SHERRI META-RAMA, FLASIN ANALISTËT E “ALBANIAN FREE PRESS”

SHERRI META-RAMA, FLASIN ANALISTËT E “ALBANIAN FREE PRESS”
 

Forum në gazetën “Albanian Free Press”, flasin opinionistët e saj të përhershëm, Roland Qafoku, Eduard Zaloshnja dhe Frrok Çupi

Presidenti i Republikës, refuzoi propozimin e kryeministrit për të shkarkuar MPJ Ditmir Bushati dhe për të emëruar në vend të tij, Gent Cakaj, aktualisht zëvendësministër i Jashtëm. Z.Meta thotë se Cakaj ka konsumuar vepër penale duke mos u pajisur me certifikatë sigurie kur ushtroi shtatë muaj detyrën e zv/ministër i Jashtëm.

Për të diskutuar mbi këto zhvillime të vrullshme të orëve të fundit, gazeta “Albanian Free Press” organizoi forumin e mëposhtëm me opinionistët e saj të përhershëm, Roland Qafoku, Eduard Zaloshnja dhe Frrok Çupi. Në këtë forum, ata komentojnë vendimin e z.Meta, qëndrimin e z.Rama pas refuzimit presidencial dhe nëse është refuzimi i ministrit më të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, një arsye për dorëheqje nga ana e kryetarit të qeverisë.

1.Si e komentoni vendimin e z.Meta?

2.Po qëndrimin e z.Rama ndaj këtij refuzimi?

3.Në praktikën botërore, zhvillime të tilla kanë nxitur kryetarë qeverie të japin dorëheqjen. A mendoni se dhe Edi Rama duhet të veprojë në këtë mënyrë pasi u refuzua kandidatura e tij për MPJ?

 

ROLAND QAFOKU

1.Unë e shikoj në dy plane mosdekretimin e presidenti Meta të shkarkimit të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati dhe emërimin e Gent Cakajt si ministër në vend të tij, në planin politik dhe atë teknik. Në të dy planet presidenti ka vepruar drejt. Në një mungesë efikase të opozitës, ky vendim është i vetmi zë i qartë, i saktë, aspak përulës ndaj arrogancës së kreut të qeverisë për shumë e shumë vendime që i merr vetë personalisht pa përfillur institucionet, ligjet dhe rregullat që ka shteti. Kur tepsia në të gjitha kuptimet është e gjitha e kryeministrit, kemi edhe një president që I thotë kryeministri boll. Qeveria nuk është bashkia e dikurshme e Tiranës që kryetari nuk përfillte kryetarët e minibashkive dhe vendoste edhe se ku do mbilleshin pemët.

Në aspektin teknik mospajisja me certifikatë sigurie të një zëvendës dhe më pas të një ministri është një skandal shtetëror. Çfarë duhet të presim ne që Rama të thotë përsëri “po zoti President ke të drejtë, por hidhe atë dreq firme se na plase? Jo. Shteti nuk bëhet as me plasje e as me qejfe. Shteti bëhet me ligje dhe rregulla. Nëse Cakaj nuk e ka certifikatën e sigurisë dhe atë duhet ta ketë, Presidenti ka të drejtë.

 

2.Rama e kupton të gjithë këtë si një histori që presidenti Meta mezi pret t’i gjejë atij një qime floku brenda vezës së zier. Nuk e kishte parashikuar kurrë se pikërisht atë që e kishte “degdisur me internim politik në Presidencë” si heqje qafe, befas iu bë më i fortë se sa detyra honorifike që mban. Reagimi i Ramës është më i padëshiruar se sa situata. Janë disa pyetje që shtrohen: Në emër të kujt i kërkon ndjesë Kosovës Edi Rama? Përse zonjës Edita Tahiri që ka mbështetetur presidentin Meta i drejtohet me fjalën “xhan”. Zonja Tahiri nuk është as student pa edukatë që i kërkon llogari se me çfarë parash ka bërë vilën në Surrel dhe as pjesë e “kazanit” mediatik. Etika e komunikimit në këtë drejtim lë shumë për të dëshiruar saqë frymëzoi edhe Baton Haxhiun që meqenëse ka marrë nënshtetësinë shqiptare mund të flasë edhe se si mund të pastrohen rrugët e Tiranës por edhe për çështjet madhore të shtetit shqiptar dhe t’i drejtohet Presidentit si çun lagjeje. Baton Haxhiu i qau me lot punët e veta në Kosovë dhe tani i mbetën këto në Shqipëri.

3.Lidhur me dorëheqjen e kryeministrit nuk mendoj se është ky rasti. E vërteta është se ai ndjehet nën dilemën nëse e gjitha kjo histori është një furtunë në gotën e ujit apo një arrë e fortë për t’u thyer dhe pak alternativë ka vetë për të bërë? Dhe nuk besoj se ka premisa që për shkak të Gent Cakajt ai të japë dorëheqjen. Sepse çfarë duhet të bënte kryeministri fjala vjen kur BE nuk hapi për Shqipërinë negociatat për anëtarësim dhe ndërkohë dha lajmin “e gëzueshëm” se në sajë të vlerësimeve të BE-së ato do të shtyheshin në dhe një vit?

 

EDUARD ZALOSHNJA

1.Çështja e certifikatës së sigurisë është më tepër një pretekst në këtë rast – arsyet e mosdekretimit janë të tjera. Përgjegjësia për mospaisjen me certifikatë bie mbi atë që e emëroi Cakajn në postin e zv.ministrit, dhe që e lejoi ta ushtronte këtë detyrë pa certifikatën e sigurisë.

Po qëndrimin e z.Rama ndaj këtij refuzimi?

Reagimi i Ramës është i një niveli parapolitik. Ai e quan vendimin e Metës antikushtetues, pa dhënë asnjë argument përse e quan kështu. E quan të turpshëm vendimin e Presidentit të republikës ku ai vetë është kryeministër – kjo ndodhte dikur në republikat afrikane të viteve ‘1960…

Në praktikën botërore, zhvillime të tilla çojnë shpesh në dorëheqje të kreut të qeverisë. A duhet ta japë dorëheqjen Edi Rama pasi u refuzua kandidatura e tij për MPJ?

Në fakt raste si ky i yni janë të rralla, por para disa muajsh, presidenti i Italisë nuk dekretoi ministrin e ekonomisë, pavarësisht se ai i plotësonte kriteret kushtetuese. Presidenti Italian e argumentoi mosdekretimin e tij me stabilitetin financiar të vendit. Kryeministri emëroi dikë tjetër në postin e ministrit të ekonomisë…

 

FRROK ÇUPI

  1. Vendimi i zotit Meta është shumë personal, inatçor dhe diletant. Ai ka ndëshkuar një individ (Cakaj) për shkak të mendimeve të tij të shprehura në ide, jo në akte shtetërore.

Edhe një ministër ose president ka ide personale, por funksionon sipas kolonave institucionale shtetërore. A nuk ka Meta idenë se Rama është ‘fundërrinë njerëzore’ por megjithatë është President i zgjedhur prej tij dhe thotë se punon në dobi të qeverisjes. Me këtë që Meta bëri, u binda më shumë se demokracinë as e kemi prekur dhe se Enver Hoxha është akoma President.

2.Reagimi i Ramës m’u duk pak nervoz, fjalori i tij është i zakonshëm kështu sepse ai lëvron gjuhen në të shkruar e në të folur, ndryshe nga liderët e tjerë. Besoj se në thelb u përgjigj sakte dhe me thellësi.

3.Mendoj se nuk ka as vend që te japë dorëheqje Kryeministri, pse Presidenti nuk i pranoi një ministër. Sepse nuk ka precedentë në botën e qytetëruar që një President i republikës parlamentare të marrë pozita ekzekutive si në këtë rast. Po deformohet Republika.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: