SI TA IDENTIFIKOJMË CAKËN - REDAKSIONALE NGA EDISON KURANI

SI TA IDENTIFIKOJMË CAKËN - REDAKSIONALE NGA EDISON KURANI
Nga Edison Kurani

Në ka raste kur gazetarët hasin vështirësi se me çfarë emërtimi apo titulli ta prezantojnë në shkrimet e tyre një zyrtar publik, është pikërisht ai i Gent Cakës. Deri dje ai ishte zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme.

Por me të hequr dorë Rama, i cili pardje u betua si ministër te Meta, tanimë Cakaj është praktikisht ministër i Jashtëm.

Ndonëse kryeministri ka premtuar se me t’u ringritur Gjykata Kushtetuese do t’i “përvishet” Presidentit për të rrëzuar refuzimin e tij që Cakaj të dekretohej ministër i Jashtëm, kjo do të zgjasë shumë muaj, ndoshta duke kaluar i gjithë viti që kemi nisur.

Në këto kushte, gjithkush vihet në vështirësi se si do ta identifikojë Gent Cakën gjatë axhendës së tij të përditshme të punës që do të pasqyrohet në media.

Nëse do të vendosim ta identifikojmë si zëvendësministër të Jashtëm, do të biem ndesh me vendimin e Ramës që e shpalli zyrtarisht ministër të Jashtëm.

Por nëse do ta cilësojmë ministër të Jashtëm, rrjedhimisht do të hedhim poshtë kryeministrin, i cili do apo nuk do ai, është i dekretuar nga Presidenti si organ i vetëm që shpall ministrat e kabineteve qeveritare, si ministër i Jashtëm.

E po ashtu, do të rrëzonim dhe dekretin e Presidentit, i cili e emëroi Ramën ministër të Jashtëm, me kërkesën e vetë atij që të mbajë një post të dytë brenda kabinetit që drejton.

Rasti i Cakës, bëhet kështu një shëmbëlltyrë për të ardhur keq, e mënyrës si funksionon politika e vjetër në Shqipëri, e cila pa iu dridhur qerpiku, përfshin brenda batakut të saj, edhe të rinjtë që i jepen çelësat e dyerve të larta të shtetit.