Shqipëria nën borë dhe acar, mbyllen 280 shkolla në të gjithë vendin

Shqipëria nën borë dhe acar, mbyllen 280 shkolla në të gjithë vendin
Mëngjesi i djeshëm shumë qytete i ka gjetur të mbuluar nga bora. Si rrallë herë, Gjirokastra është zbardhur nga dëbora. Po kështu edhe Shkodra dhe Elbasani, qytete për të cilat reshjet e dëborës janë shumë të rralla.  Reshjet e dëborës kanë prekur edhe kryeqytetin në orët e para të ditës së djeshme, ndonëse me intensitet të dobët.

Sonila Isaku

Moti me reshje dhe temperaturat e ulëta kanë bërë që në disa zona të vendit të pezullohet procesi mësimor. Kurse në qytetet e tjera procesi mësimor është zhvilluar me orë të shkurtuara, për shkak të temperaturave të ulëta.

Mbyllen shkollat

Reshjet e shumta të borës në zonat malore por edhe pjesën tjetër të vendit kanë detyruar drejtuesit e Drejtorive Rajonale Arsimore të marrin vendimin për të pezulluar procesin mësimor, kjo për faktin se shumë prej rrugëve kanë qenë të bllokuara prej borës si dhe temperaturat e ulëta. Plot 280 shkolla gjatë ditës së djeshme nuk kanë zhvilluar mësim. Lajmi është konfirmuar nga vetë Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, e cila përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat shprehet se në total janë 280 shkolla në vend, të cilat nuk kanë filluar procesin e mësimit. “Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nisur nga situata atmosferike në vendin tonë për datën 9 janar 2019, bën me dije se disa Drejtori Arsimore Rajonale kanë marrë vendimin për pezullimin e mësimit në disa shkolla. Sipas raportimeve në Ministrinë e Arsimit, për funksionimin e institucioneve arsimore në arsimin parauniversitar, është pezulluar mësimi për sot në 5 drejtori dhe zyra arsimore si: Gjirokastër, Librazhd, Pukë, Tepelenë dhe Përmet. Ndërkohë që edhe në disa zyra të tjera arsimore ku disa shkolla ndodhen në zona malore, mësimi nuk është zhvilluar. Në total janë rreth 280 shkolla kryesore dhe vartëse që nuk kanë nisur procesin mësimor për shkak të kushteve të motit” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

Për ato shkolla ku sot mësimi është pezulluar, zëvendësimi i orëve do të bëhet në ditët në vijim.

Orët e reduktuara

Nga ana tjetër në kryeqytet për shkak të temperaturave të ulëta, drejtoritë arsimore u kanë përcjellë drejtorëve të shkollave të marrin vendimin për të zhvilluar orë të reduktuara. Disa nxënës dhe të afërmit e tyre kanë thënë se në klasa vijojnë të ngrohen ende me rezistencë, të cilën e kanë blerë me kontributet e tyre.

Përgjegjësia në këto raste është e drejtuesve të bashkive si dhe atyre arsimore pasi, Inspektorati Shtetërior Shëndetësor në raportin metë fundit të majit qershor 2018 ka lënë rekomandimet e veta për marrjen e masave sa i takon ngrohjes në shkolla. Inspektorati Shtetëror Arsimor, është institucioni që duhet të kontrollojë çdo ditë dhe çdo muaj gjendjen e shkollave, kopshteve e çerdheve, dhe të marrë masa ndaj tyre deri në gjobitje të drejtuesve të tyre, të cilët ka raste që nuk zhvillojnë tendera për lëndën djegëse të kaldajës, në rastet kur janë.

Situata e reshjeve

Mëngjesi i djeshëm shumë qytete i ka gjetur të mbuluar nga bora. Si rrallë herë, Gjirokastra është zbardhur nga dëbora. Po kështu edhe Shkodra dhe Elbasani, qytete për të cilat reshjet e dëborës janë shumë të rralla.

Reshjet e dëborës kanë prekur edhe kryeqytetin në orët e para të ditës së djeshme, ndonëse me intensitet të dobët. Flokët e parë të dëborës në Tiranë kanë nisur rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm dhe kanë zgjatur disa minuta duke krijuar edhe shtresën e parë të bardhë e cila nuk ka qëndruar gjatë. Bora është shkrirë pa zbardhur dita por gjithsesi 'gjurmët' e saj ishin prezente në disa zona të qytetit të Tiranës.

E ndërsa për këto qytete rënia e dëborës ishte një fenomen i rrallë natyror, problematike situata paraqitet në Dibër. Gjysma e fshatrave të këtij qarku janë të bllokuar. Reshjet kanë sjellë problematika edhe Pukë, Mirditë, Fushë Arrëz, si dhe në disa fshatra të Korçës. Vështirësi në qarkullim janë raportuar në rrugën kombëtare Elbasan-Librazhd-Prrenjas-Qafë-Thanë. Përdorimi i zinxhirëve këshillohet në akset Korçës si në Dardhë, Voskopojë, Korçë - Qafë Qarri - Ersekë, Liqenas - Dogana Goricë, qarkullohen me zinxhirë.

 

Moti i acartë, ARRSH: Bëni kujdes në rrugë, ja akset problematike

Pas reshjeve të dëborës dhe bllokimit të rrugëve, Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat ka njoftuar për gjendjen e akseve nga veri në jug, ndërsa ri përsërit apelin ndaj drejtueseve të mjeteve të respektojnë udhëzimet përkatëse.

Pas hedhjes së kripës dhe pastrimit në rrugë si dhe rikthimit të reshjeve të shiut në disa zona të vendit, qarkullim i mjeteve është normalizuar, por krahas kësaj, ka ende segmente që vijojnë të jenë nën pushtetin e ngricave. “Qafë Thanë-Kapshticë dhe Qafë Qarri-Ersekë qarkullimi behët me zinxhir. Tepelenë-Kakavijë kanë filluar reshjet e shiut, qarkullimi është i mundur pa zinxhir, por duhet të bëhet me kujdes.  Në Pukë Fushë Arëz Qafë Mali, Hani i Hotit Tamarë, Dedaj-Razëm, Qafë Laç-Koman, Qafë Mali- Fierzë, Kuben- Vasije qarkullimi bëhet me zinxhir.

Segmenti Fierzë-Ura e Bujanit-Qafë Morinë, i qarkullueshëm me zinxhir. Aksi Kukës-Ura e Zapodit, Kukës-Bushtricë, i qarkullueshëm me zinxhir. Segmenti Kukës Krumë, Krumë Qafë Prushi, Plepa-Kam të qarkullueshëm me zinxhir.

Rekomandojmë drejtuesit e mjeteve të vendosin zinxhir në segmentet rrugore, për të cilat ju kemi lajmëruar, të respektojnë sinjalistikën, të ulin shpejtësinë, të tregohen të kujdesshëm sidomos gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit dhe të ndjekin udhëzimet e Patrullës Rrugore”, njofton ARRSH.

 

Bllokohet nga reshjet e dëborës, 25-vjeçarja sjell në jetë fëmijën e saj në shtëpi 

Një nënë e re, e cila është bllokuar nga dëbora brenda shtëpisë, ka lindur këtë të mërkurë fëmijën e saj të dytë në fshatin Labinot-Katund falë ndihmës së stafit të Qendrës Shëndetësore së Elbasanit. Luljeta Coca është ndihmuar nga një infermiere e kësaj qendre shëndetësore, e cila është transportuar në zonën e thellë malore nga një ambulancë që ka qarkulluar me zinxhirë. Nëna 25-vjeçar ka lindur pa ndërlikime dhe se është transportuar më pas në maternitetin e Elbasanit, ku aktualisht po merr trajtimin e nevojshëm .

 

Rrugët e pakalueshme, Xhaçka paralajmëron firmat kontraktore

Në një kohë që reshjet e dëborës kanë bllokuar dhe paralizuar qarkullimin në qarqe të ndryshme të vendit, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në një dalje për media ka paralajmëruar me penalizime firmat kontraktore përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe zhbllokimin e akseve rrugore. “Që të minimizojmë pasojat e motit të keq, i bëj thirrje firmave kontraktore, në të gjitha bashkitë, që  të respektojnë kontratat për mirëmbajtje e zhbllokimin e akseve rrugore në rast të bllokimit të tyre. Sa më korrektë të tregoheni në punën tuaj, aq më pak problem do kenë në përditshmërinë e tyre qytetarët e Shqipërisë. U bëj me dije të gjitha atyre kompanive, që nuk respektojnë kontratat për mirëmbajtjen e rrugëve se për çdo rast po monitorohen e do të penalizohen sipas ligjit” pohoi Ministrja e Mbrojtjes.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: