Rama: Trefish më pak taksa, më shumë investim dhe punësim

Rama: Trefish më pak taksa, më shumë investim dhe punësim
Kryeministri ishte vizitor në një biznes, i cili, nga 1 janari i këtij viti përfiton uljen e tatim-fitimit nga 15% në 5%

ALBANIAN FREE PRESS – Një rrobaqepësi të vogël, të trashëguar nga familja, Endrita Botka ka arritur ta kthejë në një sipërmarrje për dizejnimin dhe qepjen e uniformave të personalizuara, me xhiro vjetore në mbi 80 milionë lekë, ndërkohë që këtë vit e ka nisur me synime të reja. Kryeministri Edi Rama ishte dje vizitor në këtë biznes, i cili, nga 1 janari i këtij viti përfiton uljen e tatim-fitimit nga 15% në 5%.

“Merremi me fasoneri. Është një biznes familjar, i trashëguar nga mamaja ime. Në përgjithësi punojmë me tregun e brendshëm, por këtë vit tregu na ka lejuar të punojmë me uniformat e kompanive të ndryshme, të shkollave, etj.. Ka qenë një vit suksesi. Por edhe ky vit, me rritjen e fashës, do të jetë një vit edhe më i suksesshëm se i mëparshmi,” – shprehet sipërmarrësja, e cila synon tashmë shtimin e fuqisë punëtore dhe zgjerimin e biznesit.

“Unë jam shumë e kënaqur. Duke parë që rritja e fashës na e rrit mundësinë, mendoj që do shtoj edhe fuqinë e punës,” – shprehet më tej Endrita.

Ndërkohë, Kryeministri thekson se qëllimi i kësaj lehtësie fiskale është pikërisht rritja e punësimit, por edhe të ardhura më të mira për të punësuarit. “Ky është qëllimi. Paguani tre herë më pak taksa dhe të rrisni fuqinë punëtore dhe pagat e tyre, sepse duhen rritur pagat.”

Të ndihmuar edhe nga lehtësitë e reja fiskale, drejtuesit e rinj janë të sigurt se do të dinë të menaxhojnë edhe më mirë atë që me shumë mund kanë krijuar prindërit e tyre. “Është një biznes i konsoliduar. Është i prindërve tanë. Unë kam mbaruar studimet për gjë tjetër, por ndërkohë them që zanati është një gjë që ne na duhet. Edhe pse jemi brez i ri, them që fuqia qëndron më shumë tek ajo që di të bësh”.

Teknologjia, një ndihë më shumë

Teknologjia bashkëkohore është një tjetër pikë e fortë me të cilën kjo sipërmarrje konkurron në treg. Me lehtësitë e përfituara drejtuesit e tij parashikojnë më shumë mundësi për investime të reja në këtë drejtim. “Na është dhënë mundësia këtë vit që të bëjmë dhe investime. Një prej këtyre investimeve është dhe makina e qëndisjeve, pasi këtë vit jemi futur në pjesën e uniformave dhe kompani të ndryshme që kërkojnë që t’i personalizojmë gjërat. Është diçka shumë e mirë. Kjo është teknologjia e fundit. Është makineri e shtrenjtë, por ia vlen,” – shpjegon Endrita.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: