TIRANIA E PAKICËS - KOMENT NGA FRROK ÇUPI

TIRANIA E PAKICËS - KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Jemi kthyer prapa; prapa ndoshta ngaqë prej vitit 1990 kur ia nisëm për herën e fundit, nuk bëmë dot Demokraci. Nuk bëmë dot as edhe një sistem tjetër vlerash e rregullash. Demokracia pa demokratë nuk reziston, ajo kthehet o në tirani, o në anarki, o në autokraci. Tani ja ku jemi, po na ‘shtyp’ edhe pakica:

1.

100 studentë kanë pushtuar selitë e universiteteve ku mësojnë 14, 000 studentë. 14 mijë janë strukur nga frika e 100 vetëve, ose mund të jenë edhe më pak. Shumica nuk guxon as të shkojë në shkollë, as të dialogojë me qeverinë për të drejtat që kërkon. Mes 140 mijtëve ka edhe një pakicë tjetër: Ata që po quhen ‘ngelsa’, d.m.th. studentët që përsërisin vitin shkollor që nga 19 vjeç deri në pleqëri.

2.

Kombit i ka zënë rrugën ‘ngadalësimi’ ose ngelsat. Jo vetëm ngelsat në klasë, d.m.th., në shkollë. Ngelsat, d.m.th. ata që ngelin në vend, kanë vënë veton para shumicës që tenton të ecë shpejt. Gjysmë shekulli në komunizëm u ndamë nga bota e përparuar veç pse ndalëm shpejtësinë; jo vetëm ne por edhe ‘kampi socialist’ u mbyll në qivur dhe nuk eci. Ndërsa ‘borgjezia e mallkuar’ vrapoi; vrapoi me dijet, teknikat, shpikjet, tregtinë, ndërtimet...

3.

Vetë kombi është gozhduar para ngelësve. Deri tani është ngritur kulti i tyre, duke nisur që nga studentët e deri te dembelët, abuzivët, parazitët. Thuaj po të duash se ‘ngelsat’ duhet të hapin rrugën, ata i hidhen në fyt edhe rrapit në rrugë. Krijohet përshtypja se ky është kombi që nuk e do shkollën, as punën, as lëvizjen, as shpejtësinë (!). Një student që paska qenë ngelës në Tiranë më vonë paska hyrë në administratën e Berlinit, dhe këtu u përcoll si ‘heroizëm’... Pakica që nuk e do shpejtësinë, as diturinë, as lodhjen..., kjo po zë rrugën si ‘model’.

4.

Ata që kanë zënë pronat e të tjerëve, tashmë pas tre dekada, duhej të kishin mbetur ‘pakicë’. Në vitet e çmendura kur të gjithë zunë pronat e tjetrit, para tre dekadash, pronarët u fshehën nga turmat. Edhe pse pronarët numerikisht ishin pakicë, në fakt mbanin në duar shumicën e vlerës së vendit. Akoma, sot e kësaj dite, 10 vetë që kanë zaptuar perëndimin e Tiranës, imponohen para gjithë kombit. Kombi do drejtësinë e pronave, do rrugë, do zhvillim, por një grusht banorësh që zaptuan në vitet e çmendura, kanë zënë rrugën.

5.

Kanë marrë rolin e shumicës- vrasësit, përdhunuesit, kriminelët, mashtruesit. Numerikisht këta janë pakicë e pakicave, por të gjithë ua kanë frikën; të gjithë më mbrëmje mbyllin dyert me katër lloze dhe i thërrasin fëmijët e gratë në shtëpi ‘pa u errur’. Politika e ka kthyer në ‘mall’ krimin; e shet shtrenjtë sa herë do vota dhe pushtet. Politika opozitare nuk flet për asgjë veçse për krimin; e ktheu krimin në ‘kalë fitoreje’. Janë helmuar shumica. Kuvendi, thonë se ka ‘vetëm kriminelë’, edhe qeveria ‘vetëm kriminelë’, edhe biznesi ‘vetëm kriminelë’... Pra do të thotë se shumicën e ka krimi në dorë; pakicën e kthejnë shumicë.- ky është tmerri i politikës.

6.

Të gjithë kanë frikë para pakicës. Kanë frikë para lesbikëve dhe leprozëve; kanë frikë nga injorantët që kanë zënë ekranet dhe zyrat e administratës, kanë frikë nga ata që blejnë vota duke bërë llogari ‘shumice’: “8 vetë nga 5 mijë lek bëjnë 40 mijë’, ose ‘të gjithë e shesin votën majtas e djathtas, pse unë jo!’; frikë nga minoranca politike, frikë nga minoranca që flet fjalë të ndyra në tribuna; frikë nga shpifjet; frikë nga polici dhe media...

Çfarë të bëjmë?

Andej nga kemi ardhur nuk kthehemi dot... Kemi ardhur nga sundimi i pakicës në ‘diktaturën e proletariatit!’ E shikoni, sa djallëzor është përcaktimi: ‘diktatura e të gjithëve’, kur në fakt ishte diktaturë e pakicës terroriste... Po çfarë të bëjmë? Po të kishim shtetin kujdestar të shumicës- atëherë të gjithë do të dilnim nga shtëpitë pa frikë, të gjithë nuk do të pranonim ‘ngelësit’ në krye... As këtë nuk e kemi... Atëherë?... Presim edhe 4 mijë vjet më shumë?

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: