Duka zgjidhet anëtar “i qeverisë” së UEFA-s, historike për Shqipërinë

Duka zgjidhet anëtar “i qeverisë” së UEFA-s, historike për Shqipërinë
Dje u zhvillua Kongresi i 43-të i UEFA-s. Armand Duka arriti të zgjidhet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s me 36 vota, duke marrë besimin e delegatëve të shumë federatave të mëdha europiane

Nga Aranit Muraçi

Kandidimi i dytë rezultoi me fat për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për një mandat katër vjeçar. Dje në Romë është zhvilluar Kongresi i 43-të i UEFA-s që kishte në rendin e ditës zgjedhjen e Presidentit të UEFA-s dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, pozicion për të cilin kandidonte dhe Presidenti i FSHF, Armand Duka. Pas votimit ai arriti të zgjidhet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s me 36 vota, duke marrë besimin e delegatëve të shumë të federatave europiane. Për herë të parë në histori, futbolli shqiptar do të përfaqësohet nga Presidenti i FSHF-së në qeverinë e futbollit europian. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është organizmi ekzekutiv suprem i UEFA-s. Përbëhet nga Presidenti UEFA-s dhe 16 anëtarë të tjerë, nga të cilët të paktën një femër, që zgjidhen nga Kongresi i UEFA-s, dy anëtarë zgjidhen nga Shoqata e Klubeve Europianë (ECA) dhe një anëtar zgjidhet nga Ligat Europiane, të ratifikuara nga Kongresi, të gjithë me të njëjtat të drejta dhe detyra si të gjithë anëtarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv. Prania e Dukës në KE do të thotë një zë më shumë për Shqipërinë në UEFA. Komiteti Ekzekutiv mund të adoptojë rregulla dhe vendime mbi të gjitha çështjet që nuk kanë të bëjnë në juridiksionin legal ose statutor të Kongresit të UEFA-s ose të një organi tjetër. KE administron UEFA-n, me përjashtim të rasteve kur të tilla aktivitete janë deleguar, ose disa detyra menaxhimi i janë deleguar nga Statutet e UEFA-s presidentit të UEFA-s ose Administratës UEFA. Si rregull i përgjithshëm, KE mblidhet çdo dy muaj dhe thërritet nga Presidenti.

Zgjedhja e Dukës, goditje për Finon!

Agron Duka uron të vëllain: Krenar për ty, çove Shqipërinë në Olimp!

Zgjedhja e Armand Dukës si anëtar i Komitetit Ekzekutiv në UEFA ishte paralelisht një goditje e rëndë rreth pretendimeve të rivalit të tij për president në zgjedhjet e fundit, deputetit socialist, Bashkim Fino. Ky i fundit u ankua për votimin dhe e çoi në gjyq çështjen, ndonëse UEFA e ndoqi nga afër dhe e njohu menjëherë zgjedhjen e Dukës në krye të FSHF-së. Sapo u zgjodh anëtar i Komitetit Ekzekutiv në UEFA, Armand Duka ka marrë mesazhe të shumta urimi, mes të cilave ishte edhe ajo e vëllait të tij, ish-ministrit të Bujqësisë dhe aktualisht kreu i Partisë Agrare Ambjentaliste, Agron Duka. “Krenar për ty dhe për forcën e ideve të tua që sot çuan Shqipërinë në Olimpin e futbollit Europian!.” – ka qenë mesazhi i Agronit për të vëllain e tij, pas besimin që mori në KE-në e UEFA-s.