Dashuri “pa viza”

Dashuri “pa viza”
VIP-at shqiptarë me partnerë të huaj

“Dardha me dardhën” thonin të moçmit, me idenë se partneri i jetës duhet të ishte jo vetëm nga i njëjti komb por edhe nga i njëjti fshat apo zonë. E pra gjërat kanë ndryshuar shumë. Gjejmë shumë martesa mes shqiptarëve të njohur që në kohët kur shkollimi bëhej vetëm jashtë kufijve, në Paris, në Stamboll ose Itali në fillim të viteve ‘900. Por edhe pas përfundimit të luftës, studentët shqiptarë, veçanërisht ata në Rusinë e largët, jo rrallë niseshin tek e vinin çift, me vajza të bukura ruse me të cilat ishin dashuruar. E të themi të vërtetën, nuk është se e patën jetën të lehtë, mes paragjykimeve ose luftës klasore të kohës. Por sot gjërat janë shumë ndryshe, paçka se përsëri janë raste në minorancë. Janë disa VIP-a shqiptarë të cilët kanë gjetur lumturinë e tyre në krahët e një bukurosheje apo bukuroshi të huaj. Kanë thyer kështu të gjitha mendësitë e kanë treguar se mirëkuptimi nuk njeh tradita, fe e as origjinë.

Almeda Abazi dhe Tolgahan Sayisman

Ajo një ish-Miss dhe modele, më pas aktore në Turqi ku duket se njohu edhe shpirtin binjak. Almeda Abazi dhe Tolgahan Sayisman janë një nga çiftet më të bukur dhe glamour mes një vajze shqiptare bukuroshe e në karrierë dhe një djaloshi të huaj. Tolgahan 36 vjeçar në dhjetor dhe aktor i njohur në Turqi, ndërsa Almeda në 13 shkurt, ditën e përvjetorit të martesës së tyre, mbushi 26 vjeçe. 10 vjet nuk janë pak, por ja që mes tyre nuk dallohen. Së shpejti familja e tyre pritet të zgjerohet edhe me një djalë që çifti po e pret me padurim.

Albin Kurti dhe Rita Augestad-Knudsen

Rita K. Augestad-Knudsen, bashkëshortja norvegjeze e Albin Kurtit jeton një jetë të lumtur me të. Nga kurorëzimi i dashurisë ata së bashku kanë një vajzë të vogël me emrin Lea. Kurti ka lidhur kurorë me Ritën në vitin 2015 dhe siç duket martesa e Kurtit me një të huaj atë kohë ngjalli reagime. Fakti se një lider politik shqiptar zgjodhi një norvegjeze për grua nuk kaloi lehtë, edhe pse Kurti disa herë ka theksuar se dashuria dhe njeriu nuk shikohen si mallra.

Anjeza Shahini dhe Paul Edward Conolly

Anjeza Shahini dhe bashkëshorti i saj, diplomati angel Paul Edward Conolly do të kurorëzonin dashurinë e tyre në një ceremoni private në Toskanë në shtator të vitit 2015. Artistja shqiptare mbajti të dashurin, më pas dasmën e më pas edhe shtatzaninë, sepse këngëtarja e njohur është në pritje të ëmbël. Anjeza nuk është e etur për vëmendje, një vajzë plot talent por mjaft e thjeshtë dhe e rezervuar. Lajmin për pritjen e ëmbël e bëri të ditur vetë këngëtarja përmes një postimi në profilin e saj në “Instagram”.

Anxhela Martini dhe Dragos Savulescu

Modelja dhe miliarderi rumun Dragos Savulescu u martuan në Las Vegas dhe ndryshe nga çdo nuse tjetër, shkodrania  u vesh me një fustan të zi. Në një program televiziv në Rumani, Angela ka rrëfyer si u njoh me miliarderin dhe kur e kuptoi se kishte rënë në dashuri me të. E pyetur se përse ra në dashuri pikërisht me Dragos, shqiptarja u shpreh:

“Kjo është shumë e thjeshtë. Unë kam udhëtuar në shumë vende të botës, jo si turiste por jam rritur nëpër këto vende dhe të jetosh dhe të jesh turist janë gjëra shumë të ndryshme nga njëra-tjetra.  Unë nuk arrita të njihja një person që ishte i thellë, shpirtëror, inteligjent, i ngrohtë, i kujdesshëm dhe një ëndërrimtar. Sepse unë kam njohur djem që kanë pasur lekë nga prindërit e tyre, por nuk është e njëjta ambicie, e njëjta ëndërr.  Kur takova Dragos, zbulova se ai ishte një ëndërrimtar, që kishte një botë dhe donte ta tregonte.”

 

Afërdita Dreshaj dhe Jakub Kindl

Këngëtarja dhe modelja e njohur shqiptare, Afërdita Dreshaj, i ka dhënë fund beqarisë së saj qershorin që lamë pas në 2018. Ajo u martuar me hokeistin e njohur çek, Jakub Kindl dhe çifti e kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë në një dasmë të madhe në Miami të Floridas. Afërdita dhe dhe kampioni çek Kindl kishin disa vite së bashku dhe jetonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hokeisti çek i propozi martesë bukuroshes shqiptare në dhjetor të vitit 2017, në majën e një resorti luksoz në qendër të Pragës, në vendlindjen e tij.

 

 

Emina Çunmulaj dhe Sam Nazarian

Bëri bujë  në media kur u zbulua se modelja e njohur shqiptare nga Mali i Zi, Emina Çunmulaj ishte lidhur me një miliarderin iranian Sam Nazarian. Ata kanë tashmë shumë vjet  bashkë dhe lidhjen e tyre e kanë kurorëzuar me martesë. Dasma ishte si në përralla, natyrisht që bukuroshja shqiptare shkëlqeu e nuk nguroi që në atë ditë të rëndësishme të kërcente edhe Napolonin. Nga kjo martesë Emina dhe Sam kanë dy vajza.

Linda Halimi dhe Davon Edwards ( Big D )

Këngëtarja kosovare Linda Halimi, pas suksesit në Top Fest pati një karrierë në ngjitje, e më pas u drejtua në tregun amerikan, me shpresën se do të arrinte të çante një treg muzikor aq të vështirtë. Por ndërkohë gjeti dashurinë. “Arritja ime më e madhe është dashuria jote për mua. Ti më kompleton në secilën mënyrë. Të dua sepse edhe Zoti të do ty. Jam gruaja më e lumtur në botë për mënyrën si trajtohem nga ti.”- do të shkruante ajo për partnerin e saj Big D përpara disa kohësh. Një histori jo shumë e lehtë përballë paragjykimeve, por që ka bërë që Linda të japë më të mirën, duke filluar nga pamja e saj e jashtme, që është kthyer në inspirim për shumë të reja.

 

Valbona Coba dhe Todd Christopher

Miss Fotozhenia e parë shqiptare vazhdon të jetë një nga vajzat më të bukura që e ruajnë freskinë dhe bukurinë natyrore, edhe tashmë që ajo është nënë e tre fëmijëve. Valbona Çoba jetoi për disa vite me radhë në Greqi ku pati një karrierë shumë të suksesshme si modele dhe mbuloi kopertinat e revistave më të njohura atje. Më vonë fluturoi drejt Shteteve të Bashkuara, ku jeton e lumtur me bashkëshortin Todd Christopher dhe tre fëmijët. Tani jeta e bukuroshes fotozhenike nga Tirana është e kompletuar dhe e bukur. Pas ardhjes në jetë të djalit Aiden, familja e Valbonës u gëzua edhe me dy binjakë, e sigurisht Valbona ka zgjedhur tu dedikohet plotësisht atyre dhe bashkëshortit.

Alida Hisku dhe Thomas

Këngëtarja e njohur e festivaleve të viteve ’70-’80, Alida Hisku, ka gjetur paqen dhe prehjen në Gjermani ku prej shumë vitesh jeton me bashkëshortin e saj gjerman Thomas. Në disa raste ajo ka treguar me thjeshtësi jetën prej emigranteje në Gjermani me vështirësitë e saja, e në një nga ato momente të vështira ka njohur bashkëshortin. Ishte krejt rastësisht, kur punonte si pastruese, në një hotel-restorant, ku ai vinte çdo fund javë për të ngrënë darkë. “Nuk dua t’i bëj reklamë burrit, sepse nuk e kam atë zakon, por kam hasur me gjermanin më të mirin të Gjermanisë. Beson se kjo mjafton për të kuptuar vlerat e tij. E kam shok, burrë e mik të jetës. Për këtë ja bëra edhe një vajzë në ditë të pleqërisë, quhet Alina që sot është 14 vjeçe.”-është shprehur Alida në një intervistë të saj.

Kledi Kadiu dhe Charlote

Balerini shqiptar që jeton dhe punon në Itali, Kledi Kadiu dhe bashkëshortja e tij italiane, Charlotte Lazari, balerina gjysmë franceze e gjysmë italiane, janë prindër të një vajze të vogël që quhet Lea. 41-vjeçari e ka menduar gjatë lidhjen serioze dhe familjen dhe në shumë raste ka shprehur emocionin e veçantë që ka përjetuar kur u bë baba, ndërsa ka pohuar se gjithçka kishte ndodhur shumë shpejt, kjo edhe falë harmonisë që ekzistonte mes tij dhe partneres. Të dy janë balerinë dhe janë njohur në aktivitetet artistike, kanë një diferencë 20 vjeçare por kjo nu i ka penguar që të jenë të vendosur për një familje së bashku.

Lorik Cana me Monikën

Lorik Cana ka qenë në qendër të vëmendjes së femrave, gjatë karrierës së tij si futbollist. Por, duket se tashmë, futbollisti shqiptar është rehatuar, pas martesës me bukuroshen italiane, Monica, romanen 27 vjeçare. Në një prononcim për mediat, duke pasur parasysh pikërisht faktin se Lorik Cana ishte aq i dëshiruar nga femrat, i jati do të shprehej se: “Monika ka qenë e vetmja, e para dhe e fundit që ka jetuar 2 vjet me të. Loriku nuk ka pranuar kurrë një vajzë në shtëpi, sepse nuk mundesh ta sjellësh në shtëpi secilën vajzë dhe t’u thuash prindërve “me këtë do të martohem”. Monika ka qenë e njëjta ashtu si të gjitha të tjerat e mëparshme. Por me kohë lindi edhe dashuria, lindi besimi. Kështu që ajo te ne ka qenë e mirëpritur prej ditës së parë.” Ja pra që Monika u bë femra e parë që “ja mblodhi” latinloverit të futbollit shqptar. Sot ata janë prindër të lumtur të një djali të bukur.

Ilir Shaqiri dhe Emanuala Morini

Ai balerin e baletmaestër i njohur, ajo aktore. Ai shqiptar ajo italiane. Të dy biondë e simpatikë. Ilir Shaqiri, balerini shqiptar, i njohur në Itali në sajë të zotësisë dhe elegancës, duke u bërë një nga balerinët më të dashur të Amici-t (ka marrë pjesë që në edicionin e parë të vitit 2001, që atëherë kur programi titullohej “Saranno famosi”, deri në vitin 2005, sikurse në të njëjtën periudhë ka kërcyer për programin “C’e posta per te”).  Në krah të tij pas pak kohësh arriti gruaja e jetës, aktorja Emanuela Morini, ish protagoniste tek telenovela “Vivere” dhe “Un posto al sole”, me të cilën u martua në vitin 2002. Dhe kështu yjet u bënë dy. Por në shtëpinë Shaqiri erdhi edhe ylli i tretë: vajza e tyre Emily, që edhe ajo tashmë merret me aktrim, si e ëma.