Strakosha, mes 15 lojtarëve “me kohë të plotë” në Seria A

Strakosha, mes 15 lojtarëve “me kohë të plotë” në Seria A
Portieri kuqezi i Lazio ka luajtur titullar në 19 ndeshjet e deritanishme të kampionatit italian, sikurse vetëm 15 lojtar të Seria A. Ai ndan të njëjtin sukses me ata të Inter e Milan 

Aranit Muraçi

Thomas Strakosha e mbylli pjesën e parë të këtij sezoni me ekipin e Seria A të Lazio, si titullar në plot 19 ndeshje, ose si portieri i vetëm që ka mbrojtur portën pa u zëvendësuar asnjëherë. Ai dhe futbollisti tjetër Francesco Acerbi  janë dy lojtarët e vetëm të Lazio, të cilët janë aktivizuar nga trajneri i tyre Simeone në të gjitha ndeshjet.

Por ajo që ka më tepër rëndësi, Thomas Strakosha është mes 15 lojtarëve të Seria A, që kanë luajtur të gjitha ndeshjet e deritanishme. Dhe për faktin se portierët ndërrohen më rrallë, janë pikërisht këta që dominojnë listën. Ai bën pjesë mes portierëve të Inter e Milan,  respektivisht Samir Handanovic  dhe Gianluigi Donnumma. Sa i përket pësimit të golave, portieri i Kombëtares shqiptare, renditen pas pikërisht dy portierëve të Milan dhe Inter, si dhe dy ekipeve kryesuese, Juventus e Napoli. Por ndryshe nga Strakosha, dy portierët Wojciech Szczesny dhe Alex Meret janë ndërruar gjatë kampionatit, sikurse kanë mbetur në stol edhe yjet e ekipeve të mëdha si Ronaldo e Icardi.

Strakosha ka pësuar 21 gola në 19 javë, vetëm 1 gol më shumë se portieri i Milan, 7 gola më shumë se portieri i Inter, 4 më tepër se ai i Napolit dhe 10 gola më shumë se i Juventus. Porsa i përket performancës së një portieri, golat nuk janë tregues, pasi ndikon edhe mbrojtja. Djali i ish-kapitenit legjendar të Kombëtares shqiptare, Foto Strakosha, konsiderohet ndër portierët më cilësorë të Seria A dhe për nga mosha një ndër portierët me të ardhme të sigurt.  Ai gjatë vitit që lamë pas zuri vendin e titullarit, duke fituar rivalitetin e vështirë me portierin e Atalantës, Etrit Berisha, i cili gjithashtu konsiderohet si një ndër portierët më të mirë të kampionatit italian.

Lazio e mbylli pjesën e parë të këtij sezoni në vendin e katërt me 32 pikë, kjo falë edhe performancës së portierit Strakosha. Juve renditet e para me 53 pikë, ndjekur nga Napoli me 44 pikë, dhe Inter me 39 pikë. Java e 20-të e Seria A rikthehet me 19 janar, ndërsa pjesa e dytë e këtij sezoni do të jetë një sfidë për portierin shqiptar, për të thelluare rekordin në portën e Lazio.

 

15 lojtarët e Seria A, me 19 ndeshje të plota

Gianluigi Donnumma (Milan)

Thomas Strakosha (Lazio)

Alessio Cragno (Cagliari)

Emil Audero (Sampdoria)

Andre Consigli (Sassuolo)

Marco Sportiello (Frosinone)

Luigi Sepe (Parma)

Lukas Skorupski (Bologna)

Samir Handanovic (Inter)

Nicolas N’koulou (Torino)

Jens Stryger Larsen (Udinese)

Davide Biraschi (Genoa)

Matias Silvestre (Empoli)

Francesco Acerbi (Lazio)

Francesco Caputo (Empoli)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: