Rasti “Cakaj”, edhe opozita dorëzon kërkesë për Komision Hetimor

Rasti “Cakaj”, edhe opozita dorëzon kërkesë për Komision Hetimor
Opozita: Komision Hetimor për shkeljen e ligjit nga DSIK, Zëvendësministri i Jashtëm Genti Cakaj dhe roli i Edi Ramës në këtë skandal që rrezikon  sigurinë kombëtare dhe të NATOS-s

ALBANIAN FREE PRESS – Ashtu si pak orë më herët Presidenti Meta, edhe opozita dorëzoi dje në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor që do të verifikojë nëse DSIK e ka zbatuar ligjin për pajisjen e zëvendësministrit të Jashtëm Gent Cakaj me certifikatë sigurie dhe si është zbatuar ligji për administrimin dhe përpunimin e informacioneve pa qenë i pajisur më parë me këtë dokument.

Në kërkesën e opozitës janë 4 çështje që janë objekt i hetimit parlamentar, i cili u paralajmërua një ditë më parë nga kreu i opozitës Lulzim Basha, gjatë emisionit Opinion. Bie në sy se një nga personat që do të hetohet nga parlamenti është kryeministri Edi Rama për rolin e tij në shkeljen e rregullave për garantimin e sekretit shtetëror.

Kërkesa e opozitës për komision hetimor merr shkas nga informacionet zyrtare të paraqitura në dekretin e Presidentit për refuzimin e dekretimit të Genti Cakaj si Ministër i Jashtëm. Dokumentacion konfirmon se DSIK e ka pajisur Genti Cakajn me një certifikatë sigurie 5 vjeçare brenda 24 orësh në kundërshtim me ligjin, i cili detyron që procedura për certifikatën brenda ditës ka afat vetëm 1 mujor. Po ashtu, DSIK nuk ka verifikuar Genti Cakajn në vendet ku ai ka jetuar gjatë, si në Belgjikë dhe Hungari. E ndërkohë sipas opozitës, Genti Cakaj ka refuzuar për 7 muaj të kërkojë certifikatë sigurie, si person që trajton informacion të klasifikuar si sekret shtetëror nga NATO dhe BE, pavarësisht se strukturat e Ministrisë së Jashtme e kanë vënë në dijeni me shkresë zyrtare.

Për opozitën, neglizhenca e zëvendësministrit të Jashtëm duke refuzuar të pajiset me certifikatë sigurie prej 7 muajsh ka çuar në zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore të sipërcituara, që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi.

Në kërkesën e saj, opozita thekson se këto konstatime evidentojnë një situatë të rrezikshme për sigurinë kombëtare dhe ngrenë dyshime serioze mbi cenimin e detyrimeve që vendi ynë ka si vend anëtar i NATOS. “Në këto kushte, është ne detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë që të ushtrojë kontroll parlamentar dhe eventualisht të individualizojë përgjegjësitë e institucioneve shtetërore në këtë çështje.”-thuhet në kërkesë.

Opozita kërkon që komisioni të ketë 9 anëtarë, ku kryetari të jetë nga PD, si dhe një afat kohor prej 3 muajsh. Sipas rregullores, Konferenca e Kryetarëve duhet të mblidhet jo më vonë se 5 ditë nga dorëzimi i kërkesës për të diskutuar kërkesën, përbërjen e komisionit, si dhe caktimin e datës së miratimit në Kuvend në seancën plenare më të afërt.

4 çështjet objekt i komisionit hetimor të kërkuar nga opozita:

  1. Verifikimi i ligjshmërisë dhe efekteve të veprimeve të institucioneve shtetërore në pajisjen e z. Gent Cakaj me “certifikatë sigurie” nga DSIK;
  2. Roli i Këshillit të Ministrave, Kryeministrit apo ministrave përgjegjës në shkeljen e procedurave dhe rregullave për garantimin e informacionit “sekret shteërore” dhe shkeljen e procedurave për pajisjen e z. Cakaj me “certifikatë sigurie”;
  3. Arsyet e moszbatimit të ligjit nga z. Gent Cakaj për mbi 7 muaj dhe pasojat që ka sjellë për sigurinë kombëtare dhe angazhimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE;
  4. Autoritetet përgjegjëse që kanë lejuar z. Cakaj, të administrojë dhe përpunojë informacion të klasifikuar, pa qenë më parë i pajisur me “certifikatë sigurie”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: