VIDEO/ Dhunë mbi studentët e ngujuar: Te Ekonomiku ndërhyjnë “Shqiponjat”, te Juridiku policia private

VIDEO/ Dhunë mbi studentët e ngujuar: Te Ekonomiku ndërhyjnë “Shqiponjat”, te Juridiku policia private
Nata dhe paraditja e sotme kanë shënuar episode përplasjesh mes studentëve të ngujuar në ambientet e dy fakulteteve dhe Policisë së Shtetit dhe asaj private.

Ndërsa hyrjet e Fakultetit Juridik dhe atij të Ekonomisë janë bllokuar me karrike e tavolina, efektivët e dy policive kanë tentuar të heqin barrikadat.

Pas një nate të kaluar pa drita, me qirinj, studentët protestues të Fakultetit Ekonomik, janë përballur paraditen e sotme me efektivë të Policisë së Shtetit.

Dhjetëra uniforma blu kanë hyrë në ambientet e fakultetit, ndërsa studentët kanë deklaruar përpara mediave se janë dhunuar nga policia.

Videot e transmetuara në media dhe rrjete sociale tregojnë përplasje fizike mes dy palëve.

Aktualisht, Policia e Shtetit është tërhequr nga ambientet e brendshme të Ekonomikut, ndërkohë që ka një prani të shtuar të policisë private.

Ka qenë policia private ajo që ka tentuar të ndërhyjë edhe në Fakultetin Juridik, ku dhjetëra studentë kanë kaluar natën në ngujim.

Policia private ka tentuar t’i nxjerrin me forcë studentët jashtë fakultetit.

Për përplasjet e 12 orëve të fundit, ka reaguar edhe ish-Kryeministri, Sali Berisha.

Sipas tij, mes policëve privatë ka patur edhe punonjës të Policisë së Shtetit, të veshura me uniforma të policisë private.

“Rama urdhëron terroristë të narkopolicisë, të veshur me uniforma të Policisë private, të ndërhyjnë me forcë dhe dhunë pas mesnate, kundër studentëve të ngujuar të Fakultetit Juridik. Krim i shëmtuar!” shkruan Berisha. /a.a/ Albanian Free Press Online/