Basha nga Vlora: Më 16 shkurt merrni në dorë fatet tuaja. Rama nga Korça: E kanë kot, s’na ndal asgjë

Basha nga Vlora: Më 16 shkurt merrni në dorë fatet tuaja. Rama nga Korça: E kanë kot, s’na ndal asgjë
Java e fundit e përgatitjeve për protestën e 16 shkurtit. Vazhdon turi i kreut të opozitës në qytete të ndryshme të e vendit. Kreu i PD-së Lulzim Basha iu ka sot bërë thirrje qytetarëve të Vlorës të vijnë në Tiranë më 16 shkurt në protestën e opozitës së bashkuar siç tha ai për të përmbysur këtë sistem të kalbur.

“A mund të mendojë për qytetarët, për investitorët një qeveri që ka ardhur në pushtet me paratë e krimit. Gjëja e fundit që të shkon në mendje janë hallet e njerëzve. Ardhja në pushtet e Edi Ramës është faktuar tashmë dhe nga Zëri i Amerikës si një grusht shteti.

“Ky sistem i kalbur duhet përmbysur. Rruga jonë drejt Europës do të mbetet e bllokuar, ne duhet ta çelim rrugën drejt Europës. Ne mund ta hapim atë derë vetëm duke shembur sistemin e kalbur që e mban peng Shqipërinë.

“Procesi politik ka marrë fund. Koha për fjalë ka mbaruar dhe më 16 shkurt është koha për vendimmarrje”, tha Basha në Vlorë.

Basha tha se rregulli numër një i Europës është që kur pushteti uzurpohet janë qytetarët që e çlirojnë. “Zëri juaj më 16 shkurt është vullneti i sovranit. Nuk e them thjesht si kryetari i opozitës por kam ardhur tua them si vlera e Europës ku duam të shkojmë. Më 16 shkurt t’i japim fund këtij grushti shteti. Duhet të merrni në dorë fatet tuaja. Kjo është ftesa që kam për ju, për çdo vlonjate e vlonjat, për socialistët e tradhtuar dhe të poshtëruar.

“Pritshmëritë e Europës janë tek i vetmi faktor që mund të sjellë ndryshimin dhe ky faktor jeni ju.

A ja vlen të luftoni për fëmijët tuaj? A ja vlen të luftoni për rininë shqiptare? Atëherë mblidhni forcat për t’i dhënë goditjen finale këtij pushteti. Do ketë vetëm një rezultat, Shqipëria e çliruar”, deklaroi Basha.

Por fakti që protesta do të zhvillohet të shtunën, pavarësisht kërcënimeve të opozitës që i kërkon Kryeministrit Edi Rama të largohet para 16 shkurtit, ka ngjallur edhe reagime të dyshimta, se ajo ditë është pushim, dhe se Kryeministria e ka ditë pushimi.

Sakaq, Kryeministri i vendit, Edi Rama ka prezantuar këtë të diel ambientet e reja të Bashkisë së Korçës. Përmes një videoje në Facebook, Rama u dërgon një mesazh kundërshtarëve, duke thënë se asgjë nuk i ndalon dot.

“Bashkia që Duam nuk është një slogan, po një model që na dallon qartë e më qartë, nga ata që na vonuan me dekada dhe që duan vetëm sherr e rrëmujë… E kanë kot, s’na ndal asgjë dot për të bërë dallimin e madh mes të ardhmes e të shkuarës”,- shkruan Rama.