DILEMAT E PANUCCI-t/ Euro 2020, shiriti i kapitenit të Kombëtares mbetet pa “emër”  

DILEMAT E PANUCCI-t/ Euro 2020, shiriti i kapitenit të Kombëtares mbetet pa “emër”  
Në prag të kualifikueseve “Euro 2020”, situata që po kalojnë kandidatët për të mbajtur shiritin e kapitenit të Kombëtares, Elseid Hysaj e Mërgim Mavraj, nuk duket aspak premtuese çka i shton edhe më tepër dilemat e Panucci-t

Kombëtarja shqiptare dhe trajneri Christian Panucci, kur ka mbetur më pak se dy muaj nga ndeshja e parë zyrtare e kualifikueseve, Euro 2020, ndaj Turqisë, nuk e ka përcaktuar ende liderin. Ose më saktë, ashtu si në Ligën e Kombeve, asnjëri nuk është bindës. Luhatjet e muajve të fundit mes dy kandidatëve kryesorë për të mbajtur shiritin e kapitenit, Elseid Hysaj e Mërgim Mavraj, kanë shtuar edhe më shumë dilemat e trajnerit. Edhe rikthimi i mundshëm i Odise Roshi e lë pa zgjidhje çështjen e liderit të ekipit kombëtar, sikurse ka ndodhur që pas largimit të ish-kapitenit Ansi Agolli.  Mungesa e një lojtari stabël me cilësitë e udhëheqësit të skuadrës sonë përfaqësuese në fushë është parë si një ndër faktorët e paraqitjeve të dobëta gjatë vitit 2018. Perspektiva bëhet edhe më e paqartë nga situata që po kalojnë aktualisht kandidatët kryesorë për shiritin e kapitenit.

Hysaj, as në stol ndaj Milan

Trajneri Carlo Ancelotti ka lënë sërish në stol mbrojtësin kuqezi, Elseid Hysaj. Për ndeshjen e mbrëmshme të Kupës së Italisë, ndaj Milan, Hysaj dhe Albiol ishin mes lojtarëve që nuk u grumbulluan fare. Sipas klubit, dy lojtarët kanë pasur probleme muskulore, por është bërë e qartë se Hysaj dëshiron të largohet, duke parë se nuk po gjen më hapësira. Napoli nuk ka ndërmend ta shesë pa ofertën e duhur, ndërsa Chelsea dhe Inter kanë shfaqur interes deri tani. Në ditët e fundit të merkatos në lojë është futur edhe Arsenal.  Do të jenë pikërisht ditët e mbetura të janarit vendimtare për të ardhmen e mbrojtësi kuqezi, vlera e të cilit konsiderohet në 25 milionë euro. Nëse Hysaj nuk largohet dhe mbetet në stolin e Napolit, vështirë se do të ketë motivimin dhe më pak akoma t’i besohet shiriti i kapitenit në Kombëtare.

Mavraj flet si lider në Gjermani

Mbrojtësi Mërgim Mavraj në përballje me Greuther Furth, në Bundesligën e dytë, ngjall shpresa mbijetese të skuadra e tij, duke folur si lider. I afruar gjatë merkatos së dimrit nga Aris i Selanikut, Mavraj, ish-mbrojtësi i Këln dhe i Hamburgut, u shpreh se më kryesorja është që skuadra e tij të krijojë stabilitet. Ingolstad mban vendin e fundit në Bundesligën e dytë, me 10 pikë, tre pikë larg zonës së ftohtë. Mavraj u rikthye këtë janar në Gjermani, si një përforcim mbijetese nga Ingolstad. - “Është e rëndësishme për mua që të kem ndjenjën e nevojshme për atë që duhet të arrijmë. Dhe e kam atë. Nuk e konsideroj situatën të pashpresë. Secili prej nesh duhet të jetë një udhëheqës, për të arritur objektivin që i kemi vënë vetes”, theksoi Mavraj. Do të jetë pikërisht performanca e tij në Bundesligën e dytë gjermane vendimtare për të ardhmen dhe rolin që ai do të ketë edhe në radhët e Kombëtares. Trajneri Christian Panucci po monitoron ecurinë e të gjithë lojtarëve dhe në varësi të paraqitjes Mavrajt, sikurse në ndeshjet e fundit, do t’i besohet sërish një vend në radhët e kuqezinjve për ndeshjet kualifikuese Euro 2020, apo qoftë edhe shiriti i kapitenit.