Arben Ristani: Nga protesta e 16 shkurtit presim shumë zhvillime

Arben Ristani: Nga protesta e 16 shkurtit presim shumë zhvillime
Intervistë me deputetin Arben Ristani, fitues në Këshillin e ri Kombëtar të PD-së

Opozita po përpiqet të sigurojë zgjedhje të parakohshme ndaj ka thirrur një protestë kombëtare më 16 shkurt duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Po ashtu, liderët opozitarë, i kanë vënë ultimatum datën 15 shkurt kryeministrit që të largohet dhe të krijohet një qeveri teknike transitore e cila të përgatisë zgjedhjet e parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale që janë fiksuar për në fund të qershorit.

Arben Ristani, ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ish zv/ministër i Brendshëm, është aktualisht anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe deputet i saj. Në këtë intervistë me Albanian Free Press, z.Ristani flet për këto zhvillime dhe të tjera të aktualitetit shqiptar.

 

Intervistoi: Albert Zholi

Më 16 shkurt opozita ka thirrur në Tiranë një protestë masive kundër mënyrës së qeverisjes së kabinetit “Rama”. Cili do jetë qëllimi kryesor i saj?

Arsyeja e protestës do të jetë krimi që sundon kudo në qytete shqiptare. Arsyeja e protestës është arroganca e qeverisjes. Arsyeja e protestës është mënyra se si i administron kjo qeveri pasuritë e shqiptarëve. Arsyeja e protestës është ftohja e lidhjeve të qeveritarëve me popullin dhe halleve të mëdha të shqiptarëve. Arsyeja është varfëria e madhe e shqiptarëve. Pra arsyet janë të shumta, problemet janë të shumta dhe për çdo gjë përgjegjëse është kjo qeveri.

Mendoni se pas kësaj proteste do të ketë zhvillime të reja?

Besoj se do të ketë shumë zhvillime, se vetë problemet e shumta në Shqipëri i kërkojnë këto zhvillime, vetë varfëria dhe mënyra e qeverisjes i kërkojnë këto zhvillime. Këto zhvillime i kërkojnë vetë shqiptarët, i kërkojnë zhvillimet në botë, i kërkojnë vetë dëshirat e këtij populli të lodhur nga hallet për të ecur përpara drejt Evropës.

Protesta e opozitës vjen në një kohë kur ende vazhdon protesta e studentëve. Cili është mendimi juaj për kërkesat e studentëve?

Absolutisht po që kërkesat e studentëve janë tërësisht të drejta, janë kërkesa bazike për jetën e tyre për të vazhduar normalisht studimet. E para dua të theksoj se e drejta e tyre vjen në radhë të parë nga dështimi i Reformës në Arsim. Kjo Reformë e propaganduar me forcë ka dështuar tërësisht në çdo qelizë të saj. Pra kur dështon një reformë e tillë sigurisht që studentët nisen nga diçka konkrete serioze në kresat e tyre që tashmë po përkrahen nga gjithë populli. Pas Reformës ën Arsim po ashtu themi se dështoi dhe Reforma Territoriale, dështoi Reforma ën Shëndetësi, dështoi Reforma në drejtësi dhe dështuan dhe shumë kategori reformash të tjera në jetën hallemadhe të shqiptarëve. Kushdo që ka ndjekur protestën e studentëve u jep të drejtë pasi ato kanë të bëjnë me kushtet e jetesës në konvikte, me kushtet e shkollimit, arsimimit, me kushtet e pagesës që ata kryejnë, me cilësinë e mësimdhënies. Pra janë një tërësi kërkesash tërësisht të drejta, të vërteta, konkrete, të evidentueshme që studentët i kërkojmë në mënyrë shumë korrekte. Janë një sërë komponentësh që i shqetësojnë studentët dhe që i bën ata me të drejtë të protestojnë. Pra një protestë e ligjshme me kërkesa shumë normale që i kanë studentët kudo në botë. Por qeveria bën veshin e shurdhër se nuk i interesojnë problemet e shumta, pasi ka shumë probleme të tjera që ata i kanë hapur vetes por që ndikojnë mbi popullin shqiptar.

 

 

Zgjedhjet e reja në PD, a do të sjellin një frymë të re, një mobilizim ndryshe për të qenë më pranë zhvillimeve në vend?

PD është një parti reformuese, që gjithmonë reformon vetveten, një parti që duhet të udhëheqë këtë vend pasi e ka treguar që në demokraci ka drejtuar këtë vend mbi 13 vjet. Me të drejtë ju pyesni për procesin e ri në PD pasi është e vërtetë që PD është në proces ndryshimi, reformimi, për t’iu përgjigjur zhvillimeve të fundit në vend, për t’ju përgjigjur nevojave të reja të shqiptarëve, për t’ju përgjigjur atyre kërkesave që kërkon integrimi në BE. Shqipëria e meriton, shqiptarët e meritojnë për të qene pjesë e BE por është kjo keqqeverisje që po e lë jashtë dyerve të saj. Pra PD është në një proces që e kërkon koha pasi PD gjithmonë është parti zhvillimore që merr përgjegjësi reale në kërkesat e shqiptarëve për të qenë sa më parë pjesë e BE. Dhe jemi dëshmitarë se proceset më zhvillimore drejt integrimit euroatlantik kanë marrë rrugën e duhur kur në pushtet ka qenë PD. Në këto kushte të politikës shqiptare me sa shihet qeveria e Ramës do të marrë për herë të tretë radhazi mosmiratimin për hapjen e negociatave. Kjo tregon se PD është dhe do të jetë e vetmja parti e cila mund të çojë në vend aspiratat e shqiptarëve për të qenë pjesë shoqërisë dhe familjes së madhe Evropiane.

Në këto kushte, kur flitet për një krizë qeveritare, Rama bëri ndryshimet e reja në qeveri. Si do t’i komentoni këto ndryshime, a ishin të goditura dhe si janë pritur?

Rama gjatë gjithë kohës që ka drejtuar vendin ka treguar se bën qeverisja sa për fasadë. Pra s’ka thelb qeverisje. Pra edhe këto ndryshime janë pjesë e fasadës së qeverisë së parë, janë ndryshime kozmetike që nuk sjellin asgjë të re, nuk sjellin asnjë zhvillim përkundrazi e thellojnë krizën. Aq më tepër që sjell në krye të ministrave njerëz pa përvojë, njerëz të panjohur pa CV që nuk njohin ashtu siç duhet detyrën e tyre dhe që nuk mund të pritet asnjë zhvillim interesant në ministritë që ata tashmë do të drejtojnë. Pra këta ministra janë vetëm ata që dëshiron Rama ti ketë nën urdhra gjë që dëshmon dhe njëherë atë që thashë më lart që në qeverisje Rama ka si objektiv fasadën dhe jo thelbin e qeverisjes. Ky është ngërçi i tij, pasi nuk mund të ketë qeverisje të suksesshme pa thelb por të mbështetur vetëm në fasadë. Fasada mbetet fasadë pa asgjë thelbësore brenda gjë që sjell dështimin e pashmangshëm. Pra këto ndryshime Rama i ka bërë për tu hedhur hy syve shqiptarëve për të shtyrë ditët e veta në pushtet. Pra me këtë donte të thoshte i gjeti shkaktarët e dështimit dhe tani do kemi mirëqeverisje, por harron se populli tashmë është mësuar me fasadat e tij.

Zëri Amerikës hodhi një dritë të re mbi zgjedhjet e 2017, ku sugjeron se sipas përgjimeve në disa zona të vendit vota është blerë, cili është mendimi juaj?

Zëri i Amerikës tha një të vërtetë që shqiptarët e dinë. Por ky zë përforcoi një të vërtetë që shqiptarët e kishin harruar paksa por që PD e ka thënë gjithmonë që zgjedhjet e 2017 u blenë me lekët e drogës, hashashit dhe krimit. Por mund të themi se edhe zgjedhjet lokale në Dibër janë blerë në këtë mënyrë. Paratë e pista blenë votën për të ndryshuar situatën zgjedhore për të përmbysur rezultatin real dhe korrekt të qytetarëve të ndershëm.

Në këto kushte mendoni se do të kemi zgjedhje të parakohshme?

Unë besoj në radhë të parë se vendi ka nevojë për ndryshim madje për ndryshim të madh. Ndryshimi duhet të jetë i shpejtë se koha nuk pret. A do jenë zgjedhjet lokale së bashku me ato parlamentare nuk mund ta them të sigurt por besoj në atë që ndryshimi do jetë i shpejtë, do jetë i domosdoshëm. Njëkohësisht e them se ndryshimi do vijë nëpërmjet zgjedhjeve dhe zgjedhjet do te jenë para afatit kohor, në një moment të përshtatshëm dhe real. Zgjedhjet do të jenë në një moment normal pasi i kërkon koha, kriza qeveritare, arroganca qeverisje. Kjo është e vetmja rrugë për daljen nga kriza dhe shqiptarët e kuptojnë shumë qartë.