RASTI “CAKAJ”/ Meta kërkon hetim parlamentar për DSIK: Si jepet certifikatë sigurie për 24 orë?

RASTI “CAKAJ”/ Meta kërkon hetim parlamentar për DSIK: Si jepet certifikatë sigurie për 24 orë?
Mënyra se si u pajis zv/ministri i Jashtëm, Genti Cakaj, me certifikatë sigurie nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), duhet të hetohet nga Kuvendi i Shqipërisë.

Ka qenë kjo kërkesa e sotme e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili shkeljet ligjore i kishte evidentuar që një ditë më parë.

Teksa refuzoi dekretimin e Cakajt si ministër i jashtëm, Meta theksoi se ai ka punuar pa certifikatë sigurie për 7 muaj, ndërsa aplikoi në DSIK dhe mori certifikatën pas shpalljes së kandidimit për ministër, brenda 24 orëve.

“Vetëm më datë 03.01.2019, moment ky kjo që përkon me bërjen publike të  propozimit të Kryeministrit për emërimin e tij në postin e Ministrit për Evropën për Punët e Jashtme, (si dhe 3 ditë pas firmosjes së propozimit për dekretim si Ministër të MEPJ), ai ka plotësuar aplikimin për certifikatë sigurie pranë kësaj Ministrie edhe pse përmbushja e këtij detyrimi fillonte nga dita e marrjes së detyrës si zv.ministër i MEPJ”, ishte konstatimi i Presidentit.

Meta i është drejtuar me një letër, Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruci, si edhe krerëve të grupeve parlamentare ku kërkon ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për të hetuar punën e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

Në shkresën e refuzimit të një dite më parë, Meta shkruante se ky ishte një rast flagrant shkelje ligji dhe neglizhencë në detyrë nga zv/ministri Cakaj, duke e shndërruar në subjekt të ndjekjes penale. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: