REFORMA NË DREJTËSI/ Ambasadori i BE: Me ngritjen e SPAK presim dënime politikanësh!

REFORMA NË DREJTËSI/ Ambasadori i BE: Me ngritjen e SPAK presim dënime politikanësh!
Bashkimi Europian i ka drejtuar sytë nga SPAK, struktura e posaçme që do të ndërtohet shumë shpejt në kuadrin e reformës në drejtësi kundër korrupsionit dhe që do të realizojë atë që ndërkombëtarët me forcë kanë kërkuar prej vitesh: vënien pas hekurave e zyrtarëve të lartë të inkriminuar. Të paktën kjo është pritshmëria edhe e ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca.

Thirrja e bërë dy ditë më parë për zgjedhjen e prokurorëve në Zyrën e Posaçme të Prokurorisë është një arritje shumë e rëndësishme dhe ne jemi shumë të kënaqur. Kjo vjen pas zhvillimeve të rëndësishme që kanë ndodhur në dhjetor me krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe formimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Këto janë piketat e para të reformës së drejtësisë. Kjo është një reformë vendimtare për Shqipërinë, për shqiptarët dhe prandaj edhe për Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Duke shtuar se “reforma e sistemit të drejtësisë në Shqipëri është sigurisht e rëndësishme për shqiptarët, është e rëndësishme për vendin, por është e rëndësishme edhe për Bashkimin Evropian duke pasur parasysh vendimin që ai do të marrë në qershor lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë”.

Sipas tij, me ngritjen e SPAK-ut, Bashkimi Evropian pret dënimin e politikanëve të përfshirë në raste korrupsioni.

Korrupsioni duhet luftuar në çdo nivel, edhe në nivel politik, prandaj ne presim që SPAK-u, pasi të krijohet, të nisë hetimet në çdo sektor të shoqërisë, përfshirë nivelin politik. Dhe ne presim që ky hetim të pasohet me ndjekje penale dhe dënime. Kjo është vendimtare. Pse është vendimtare? Sepse lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një përparësi kyçe për Shqipërinë dhe për Bashkimin Evropian. Dhe lufta lundër krimit të organizuar është po aq e rëndësishme sa dhe lufta kundër korrupsionit”, tha ai.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: