Sektori i energjisë, si do të reformohet me një plan të posaçëm strategjik

Sektori i energjisë, si do të reformohet me një plan të posaçëm strategjik
“Do zbatohen angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me procesin e anëtarësimit në Komunitetin e Energjisë dhe në BE”

***

Gjatë dy viteve të ardhshme, sektori i energjisë elektrike në Shqipëri do t’i nënshtrohet një reformimi të plotë. Kjo sipas një plani të posaçëm, të hartuar nga qeveria dhe zyrtarizuar së fundmi. “Një përpjekje reforme filloi në vitin 2006 me anëtarësimin e vendit tinë në Komunitetin e Energjisë dhe u rifreskua më tej, në vitin 2015 me miratimin e një ligji të ri për sektorin e energjisë elektrike. Ndërkohë që reforma është ngadalësuar pak gjatë dy viteve të fundit”, sqarojnë ekspertët e qeverisë rreth kësaj. Duke shtuar sakaq, se në muajt e fundit, nga aktorët kryesorë janë gjetur energjitë e duhura për ta vazhduar me reformën sektoriale. “Për më tepër, duhet të theksohet se plani strategjik shqyrton dhe zbaton angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me procesin e anëtarësimit në Komunitetin e Energjisë dhe në Bashkimin Evropian”, sqarojnë më tej ekspertët e qeverisë. Për të nënvizuar në këtë kuadër, se nëse zbatohen këto reforma, “duhet të krijojnë një treg të organizuar në modelin e BE-së, i cili udhëhiqet nga parimet e të qenit transparent, jodiskriminues dhe i qëndrueshëm në një periudhë të gjatë, bazuar në formimin e çmimit të lirë përmes konkurrencës”. Po çfarë synon të vetvete ky plan strategjik? “Ai synon rritjen e efikasitetin e energjisë dhe kapacitetin prodhues të energjisë së rinovueshme në Shqipëri; krijimin e sistemit të ri të tarifave të energjisë elektrike; zhvillimin dhe vendosjen e një tregu të organizuar të saj; si edhe dhe integrimin e një tregu shqiptar të energjisë elektrike me tregjet më të gjera rajonale të energjisë elektrike dhe së fundmi, tregun e brendshëm të energjisë elektrike të Bashkimit Evropian. Masa këto, që do të mund të realizohen sipas qeverisë shqiptare, duke nisur pikërisht nga hapi i parë, ai drejt ndarjes së OSHEE-së, furnizuesit të vetëm e universal të Shqipërisë dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes; krijimin e një shoqërie shqiptare të shkëmbimit të energjisë (APEX) dhe hapjen graduale të tregut të shitjes me pakicë, së bashku me krijimin e një tregu konkurrues me shumicë. “Ky treg i shitjes me shumicë, krahas tregtisë dypalëshe, pritet të përfshijë tregjet e ditës në avancë dhe brenda ditës, si dhe tregun e balancuar të energjisë elektrike, ku formimi i çmimeve pritet të jetë i formuar lirshëm mbi bazën e mungesës së mallrave, konkurrencës dhe nevojave për investime, d.m.th. vlerësimin e vërtetë ekonomik të energjisë elektrike”, saktësojnë ekspertët.

Ankesa: “Transparencë e kufizuar, e cila pengon hyrjen në treg të aktorëve të rinj”

“Kapaciteti prodhues i instaluar i Shqipërisë është mbi 2.01 GV dhe mbizotërohet tërësisht nga hidrocentralet. Për më tepër, tregu shqiptar i energjisë elektrike është subjekt i një sasie të kufizuar të palëve kryesore të interesuara. Aktorët e tregut të energjisë aktualisht po bashkëpunojnë në një mjedis me transparencë të kufizuar që pengon hyrjen në treg të aktorëve të rinj dhe lidhet me mungesën e efikasitetit në këtë sektor. Prandaj, është e rëndësishme të theksohet se Shqipëria po ndërmerr tashmë hapa reformash, të cilat mbështeten në reformën e sugjeruar këtu”, citon plani strategjik.

Kur do të fillojë zbatimi i këtij plani? Afatet e konkretizimit të pikave të tij

“Periudha e parë e zbatimit të pritet të fillojë në tremujorin e katërt të vitit 2018 dhe të vazhdojë deri në tremujorin e tretë të vitit 2019, ndërsa periudha e dytë është nga tremujori i katërt 2019, deri në tremujorin e tretë të vitit 2020. Afatet kohore gjatë të cilave elementet e politikave të reformës duhet të zbatohen përmblidhen në: Afati i parë i zbatimit; Numri i elementeve të politikave të reformës: Kohëzgjatja: afërsisht 10 muaj; Afati kohor: 4-mujori 2018, 3-mujori 2019; Afati i dytë i zbatimit; Numri i elementeve të politikave të reformës: Kohëzgjatja: 12 muaj; Afati kohor: 2019-2020”.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: