Turizmi, Shqipëria po frekuentohet nga të huajt edhe gjatë stinës së dimrit

Turizmi, Shqipëria po frekuentohet nga të huajt edhe gjatë stinës së dimrit
“Në muajin dhjetor 2018, hyrjet e shtetasve të huaj në vend, krahasuar me dhjetorin e vitit 2017, u rritën me nivelin prej 9%”, pohojnë ekspertët e INSTAT-it

Jo vetëm gjatë stinës së nxehtë, por edhe gjatë asaj të dimrit. Shqipëria tashmë është kthyer në një vend, të cilit nuk po i mungojnë turistët e huaj edhe në stinën e ftohtë. Këtë dukuri e konfirmojnë të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilave rezulton se gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar u shënua një rritje e të huajve që kanë vizituar tokën shqiptare. “Në muajin dhjetor 2018, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 280.699. Krahasuar me dhjetorin e vitit 2017, ky numër është rritur me nivelin prej 9%”, pohojnë ekspertët e INSTAT-it. Duke vijuar se në tërësinë e tij, viti i kaluar shënoi një prurje më të madhe të huajsh se një vit më parë. “Hyrjet e shtetasve të huaj në vendin tonë në vitin 2018, janë 5.926.803 duke u rritur me nivelin prej 15.8%, në krahasim me vitin 2017”, shtojnë ekspertët, mbi këtë dukuri. Ku sipas tyre, vetëm gjatë muajit dhjetor, bie në sy se ndër vendet që shënuan hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Greqia ka patur rritjen më të madhe me nivelin prej 86.2%. “Kurse uljen më të madhe e kanë pasur shtetasit nga Polonia me nivelin prej -32.2%”. Kjo ndoshta edhe me faktin se gjatë gjithë vitit të kaluar, kanë qenë pikërisht këta të fundit që kanë shënuar edhe numrin më të lartë të vizitave të tyre drejt Shqipërisë, me një rritje deri në 34.2%. Dhe mesa duket, afrimi i stinës së ftohtë i ka larguar ata në mënyrë të menjëhershme nga plazhet shqiptare, çka është shoqëruar edhe me një rënie drastike të mbërritjeve të tyre drejt tokës shqiptare. Gjë e cila në fakt nuk mund të thuhet aspak për shtetasin nga Kosova, të cilët nëse i fusim tek kategoria e turistëve të huaj rezultojnë me shtim të vizitave të tyre gjatë muajit dhjetor të kaluar, edhe pse ai nuk ka qenë aspak sezon plazhi, ku ata mbushin rivierën shqiptare. Po sipas INSTAT-it, rezulton se vizitorët nga Kosova gjatë muajit dhjetor 2018 kanë qenë 38.6% më shumë se në dhjetorin e kaluar. Çka tregon se ata e kanë përzgjedhur Shqipërinë edhe si një destinacion për festat e fundvitit. Gjë e cila në fakt duket se nuk ka ndodhur fare me Maqedoninë, shtetin tjetër fqinj ku jetojnë mjaft shqiptarë. Nëse i referohemi sërish Institutit të Statistikave konstatohet se rënia e vizitave të shtetasve nga Maqedonia drejt Shqipërisë në muajin dhjetor 2018 ka qenë rreth -40% më e ulët se në dhjetorin e mëparshëm, 2017.

 

Mesdhetarët nuk heqin dorë nga ne, po na vizitojnë përgjatë gjithë vitit

Ata duket se janë ndër turistët më “besnikë”. Fjala është për ata që vijnë nga vendet e ngrohta mesdhetare të tilla si Italia, Greqia apo edhe Spanja. Shifrat e mbërritjeve të tyre drejt Shqipërisë rezultojnë në rritje nga viti në vit, duke folur kështu qartë për një preferencë të shtuar të Shqipërisë si një destinacion më tepër për udhëtimet e tyre. Kështu, nëse iu referohemi të dhënave të Institutit të Statistikave rezulton se vizitorët nga Italia gjatë vitit të shkuar 2018 kanë shënuar një nivel rritës deri në 20%. Kurse ata nga Greqia 13% dhe Katanga Spanja deri 12%. Kjo lidhet edhe me faktin se shumë prej tyre e konsiderojnë tashmë vendin tonë si pjesë të tureve ballkanike e kësisoj, e kanë të renditur atë shpesh në listën e vendeve që duhet të vizitojnë në kuadrine  këtyre tureve. Nga ana tjetër, ajo që bie në sy është edhe rritja e dukshme e vizitorëve të huaj drejt Shqipërisë nga vende të tilla të Evropës Qendrore si Gjermania, deri në 17% dhe asaj Lindore si Polonia, deri në 34%. Pa harruar as amerikanët, të cilët duhet thënë se kanë shënuar gjithashtunjë numër më të lartë të vizitave të tyre drejt tokës shqiptare gjatë vitit të kaluar, deri në nivelin prej 20%.

 

Të huajt vijnë, kurse shqiptarët largohen

Ndërsa gjithmonë e më shumë të huaj preferojnë të vizitojnë vendin tonë, të shumtë në numër janë edhe ata qytetarë vendas që largohen prej tij. Kjo dukuri e anasjellë konfirmohet nga të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilave rezulton se numri i tyre ka qenë më i madh në fundvitin e kaluar, krahasuar me periudha të tjera të vitit. “Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit dhjetor 2018, janë 446.032 dhe krahasuar me muajin dhjetor 2017, ky numër është rritur me nivelin prej 11.7%”, konfirmojnë ekspertët e INSTAT-it rreth kësaj. Dukuri kjo e cila lidhet mesa duket me një trend gjithmonë e në rritje nga viti në vit të shqiptarëve për t’i kaluar festat e fundvitit jashtë shtetit të tyre, e duke zgjedhur destinacione të tjera. Trend ky në fakt, i cili duhet thënë se është vënë re përgjatë gjithë vitit, edhe pse në nivele më të ulëta, por që vërteton gjithmonë e më shumë idenë se shqiptarët kanë nisur tashmë të organizohen për ta vizitohu dhe njohur nga afër botën, përmes paketave apo udhëtimeve të ndryshme turistike. “Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i vendit tonë në vitin 2018 janë 5.415.071, duke u rritur me nivelin prej 4.4%, krahasuar me një vit më parë”, ka vlerësuar Instituti i Statistikave rreth kësaj dukurie.

Një trend gjithmonë e në rritje nga viti në vit i shqiptarëve, për t’i kaluar festat e fundvitit jashtë shtetit të tyre

11.7%

U rrit numri i daljeve të shtetasve shqiptarë gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar 2018, në krahasim me muajin dhjetor 2017, ose 446.032 në shifra konkrete të tyre

 

DUKURIA/ Ende shumë të huaj që vijnë për qëllime fetare apo shëndetësore

Ka ende shumë të huaj që vijnë në Shqipëri për qëllime fetare, apo edhe për qëllime shëndetësore. Dukuri kjo e konfirmuar nga të dhënat e INSTAT-it, sipas të cilave rezulton se vetëm gjatë muajit dhjetor të kaluar, kategoria e të parëve ka shënuar një rritje deri në nivelin prej 86%. Kurse të dytët, kane qenë gati po aq të shumtë, deri në nivelin prej 79%. Rritje këto të konfirmuara edhe gjatë gjithë vitit të kaluar. Sikundër, vihet re edhe një shtim i të huajve që vijnë për qëllime biznesi në vendin tonë.