe fondet e mbledhura prej tyre as 1/3-tën e buxhetit total, që u duhet për të funksionuar normalisht dhe për të përmbushur çdo shërbim. “Të ardhurat nga burimet e veta që arrijnë të sigurojnë bashkitë në rang vendi rezultojnë me një peshë specifike prej 29.2%. Shifër më e lartë se mesatarja prej 26.7% e së njëjtës periudhë për 8 vitet e mëparshme”, saktësojnë ekspertët. Duke lënë të nënkuptohet se edhe pse ky tregues ka ardhur rritje, ajo sërish është më e ulët se të ardhurat që bashkitë vazhdojnë që të sigurojnë nga Tirana zyrtare dhe institucionet e saj respektive.

 

Të ardhurat nga bashkitë

Ekstremet: Hasi siguron vetëm 2% të totalit; Vlora deri në 62%

“Në nivel bashkie, pesha që zënë të ardhurat e veta (taksa, tarifa dhe të tjera) në totalin e burimeve të financimit luhatet në një interval të gjerë vlerash: vlera minimale u regjistrua në bashkinë Has me 2% dhe vlera maksimale në bashkinë Vorë me rreth 61.8%”. Një pohim të tillë kanë bërë ekspertët e Financave, lidhur me nivelin e të ardhurave që kanë mundur të sigurojnë vetë bashkitë në rang vendi, jashtë fondeve që u dërgojnë ministritë për përmbushjen e detyrimeve dhe shërbimeve bazë ndaj qytetarëve. Duke sqaruar më tej se “në përpjesëtim të zhdrejtë, aty ku të ardhurat nga burimet vendore janë të ulëta, të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar dhe specifike financojnë gjerësisht buxhetin e baskisë”. Dhe duke treguar kështu një varësi të vazhdueshme ende mes fondeve të veta dhe fondeve nga qendra, në shumë bashki të vendit.

 

Ekspertët: Të ardhurat nga burimet e veta, thelbësore për vendorët

“Të ardhurat nga burimet e veta vendore janë thelbësore për një qeverisje vendore të mirë dhe të pavarur”. Kështu pohojnë ekspertët e Financave në raportin e tyre për vetëqeverisjen vendore. Aty kanë konstatuar se “në fund të 9-mujorit 2018, të ardhurat nga burimet e veta vendore u regjistruan në rreth 17.2 miliard lekë. “Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat buxhetore nga burimet e veta rezultojnë rreth 532.6 milionë lekë më të larta, ose në rritje me rreth 3.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, cilësojnë ata, duke përfshirë tek të ardhurat ato të siguruara nga taksat dhe tarifat vendore, por edhe nga veprimtari me asetet etj. “Kategoria e taksave vendore, kontribuoi negativisht në performancën e përgjithshme të të ardhurave nga burime të veta vendore. Në total, të ardhurat nga taksat vendore shënuan një nivel prej rreth 9.7 miliard lekë, nivel ky rreth 9.9% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ngushtimi vjetor i të ardhurave nga taksat vendore u përcaktua kryesisht nga rënia e të ardhurve nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”, saktësojnë më tej ata. Duke sqaruar se të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, pas një rritje të theksuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, shënuan një nivel prej rreth 3.75 miliard lekë, në rënie me rreth -15.7% në terma vjetorë. “Ndonëse në nivel disi më të ulët, të ardhurat nga kjo taksë përfaqësojnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për bashkitë në vend”, thuhet më tej në raportin e lartpërmendur. Duke përfunduar se në nivel bashkie, rënia e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u udhëhoq nga bashkia Tiranë, por edhe nga bashkia Durrës.