“Varjen në pemë po e mendojmë!”, Veliaj “i përgjigjet” Ramës, me mbjelljen e 2 milionë pemëve të tjera

“Varjen në pemë po e mendojmë!”, Veliaj “i përgjigjet” Ramës, me mbjelljen e 2 milionë pemëve të tjera
Një ditë pasi Kryeministri Edi Rama kishte sqaruar deklaratat apo ironinë e bërë pak ditë më parë në media ku thoshte se Erion Veliaj do të varet në një nga pemët që ai vetë ka mbjellë, si i përfolur se qëndron në krye të një “grupi armiqësor”, madje edhe si organizator i protestës së studentëve për të marrë drejtimin e qeverisë në të ardhmen,  kryebashkiaku i Tiranës Eron Veliaj shprehu sot ambicien e radhës, për mbjelljen e 2 milionë pemëve të reja në kryeqytet, me qëllim për të krijuar një mjedis më të mirë për qytetarët.

I pyetur rreth asaj që deklaroi mbi Veliajn, kryeministri Rama në emisionin e Ermal Mamaqit në Tv KLAN, nuk shmangu edhe ironitë e radhës. Mamaqi ishte maskuar madje si Veliaj, në një spot, duke mbjedhur pemë, për të parë reagimin e kryeministrit. Rama i tha fillimisht se Veliaj i gjen gropat gati sa për të dalë para kamerave, ndryshe nga Ermal Mamaqi, i cili në rastin konkret ishte përpjekur të hapte vetë një gropë për të mbjellur pemë: “Vërtet jemi këtu për të qeshur, po s’është për të qeshur. Kam pasur dyshimet e mia, por tani që nxorre këtë videon, ka shumë mundësi se janë konspiracione që zhvillohen me figura mediatike për të krijuar influencë. Do të vijë radha dhe ty. Atë të varjes do ta mendojmë pak, se pemët që ka mbjellë ai, janë të holla, e po t’ju varim aty këputen. Ti i varur nuk i duhesh dreqit, ty do të të rruajmë, do të veshim pizhame e do të të çojmë në punë të detyruar se ngele duke ardhur vërdallë.”

Por megjithatë, nisma për mbjelljen e pemëve në bashkinë e Tiranës ka nisur edhe më e fuqishme për vitin 2019. Madje sot kryetari i bashkisë Erion Veliaj bëri pjesë të kësaj fushate sensibilizuese për gjelbërimin e qytetit, profesorin dhe përkthyesin e gjuhës frënge, Ilia Lëngu.

Veliaj shprehu ambicien për mbjelljen e 2 milionë pemëve të reja në kryeqytet, duke krijuar një mjedis më të mirë për qytetarët. “Nisma jonë për të mbjellë dy milionë pemë deri në vitin 2030 nuk bëhet dot realitet nëse njerëz të mirë të këtij qyteti, si profesor Ilia, nuk na japin një dorë. Ajo që mua më pëlqen më shumë është pasioni i tij për të qenë vullnetar i këtij qyteti.”

Profesor Lëngu, vizitor besnik i parkut të Tiranës që prej vitit 1970,  dy manjolat që mbolli tha se ishin dhuratë për vajzën dhe mbesën e tij.

Gjithsesi, Veliaj për të realizuar ambicjen e tij të radhës si kryebashkiak i kryeqytetit, duhet të marrë besimin dhe pëlqimin e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, për të kandiduar sërish para se ai mund të fitojë një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës.

Marrëdhënia e fundit brenda PS-së mes kryebashkiakut Veliaj dhe Kryeministrit Rama mund të konsiderohet edhe më e komplikuar nga qëndrimi i partive opozitare. Edhe pse zgjedhjet lokale po afrojnë, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi jo vetëm që nuk sqaroi se a ka sot opozita një kandidaturë serioze për të rimarrë kryeqytetin (qoftë një kandidaturë e përbashkët me PD-në), por vlerësoi Veliajn për punën që ka bërë deri tani në krye të baskisë. Madje Kryemadhi pretendoi pak ditë më parë se ajo e sheh kryebashkiakun aktual më tepër si kryeministër sesa fitues të një mandati të dytë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: