Studentët ngujohen në fakultete: Rama, plotëso kërkesat ose ik

Studentët ngujohen në fakultete: Rama, plotëso kërkesat ose ik
Të rinjtë kanë bllokuar dyert e universiteteve. Reagon Rama duke i quajtur këto akte si maskarada, ndërsa ka bërë me dije se të gjitha universitetet kanë të dhënat për mbështetjen financiare që do t’u bëhet studentëve sipas kategorive. Nga sot, gati portali për punësimin e më të mirëve në administratë

Studentët duket se kanë zgjedhur një strategji të re për të protestuar në lidhje me kërkesat e tyre. Ata nisën dje të “ngujohen” në çdo fakultet duke mos lejuar që të zhvillohet mësim e njëkohësisht shpalosën thirrjen që Rama të plotësojë kërkesat e tyre ose ndryshe të dorëhiqet.

Fillimisht ishin studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, ata që u kyçën brenda duke bllokuar hyrjet me karrige dhe më pas ata të Shkencave Sociale. Me të njëjtin vendim kanë dalë edhe studentët te Fakulteti i Ekonomikut, Politeknikut, Filologjikut, etj. Por kjo gjë është shtrirë dhe në universitetet e rretheve. Ata janë shprehur se deri në plotësimin e kushteve nuk do të rifillojë mësimi. Protesta është rikthyer edhe në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ku studentët kanë kërkuar plotësimin e tashmë nëntë kërkesave drejtuar kryeministrit dhe Ministrisë së Arsimit. Ata kanë kërkuar plotësimin e kërkesave të studentëve nga ana e kryeministrit Rama ose dorëheqjen e tij, një kërkesë kjo e paartikuluar më parë.

Nga ana tjetër kreu i qeverisë këto akte i ka quajtur si maskarada, ndërsa ka bërë me dije se nga sot fillon punësimi i studentëve më të mirë në administratë, ndërkohë që po gjatë ditës së sotme sekretaritë e universiteteve kanë të dhënat e studentëve në lidhje me përfitimet që ata kanë sa i takon bursave dhe pagesave të reduktuara, pas marrjes së vendimeve në ditët e fundit të 2018.

Rama ka dënuar agresionin siç e quajti ai, të disa studentëve që po pengojnë mësimin në universitete duke bllokuar ato. Teksa ka shprehur përbuzje edhe për politikën, Rama tha: “U kërkoj ndjesë e mirëkuptim studentëve e prindërve, që përmes mijëra mesazhesh ankohen për pengimin e dhunshëm të mësimit. Përbuzje për politikën që fshihet pas këtij agresioni të papranueshëm ndaj universitetit. Kjo maskaradë s’do ta devijojë dot rrugën e nisur me studentët.”

Rama ka bërë të ditur gjithashtu se universitetet kanë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit listat e studentëve që do të përfitojnë mbështetjen financiare dhe se Ministria e Financave ka nisur punën për alokimin e fondeve. Po ashtu ai njoftoi se sot (e premte) do të prezantohet programi i punësimit të studentëve në administratë. “Nesër është gati për prezantim publik portali i Programit të ri Kombëtar të Punësimit në administratë të studentëve më të mire. Ky program është një nga risitë e reflektimit mbi protestën, i cili na çoi shumë përtej 8 kërkesave. Qentë le të lehin ne do shkojmë së bashku përpara”.

Flasin studentët

Në fakultetin e Drejtësisë, studentët janë ngujuar në klasa. Ata janë shprehur se do të qëndrojnë aty deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa kanë bllokuar dyert duke vendosur bankat e karrige.

Studentët e ngujuar brenda Fakultetit të Juridikut thotë se kjo ishte alternativa e fundit e mbetur pas protestave të mëdha të Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë. Studentët e ngujuar janë nga bachelor dhe master. Ata apelojnë policinë të mos ndërhyjë në bojkotin e tyre, pasi kanë bllokuar vetëm ambientet ku ata bëjnë mësim dhe jo administratën. “Kemi marrë lajmërim se do të ndërhyjnë forcat e policisë. Kemi bllokuar vetëm ambientet ku bëjmë mësim, me ambientet e administratës nuk kemi punë. U bëjmë thirrje forcave të policisë të mos na shqetësojnë në bojkotin tonë”, - tha një prej studentëve. Sipas tyre kjo ishte një nga alternativat e mbetura për t’u dëgjuar zëri.

Fakti i bojkotit pohohet dhe nga studentë të tjerë: “Nuk kemi pasur studentë që kërkojnë mësim. Shumica kanë vendosur për bojkot. Disa rrinë brenda, ndërsa të tjerë do ta mbështesin nga jashtë. Kemi kërkuar përgjysmim të tarifave për çdo cikël studimi. Nuk kemi asgjë me pedagogët, dekanin. E kemi me qeverinë. Forcat e policisë të qëndrojnë larg kësaj proteste”, - tha një tjetër student.

Në kryeqytet, mësim u zhvillua vetëm tek fakulteti i Mjekësisë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: