SKËNDERBEU/ Shehi “peshkon” kombëtaret U-17 dhe U-19, gati 3-4 përforcime për janarin

SKËNDERBEU/ Shehi “peshkon” kombëtaret U-17 dhe U-19, gati 3-4 përforcime për janarin
Kombëtarja U-17, Elvin Beqiri, vijon përgatitjet në kompleksin Tropikal, Durrës, aty ku po zhvillon fazën përgatitore të dimrit edhe Skënderbeu, ekipi kampion në fuqi, që e mbylli vitin 2018 me një muaj plot zhgënjim që e largoi edhe nga pretendimet për titull.

Megjithatë, trajneri Orges Shehi dhe stafi i Skënderbeut janë duke vëzhguar disa lojtarë të dy ekipeve kombëtare, U17 dhe U-19. Arbri Pengu i Pogradecit dhe Reginaldo Kasemi i Olimpiakos, pjesë e U-17, vlerësohen me të ardhme të sigurt, për të qenë pjesë e Skënderbeut në edicionin tjetër.

Emiljano Bullari i Olimpiakos dhe Bernard Karica i Lirisë së Prizrenit, lojtarë të U-19 shihet gjithashtu lojtarë me cilësi për të qenë pjesë e Skënderbeut edhe për këtë sezon.

Gjithashtu Skënderbeu po kërkon të përfitojë nga grumbullimi me ekipet kombëtare për të zbuluar lojtarët e duhur, si përforcime të janarit, që t’i ketë pjesë në të ardhmen.

Të dyja ekipet kombëtare po përgatiten në Durrës përpara një turneu miqësor, ku më i rëndësishmi është ai i “Mercedes Benz Aegean Cup International Youth Tournament” , kompeticion që organizohet nga Federata Turke e Futbollit dhe zhvillohet në Altinordu nga data 13 deri në 20 janar 2019.

Në këtë kompeticion, Shqipëria U-17 bën pjesë në grupin B së bashku me Spanjën, Rusinë dhe Maqedoninë. Në grupin A bën pjesë Turqia, Anglia, Azerbajxhani dhe Moldavia. Ndeshjet zhvillohen në 14, 15 dhe 17 Janar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: