Edhe Majko kundër Ramës si Bushati? Deklarata e fortë për Kosovën: Shkëmbimi i territoreve, lodër e rrezikshme

Edhe Majko kundër Ramës si Bushati? Deklarata e fortë për Kosovën: Shkëmbimi i territoreve, lodër e rrezikshme
Ish-Kryeministri i Shqipërisë në kohën e luftës në Kosovë, aktualisht ministër për Diasporën, Pandeli Majko, ka folur hapur kundër idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk diskutoj kutinë  e Pandorës, diskutoj histori që po filluan vështirë se mbarojnë. Kërkesa e shumë faktorëve për kujdes që ne do jemi dakord me gjithçka palët do bien dakord nuk është dritë jeshile për çudira, por për të ndihmuar faktorin shqiptar. Kjo po kthehet në lodër të rrezikshme që nuk prek vetëm Kosovën apo marrëdhëniet rajonale. Është një lodër më komplekse dhe duhet të jemi të kujdesshëm që të mos fluturojmë shumë lart”, tha Majko në emisionin “Studio ABC News”.

Duke bërë një analizë, Majko tha se është pro negociatave, por qëndrimi i europianëve kundrejt kësaj ideje nuk është shumë i qartë, pasi Berlini dhe Londra flasin ndryshe nga Brukseli.

“Ka një politikë as mish as peshk që vjen nga Brukseli. Ka një qartësi nga politika gjermane dhe britanike, që kanë thënë se staus quo është e rëndësishme dhe  jo nga interesat e tyre, por nga koncepte të kontratës ndërkombëtare që është e Ahtisarit. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për çështjen e Kosovës dhe të drejtën për pavarësi të Kosovës nuk ishin akte që mund të diskutohen e rishikohen sepse dikush në Beograd do tolerojë për të njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Majko.

Sipas ish-Kryeministrit, Kosova nuk ka pse i shkëputet linjës së negociatave, por as nuk duhet të tolerojë shumë.

“Pavarësia e Kosovës është një fakt juridik ndërkombëtar që në mos sot nesër do njihet nga të gjithë, kur Vuçiç është ky që është, po të vijë një vend tjetër në vend të tij”, tha Majko.

Pikërisht ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje që është po aq e nxehtë në Tiranë, sa edhe në Prishtinë.

Sipas një deklaratë të ish-ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, Ditmir Bushati u shkarkua nga posti i ministrit në Shqipëri pikërisht sepse kishte një qëndrim të ndryshëm nga Kryeministri Rama për çështjen e Kosovës.

Pas kësaj, me një “luftë institucionale” me Presidencën, në krye të Ministrisë së Jashtme erdhi Gent Cakaj, si zv/ministrër me kompetencat e ministrit.

Një ndër arsyet kryesore pse Cakaj u refuzua si ministër nga Presidenti Meta ishte pikërisht një deklaratë e tij pro ndryshimit të kufijve, një deklaratë që Meta e konsideroi “të rrezikshme”.

Në këtë mënyrë, ish-Kryeministri Pandeli Majko bëhet ministri i dytë pas Ditmir Bushatit që kundërshton tezën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që duket se ka gjetur mirëkuptimin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: LSA