Denoncimi nga Braçe/ “Bastet kineze” në fanellat e Kastriotit, Vogli: FSHF-ja nuk na lajmëroi   

Denoncimi nga Braçe/ “Bastet kineze” në fanellat e Kastriotit, Vogli: FSHF-ja nuk na lajmëroi   
Administratori i Kastriotit flet pasi u shpall nën hetim nga policia

Ndonëse në ligat evropiane, edhe klube të mëdha reklamojnë në fanellë pika të basteve, Seksioni i Krimit ekonomik dhe financiar në Policinë e Tiranës ka proceduar penalisht Administratorin e klubit të Kastriotit, Gazmend Vogli.

Shkak ishte reklama në fanellën e skuadrës krutane, i një kompanie bastesh sportive, veprim ky që konsiderohet i jashtëligjshëm aktualisht në Shqipëri.

Ishte zv.kryeministri, Erion Braçe, njëherësh tifoz i Partizanit, i cili reagoi lidhur me fanellën e Kastriotin.

Në ndeshjen me Partizanin, takim të cilin e humbën me rezultatin 2-0, Kastrioti kishte në fanella reklamën e një kompanie kineze bastesh.

Policia e Tiranës njoftoi se po kryen verifikime edhe për konsumimin e veprës penale “Shpërdorim detyre” për vëzhguesin e FSHF-së në këtë takim, i cili ka lejuar krutanët të luajnë me atë fanellë.

Vogli ka pranuar se klubi do të ndryshojë fanellat ditët në vijim, por shtoi se nuk ishte në dijeni të faktit se ky veprim përbënte vepër penale.

“Neve s’na ka thënë kush që duhet hequr, e kemi lexuar edhe ligjin dhe nuk është i shkruar për ekipet e futbollit dhe pas kësaj që ndodhi do t’i ndryshojmë të gjitha, logo dhe fanellë. Nga Federata nuk kemi marrë paralajmërim dhe as rregullorja e qeverisë nuk e ka. E ka për dyqanet dhe bizneset por jo për ekipet e futbollit. Përderisa nuk më tha njeri mua, nuk kisha pse të bëja investime kot dhe kjo ishte si rrufe në qiell të hapur. Dje nuk ishte ndeshja e parë, pasi kemi pasur edhe ndeshje të tjera. Tani do të marrim masa dhe do të bëjmë ndryshime,” – theksoi ai.

Vogli shtoi se sponsori iu ka mundësuar vetëm bazën materiale dhe shtoi se baza e re materiale shkon deri në 14 mijë euro.