BASTET, SHQIPTARËT MES KURSIMIT DHE ILEGALITETIT

BASTET, SHQIPTARËT MES KURSIMIT DHE ILEGALITETIT
VËZHGIM/ Mbyllja e lojërave të fatit ka bërë që shqiptarët të kursejnë deri 2 milionë USD në ditë, por shumë të tjerë vazhdojnë të luajnë në ilegalitet, madje te të njëjtat pika lojërash fati që një pjesë tani maskohen si bar-kafe

Në Shqipëri, prej 1 janarit 2019, asnjë pikë lojërash fati nuk ekziston më. Qeveria vendosi t’i mbyllë të gjitha kazinotë, lojërat e tjera të fatit, dyqanet e basteve dhe lotarive të ndryshme sportive. Megjithatë ajo vendosi të lejojë kazino në hotele me pesë yje dhe resorte turistike. Sakaq, janë ende në funksion edhe Lotaria Kombëtare pronë e një kompanie lodrash fati e kazinosh, si dhe Telebingo.

Lidhur me lojërat e fatit, ku vetëm pika bastesh ishin mbi 5 mijë dyqane në gjithë Shqipërinë, qeveria thotë se shqiptarët po kursejnë direkt në xhepat e tyre, të paktën 1.5 deri 2 milionë USD në ditë.

Zëdhënësja e Qeverisë, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në konferencën e përjavshme dje për mediat, tha se jo më pak se 50 milionë dollarë janë kursyer në shtëpitë e shqiptarëve, pas hyrjes, në fuqi në janar të ligjit për mbylljen e kazinove elektronike dhe basteve sportive.

Ministrja detajoi më tej shifrat: “Në janar 2018 në bastet sportive dhe kazinotë elektronike janë shpenzuar zyrtarisht 13 milionë dollarë, ose 1.3 miliardë lekë, pra një shifër e jashtëzakonshme. Në rast se do të shtonim projeksionin e aktivitetit të bixhozit në të zezë, atëherë jemi në rreth 35 milionë dollarë shtesë. Pra, në janar 2019, për shkak të ndalimit të bixhozit, afro 50 milionë dollarë janë kursyer nga shtëpitë e shqiptarëve”.

Sakaq nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit mësohet se janë mbyllur 4364 dyqane, ku zhvillohej veprimtari bixhozi.

Spiropali thotë se ky është një fakt pozitiv social: “Jemi krenarë që me vendosmëri ndërhymë në këtë aktivitet të vesit, në këtë gosti që ushqehej kryesisht me të varfrit dhe të pamundurit në lagjet tona”, - tha zonja Spiropali.

Por çfarë po ndodh me afro 5 mijë dyqanet e basteve që gjendeshin në vend?

Një vëzhgim i ynë evidenton se pjesa më e madhe e tyre janë rihapur me biznese të reja, kryesisht bar-kafe, dyqane rrobash e ushqimore.

Këtë e pohoi dje dhe Spiropali: “Në anën tjetër, në dhjetor-janar rezultojnë të regjistruara 2688 biznese të reja, të vogla, ku një pjesë e konsiderueshme janë biznese të krijuara në mjediset e basteve sportive dhe kazinove elektronike”.

Zonja Spiropali e komenton kështu këtë fakt: “Krijimi bizneseve të reja në ish-mjediset e bixhozit është dëshmia më qartë sesi ky ligj po rezulton në favor të shëndoshjes së ekonomisë dhe të çlirimit të familjeve shqiptare nga një barrë e rëndë ekonomike, sociale dhe psikologjike”.

Por dyqanet e basteve që ishin në pronësi të kompanive të mëdha të basteve dhe kazinove, vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura, duke hedhur dyshime se presin që situata të ndryshojë.

Sakaq, vëzhgimi ynë, evidenton faktin se në shumë dyqane bastesh që shumica ishin edhe bar-kafe, vazhdon biznesi i paligjshëm i lojërave të fatit.

Këtë e konfirmoi dhe Policia e Shtetit. Ajo pohon se thuajse çdo ditë evidenton dhe vë nën procedim penal disa persona të përfshirë në lojëra fati të paligjshme.

Në anën tjetër fakt është se në afro 5 mijë pika bastesh punonin të paktën 10 mijë qytetarë, pjesa më e madhe të rinj. Por Spiropali ka një tjetër këndvështrim për punën e tyre: “Shumica e këtyre punonjësve në fakt kanë qenë skllevër në këtë aktivitet, sepse shumicën e të ardhurave që ata fitonin përmes punës, e linin po në këto qendra të basteve, bixhozit dhe kazinove”. Megjithatë qeveria ka një plan për të ardhmen e tyre: “Të gjitha zyrat tonë të punësimit janë në gatishmëri përmes një projekti të posaçëm për ripunësimin, ritrajnimin dhe rikualifikimin e personave të cilët kanë qenë të punësuar në këtë aktivitet”.

 

Spiropali

“Futja e bizneseve deri në 140 mijë dollarë xhiro në vit në kategorinë e tatueshme vetëm me 5% do të sjellë më shumë formalizim, më shumë punësim gjatë këtij viti. Nga kjo politikë përfitojnë, jo pak, por 11.450 subjekte. Ashtu siç dëshmuam me paketën fiskale, jemi të vendosur të thellojmë politikat që shkojnë në favor të biznesit të vogël, të mesëm dhe të ndershëm që gjenerojnë ekonomi dhe punësim për pjesën më të madhe të shqiptarëve”.