AUDITIMI/ Reforma në drejtësi, KLSH: Gjyqtarët, të ngarkuar me dosje

AUDITIMI/ Reforma në drejtësi, KLSH: Gjyqtarët, të ngarkuar me dosje
Reforma në drejtësi, e cila ende po vijon zbatimin e saj ngjan se i ka vënë në vështirësi gjykatat e vendit. Kjo pasi ato gjenden të mbingarkuara me dosje, teksa janë duke u ngritur institucionet e reja të saj. Një dukuri e tillë është konfirmuar së fundmi edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas një auditimi të ushtruar prej tij në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë.

“Si pasojë e fluksit të regjistruar të çështjeve administrative për gjykim si dhe të gjykuara deri në momentin e hartimit të këtij materiali, u konstatua ngarkesë voluminoze së punës së gjyqtarëve, 70 dosje në muaj. Rrjedhimisht është i nevojshëm dhe i domosdoshëm shtimi i organikës”, konstaton KLSH-ja në auditivin përkatës. Duke sqaruar se “sistemi i drejtësisë është ende në proces reformimi, në pritje të krijimit të institucioneve ligjore të reja dhe si rrjedhim, edhe  Gjykata Administrative Apelit-Tiranë është në përshtatshmëri të veprimtarisë së saj me frymën e reformës në drejtësi”.

“Pikërisht, moskrijimi Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ), ka sjellë mosplotësimin e shtesës organike të strukturës me nëpunësve civilë gjyqësor dhe me punonjës së strukturës administrative, e cila është domosdoshmëri absolute, për kushtet dhe natyrën e punës së kësaj gjykate”, vijojnë më tej ekspertët e KLSH-së. Kjo, edhe pse në fakt KLGJ-ja tashmë është konstituuar, por duket se ajo ende nuk ka mundur të vërë në vend problematikat e krijuara gjatë kësaj kohe, kur i gjithë sistemi gjendet nën reformim.

Teksa sipas KLSH-së, është pikërisht kompetencë e KLGJ-së, këtij organi të ri gjyqësor në vend, që do miratojë rregulloren të funksionimit të gjykatave, e cila do të jetë unike për të gjitha gjykatat në Shqipëri. Ndërsa është fakt se gjyqtarë të shumtë tashmë janë shkarkuar nga procesi tashmë i njohur si “vetingu” dhe e kanë lënë në ngërç punën e gjumë gjykatave në rang vendi, madje edhe atyre të nivelit të lartë siç është ajo Kushtetuese, apo Gjykata e Lartë.

“Të gjendet mundësia e dhënies së fondeve buxhetore për shtimin e strukturës organike me sekretarë gjyqësore dhe punonjës së strukturës administrative, në mënyrë që të sigurohet pavarësia e gjyqësorit, duke iu përgjigjur në kohë gjykimin e çështjeve administrative”, rekomandon mes të tjerash KLSH-ja.

 

Gjykata e Lartë, një tjetër gjykatë në vend super e ngarkuar me dosje

Përveç Gjykatës Administrative të Apelit, një tjetër gjykatë në vend që figuron mjaft e ngarkuar me dosje është edhe ajo e Lartë. Sipas shifrave të përfolura në media së fundmi, janë rreth 30 mijë dosje pezull të vendosura në salla, korridore dhe zyrat e gjyqtarëve. Aktualisht, Gjykata e Lartë shqyrton çështjet urgjente dhe kalendari i aktiviteteve të saj ka mbetur që në vitin 2014. Ndërsa çdo ditë në këtë gjykatë paraqiten rreth 50 kërkesa për gjyqe, ndërsa dhjetëra mijë persona janë në pritje të radhës prej disa vitesh. Një problem ky i mbartur në vite dhe që ka dalë në sipërfaqe vetëm kur ky organ i lartë gjyqësor mbeti vetëm me katër anëtarë, për shkak të rezultateve të procesit të vetingut.