BATUTAT/ Berisha dhe Balla debatojnë në Kuvendin e Shqipërisë... për “argatët” e Serbisë

BATUTAT/ Berisha dhe Balla debatojnë në Kuvendin e Shqipërisë... për “argatët” e Serbisë
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar mbështetjen për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, por pa copëtuar territorin.

“Copëtimi i territoreve hap Kutinë e Pandorës  sjell bllokim automatik të integrimit”, tha Berisha.

Ai ka kujtuar edhe një bisedë me ish-Presidentin amerikan.

“Gjatë vizitës së presidentit Bush në Shqipëri më drejtohet duke më thënë se cili është mendimi juaj për Kosovën dhe unë thashë se ne duam që të jetë e  Pavarur. Më tha kur mendon ti se duhet të shpallet pavarësia? I them se meqë ju e keni ndarë mendjen dhe ne do ju jemi mirënjohës, i thashë merrni kohën tuaj sepse nuk duhet të bëhemi mollë sherri mes jush dhe BE. Ky proces duhet të ecë me mirëkuptim dhe jo siç bën zotëria me argatët e Beogradit se tani Merkel po ikën. Kur ishte atje iu serviles me siperlativa, por Merkel refuzoi pritjen. Nuk e priti dhe refuzoi pritjen”.

Sipas Berishës, Kryeministri aktual, Edi Rama, po bëhet “sherri i Ballkanit” dhe faturën po e paguajnë shqiptarë.

“Po bëhet sherri i Ballkanit sepse është i lidhur me vjedhjet dhe krimet… Kosova dhe Serbia të zgjidhin problemet si dy shtete të pavarura dhe jo mbi bazën e argatëve që s’kanë atdhe. Ata janë armiqtë të shqiptarëve dhe paqes në rajon”, tha Berisha.

Menjëherë ka replikuar kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

“E nisi tek energjia elektrike e shkoi tek Kosova, por gjuha të shkon ku dhëmb dhëmbi. Sali ti e mbylle kohën tënde me shumë pika të zeza. Një prej tyre është sabotimi që i bëre pavarësisë energjetike të Kosovës, bllokove projektin e rëndësishëm të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Në këtë Kuvend ne e kemi denoncuar këtë sabotim, por historia jote nuk përfundon këtu. Ti i furnizoje me naftë Millosheviçin, Sali”, tha Taulant Balla.

Deputeti socialist i kujtoi Berishës se furnizonte me karburant makinerinë e luftës së Serbisë, teksa Milosheviçi bënte masakrat në Bosnjë.

Por ish-Kryeministri Berisha është përgjigjur se në kohën e luftës në ish-Jugosllavi, Bosnja ka marrë nga Shqipëria dhe Kroacia barut dhe gjyle.

Ai gjithashtu tha se projektet energjetike të Kosovës janë bllokuar nga Rama dhe miku i tij Vuçiç. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: LSA