“Auto-dekriminalizim”?! Pse i intereson PS-së moskandidimi i kryebashkiakëve me tre mandate?

“Auto-dekriminalizim”?! Pse i intereson PS-së moskandidimi  i kryebashkiakëve me tre mandate?
Kryetarëve që i kanë “qeverisur” bashkitë e tyre për tre herë me radhë, nuk duhet t’u jepet më shansi të jenë në krye të tyre sërish. Një kërkesë të tillë i ka drejtuar së fundmi Partia Socialiste, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili e ka hedhur poshtë atë. Por çfarë fshihet në të vërtetë pas saj? Përse kjo forcë politike del hapur kundër garimit në zgjedhjet vendore të qershorit të kryebashkiakëve që i kanë ezauruar tre mandate? Kujt kërkon t’ia ndalë “hovin” Partia Socialiste?

Të mos harrojmë se dy figura të njohura në rang vendi, që kanë plot tre mandate në krye të dy bashkive të rëndësishme i përkasin pikërisht asaj. Fjala është për Qazim Sejdinin e Bashkisë së Elbasanit dhe Vangjush Dakon e Bashkisë së Durrësit. Që të dy, eksponentë të njohur të kësaj partie, si edhe të pushtetit vendor. Por në të njëjtën kohë, edhe të përfshirë herë pas here në debate të forta politike, me një kosto aspak të vogël për socialistët. Kjo pasi ndaj tyre janë ngritur akuza mjaft të rënda, deri në përfshirje në trafikun e drogës në rastin e Sejdinit, apo përfshirje në aktivitete kriminale për Dakon. Madje të dy janë akuzuar gjithashtu nga opozita edhe se kanë bashkëpunuar me bandat, duke i përdorur ato për të blerë vota. Ndërsa jo më larg se dy ditë më parë, ka qenë vetë kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ai që tha publikisht se “gjatë këtyre ditëve pritet arrestimi i Vangjush Dakos”.

E gjendur në një situatë të tillë, a mos vallë Partia Socialiste kërkon që ta silurojë këtë figurë nga skena politike, për të mos iu faturuar më kosto prej tij? Apo ndoshta skenari i saj kundër Dakos dhe Sejdinit shkon edhe më larg? Duke marrë në konsideratë, pse jo, edhe variantin që ata mund të dalin edhe si kandidatë të pavarur në zgjedhjet vendore të qershorit, e kësisoj, ta braktisin Partinë Socialiste. Por kësaj të fundit, duket se nuk i vjen më shumë keq për këtë, sesa për faktin se ata mund t’i fitojnë këto zgjedhje, pikërisht falë investimit të tyre personal që kanë bërë për tre mandate rresht në krye të Bashkisë së Elbasanit dhe të Durrësit. Dhe duke ia rrëmbyer në këtë mënyrë PS-së këtë pjesë të majme të “tortës” së pushtetit vendor...

Nga ana tjetër, një analizë e anasjellë mund të bëhej edhe për dy bashkitë e tjera të rëndësishme, që drejtohen për tre mandate me radhë nga kryebashkiakë të Partisë Demokratike. Vora dhe Kamza, përbëjnë një pjesë tjetër të rëndësishme të kësaj “torte”, teksa figurojnë si dy bashkitë më fitimprurëse të vendit. Kjo pasi gjenden në “zemër” të zonës industriale dhe asaj urbane të vendit, e në këtë mënyrë arrijnë të “thithin” më shumë të ardhura se bashkitë e tjera, qofshin ato edhe me emër më të madh sesa ato. E mesa duket, përmes kërkesës së saj drejtuar KQZ-së, Partia Socialiste donte që t’ia hiqte nga “goja” rivales së saj politike këtë pjesë të majme të pushtetit vendor...

Një skenar ky mesa duket i thurur mjaft mirë e me fije të holla, të cilat arrijnë madje deri edhe në zonat minoritare të vendit, siç është Bashkia e Pustecit. Kryetari i saj, Edmond Themelko është një tjetër kryebashkiak, i cili mund të kandidojë aty për herën e katërt, por PS-ja ka gjasa që të ketë planifikuar përmes kërkesës së lartpërmendur, nxjerrjen edhe të tij nga “loja”.

Njësoj siç mund të thuhet edhe për kryetarin “tradicional” të bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, një tjetër pretendent për të disatën herë i saj. Edhe ai, një socialist i rënduar ndër vite me mjaft akuza kundër tij, deri në atë të “trafikimit të tetë femrave”. Pa harruar këtu, as faktin se sipas Prokurorisë, ai rezulton si i dënuar që nga viti 1983, me 4 muaj riedukim për akuzën e fyerjes dhe goditjes për shkak të detyrës, por edhe më pas, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, kundërshtim të forcave të policisë dhe veprime arbitrare e falsifikim dokumentash.

Të gjithë këta, emra përmes largimit të të cilëve, Partia Socialiste ndoshta po synon të realizojë një “dekriminalizim” të fytyrës së saj në pushtetin vendor. Për t’u pastruar kështu një herë e mirë nga akuzat, që e rënduan atë përmes tyre ndër vite...