Refik Halili: Pse nuk shiten aksionet e Tiranës? Duan të gjithë të jenë si mbreti Zog

Refik Halili: Pse nuk shiten aksionet e Tiranës? Duan të gjithë të jenë si mbreti Zog
Përse Tirana nuk po afron ende donatorët e rinj, siç u premtua? Financuesi më i vjetër i klubeve të Superiores  dhe ai ka paguar faturën më të madhe financiare për futbollin në 15 vjet, Refik Halili: Futbollistët të huaj dhe shqiptarë, (që kanë luajtur te Tirana) kanë shtëpi më të mira se unë

Aranit Muraçi

Tirana, që e mbylli pjesën e parë të këtij sezoni në zonën e ftohtë dhe në rrezik rënie nga kategoria, paralajmëroi se gjatë muajit janar do të afronte donatorë të rinj, për një të ardhme më të mirë, proces ky që duket se ka ngecur sërish. Bashkia e Tiranës është treguar e gatshme të shesë aksionet që zotërohen prej saj për afrimin e donatorëve të tjerë, me qëllim që bardheblutë të rikthehen në traditën e tyre të sukseseve. Mbi këtë ide presidenti Refik Halili, i cili zotëron 66 për qind të aksioneve aktualisht, ka kërkuar që investitorët e rinj të blejnë pikërisht aksionet që zotërohen nga Bashkia e Tiranës dhe ndoshta një pjesë të disa aksioneve që zotëron ai vetë, me kushtin që ai të mbajë mbi 50 për qind të tyre, ose e thënë ndryshe të drejtën e presidencës. Halili ka rreth 15 vjet që investon te Tirana dhe nuk ka ndërmend që të humbë vendimmarrjen, në një kohë kur pretendon se ka shlyer pjesën më të madhe të borxheve që kishte klubi para se ai të merrte drejtimin.

Ai tha se është munduar për vite me radhë me të ardhura legjitime që i siguron nga biznesi i tij duke financuar që të mbajë Tiranën në këmbë për shumë vite, duke e shpëtuar madje edhe nga ndonjë falimentim i mundshëm. Dhe fakti që ligji i privatizimit të klubeve ka mbetur në letër që në vitin 2004, sikurse dhe strategjia për zhvillimin e futbollit në Shqipëri nuk ka ekzistuar asnjëherë, ka krijuar një situatë të tillë jo vetëm tek Tirana. Nga presidentët aktualë që drejtojnë klubet në Kategorinë Superiore, Refik Halili është më i vjetri mes tyre, që do“thotë se ka paguar edhe faturën më të madhe financiare. “Kam investuar kam larë borxhe. Dua të them që të huaj dhe shqiptarë (futbollistët që kanë luajtur te Tirana) kanë shtëpi më të mira se unë.”

Presidenti i Tiranës beson se skuadra aktuale nën drejtimin e Ardian Memës është e denjë jo vetëm për t’i shpëtuar rënies, por edhe që të ketë sukses në fund, për t’u ngjitur në vendet e para, sikurse shpreson se do të afrohen investitorët e rinj. Megjithatë, duket se deri tani bashkëpronësia me bashkinë nuk ka funksionuar, sikurse më herët edhe bashkëpronësia me ortakë të tjerë. Mentaliteti që ekziston tek investitorët shqiptarë, të cilët duan të jenë “të gjithë të parë” janë bërë pengesa kryesore e këtij ngërçi.  “Bashkia do i nxjerrë aksionet këto ditë në shitje. Aty janë aksionet, jam shumë i bindur se askush nuk do t’i blejë. Pse nuk i blejnë aksionet. Këtu duan njerëzit që të dalin mbi të gjithë, si mbreti Zog. Unë jam lart madhëri,” – pretendoi Refik Halili. Për një zgjidhje më të mirë, Halili e sheh absurd pretendimin që të heqë dorë nga përqindja më e madhe e aksioneve që zotëron. - “Nëse më thoni hiqi aksionet dhe ta marrë një tjetër, sepse ky tjetri do ta bëjë më mirë, do ta bëjë s’ka gjë, por më nxirrni një herë atë se kush do i marrë. Juve që diskutoni aty sipas qejfit e interesave, ja ku janë aksionet shkoni merrni çfarë problemi ka? Kush ju pengon?”.

Tifozët e Tiranës, të mësuar me trofe dhe që ekipi i tyre të jetë gjithnjë në nivele të larta, kanë shprehur zhgënjimin, duke kërkuar largimin e Refik Halilit. Presidenti i Tiranës kërkon të marrë përgjegjësitë e tij sikurse të zbardhet historia financiare e klubit gjatë viteve të tranzicionit, me qëllim që investitorët, e tashmja dhe e ardhmja të jetë më e sigurt për të mirën e ekipit që numëron më tepër tituj kampion dhe trofe se çdo ekip tjetër në Shqipëri. Por nuk arkivon më një trofe prej një dekade dhe më keq akoma përjetoi rënien dramatike nga kategoria një vit më parë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: